Përdhunimi i 15 vjeçares, “ku është bukuroshja e Ministrisë së Arsimit?-nga Anila Hoxha

44

Javët e fundit prindërit e 15 vjeçares të abuzuar seksualisht e kaluan duke fshirë nëpër muret e lagjes emrin e saj. E gjithë lagja ku emri katërgërmësh i fëmijes ka zënë muret e shtyllat, e dinte se kush shkruante dhe përse. Të gjithë e dinin, përvec policisë dhe familjes. Shfrytëzimi i gjimnazistes tregohej prej një viti si një ‘hit’ nëpër gojët e lagjes dhe të shkollës, mes banorësh e fqinjesh, ku disa e përshkruanin si “fëmija i përhedhur”. Ndërsa të tjerët e përshkruanin 65 vjecarin si monstra që u tregonte fotografitë dhe videot e të miturës duke u mburrur ” shikojeni këtë”.

Por ky informacion nuk kishte mbërritur në veshët e vulosur të policisë. Ne veshët e askujt, as të agjentëve të krimeve, as të patrullave që pijnë birra në lokalin përballe shkollës dhe nuk shikonin të afishuar ngado emrin e S, apo të shikonin se si një vajzë kalohej dorë me dorë dhe si një i moshuar ndërkohe tregonte videon në serviset e makinave të lagjes, në birrari, dhe tek te tjerë aty qe pastaj ktheheshin në shtepi dhe ruanin fëmijet e tyre duke patur parasysh se një tragjedi po luhej me fëmijen e komshiut.

Edhe mësuesit e shkollës në lagjen në periferi të Tiranës nuk dinin gjë. As psikologët nuk dinin gjë, ndonëse profili i rojes ishte aq i diskutueshëm sa ai u perzu prej aty. As oficeret e sigurisë që paguhen nga Ministria e Arsimit. Roja i shkollës njihet në lagje për profilin e tij të diskutueshëm. Por ai u hoq nga puna jo per këtë gje, por pasi ishte punësuar aty se bashku me gruan dhe djalin.

Emri i S. dhe sharjet për të ndërkohë të vrasin sytë, në hyrje të shtëpisë së saj në të dy krahët, në muret e shkollës, në muret e lagjes. Prej një viti është shkruar emri i vajzës dhe në anglisht ‘mirë se erdhe në ferr’. Prindërit nuk ja dolën ta mbulonin me gëlqere emrin e femijës së tyre që përdhunshëm u shkarravitej prej muajsh. POR vetëm ata s’po dinin se përse emri i të miturës po vulosej si ‘A” e turpit te shoqerisë sonë.

Një banore më thotë duke tundur kokën se fëmija doli duarsh për faj të prindërve që nuk e kontrollonin. ‘E dinim të gjithë këtë gjë- thotë një tjetër. Videot e vajzës qarkullonin ngado. I moshuari doli mendsh kur prindërit e mbyllën fëmijen në shtëpi dhe ajo nuk po dilte më”. Pasi ata denoncuan, dhe katër banore të lagjes u arrestuan, mes tyre adoleshentë dhe ish roja, prindërit janë ngujuar brenda në shtëpi. Poshtë pallatit të tyre qëndron një grup të rinjsh, me në krye djalin e të akuzuarit si përdhunues. Skandal. Presion fare i hapur.

Ndonese janë të afërmit e këtij 65 vjecari që e përzunë nga familja disa muaj më parë, për të kundërshtuar sjelljen e tij. Skandal i paprecedentë mungesa totale e informacionit të shkollës, policisë, a kujdto tjetër që paguhet dhe ka për detyrë të mbrojë e të ruajë fëmijët dhe nxënësit në shkolla. Një skandal i tillë nuk kishte nevojë të zbulohej nga kallzimi i dy prindërve që për shkaqe të ndryshme iu drejtuan policisë, atëhere kur emri i fëmijes së tyre, dhe video e saj po postohej ngado.

Një skandal i tillë ishte zbuluar prej një viti nga banorët e lagjes në periferi të Tiranës, kur shikonin fëmijën duke u ngjitur në një shtëpi që i perkiste dikujt që jeton në Greqi , kur e shikonin tu nënshtrohej edhe të rinjve të tjerë aty. Dicka po ndodhte, por që policia ta merrte vesh duhet se pari që qytetaret ta besojnë.

Skandal i paprecedentë që pavarësisht zërave ne lagje, asnjë nga përfaqesuesit e shkollës nuk e referoi ceshtjen në polici. Skandal i paprecedentë qe i afërmi i një abuzuesi vazhdon të qendrojë poshtë shtëpisë se dy prindërve që tashmë jane të rrezikuar dhe kanë frikë të dalin, pasi katër të dyshuar në lagje janë arrestuar për abuzim seksual.

Skandal që disa orë pas shpërthimit te kesaj bombe, vec versionit të policisë nuk ka asnjë deklaratë nga bukuroshja e Ministrisë së Arsimit, ku i ka psikologët e shkollës, ku është stafi pedagogjik i kësaj shkolle? Skandal që familja është braktisur dhe ka mbetur pa mbrojtje. Ata jane te kercenuar. I pashe sot dhe e deshmoj këtë gjë.

Nga Anila Hoxha