Deputeti Kujtim Gjuzi denoncohet për dhunë nga bashkëshortja dhe djali

46

Kreu i Partisë Konservatore, Kujtim Gjuzi, deputet në Kuvendin e Shqipërisë është urdhëruar t’i qëndrojë 200 metra larg bashkëshortes dhe djalit të tij, 16-vjeçar të cilët e kanë denoncuar për “dhunë në familje” deputetin duke kërkuar urdhër mbrojtje prej tij në gjykatë.

Gjuzi është përballur në gjyq me bashkëshorten e tij, me të cilën mesa duket është edhe në procedurë divorci. Në vendimin që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dhënë në nëntor të vitit 2019, siguruar nga Panorama, është pranuar dhënia e mbrojtjes për bashkëshorten dhe djalin, nga deputeti Kujtim Gjuzi.

Në vendin shkruhet:  “Gjykata pasi shqyrtoi në tërësi çështjen, bazuar në rrethanat e faktit të pasqyruara nga paditësja në padi, “Për masa ndaj dhuneë në marrëdhënie familjare”, vlerëson se padia e paditësve duhet pranuar mbështetur në nenin 10 të këtij ligji, pasi çmon se ekzistojnë akte të mjaftueshme për të besuar se i padituri ka kryer vepër të dhunës në familje dhe paraqet shqetësim në jetën e paditësve.

Për sa më sipër paditësja i kërkoi Gjykates zbatimin e nenit 10 të ligjit Nr 9669 dt 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” pasi ndihet e frikësuar dhe e pasigurtë për shëndetin e saj”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Mësohet se në përballjen gjyqësore, deputeti i ka kërkuar bashkëshortes të mos vijojë me kërkesën për t’u divorcuar, ku ka premtuar edhe ndryshim të sjelljes së tij. “Ne seancën gjyqësore doli se ekziston mundësia e normalizimit të marrëdhënieve bashkëshortore, duke kërkuar nga paditësja që të heqë dorë nga padia për zgjidhjen e martesës. Gjithashtu i padituri pretendoi se paditësen e ka ndihmuar në ecurinë e biznesit të ngritur prej saj”.

Më tej, shkruan Panorama, bashkëshortja e Gjuzit ka pretenduar në gjyq se “edhe nëse ekziston vullneti i të paditurit për ndryshimin e sjelljes ndaj saj, ky ndryshim nuk mund të jetë as i menjëhershëm dhe as i thjeshtë. Në përfundim paditësja kërkoi pranimin e kërkesë-padisë, duke ripërsëritur kërkesën për largimin e të paditurit nga banesa në pronësi të saj”.

Ndërsa vetë djali i Gjuzit, tha në gjyq se shqetësimi i tij ka qenë akuza që babai i tij i ka bërë për prirje homoseksuale. Ndaj i ka kërkuar nënës që të largohen nga banesa, ku jetonin me deputetin. Në këto kushte, gruaja e Gjuzit kërkon që të kthehet në banesën që është pronë e saj, në të cilën tani thotë se e ka zaptuar deputeti, e ai të largohet prej andej.

“Fëmija u shfaq i qetë emocionalisht gjatë pyetjeve të drejtuara dhe i bindur ne atë që kërkonte, por në momentin kur pyetjet dhe tema fokusohej në marrëdhëniet me babain e tij, djali shprehte shqetësim, duke pretenduar se babai i tij nuk ka patur një sjellje normale me të.

Gjithashtu, shqetësimi tjetër kishte të bënte me deklarimet e të paditurit, i cili para tre vitesh e ka quajtur “homoseksual”, me argumentimin se ka prirje për këtë. Fëmija është ndjerë shumë keq dhe i ka kërkuar nënës së tij, paditëses të largoheshin nga shtepia. Në këto kushte, paditësja së bashku me djalin është larguar nga banesa e saj dhe aktualisht jetojnë tek prindërit e saj.

Paditësja shpjegoi në seancë gjyqësore se në kushtet ku ndodhet, në pamundësi për të jetuar në banesën e saj dhe në kushtet e kërcënimit nga bashkëshorti i saj nëpërmjet mediave deri në nëpërkëmbjen e integritetit të saj kërkoi mbrojtje për vete dhe për djalin nga dhuna psikologjike verbale dhe veprimet arbitrare të palës së paditur, i cili i ka zaptuar banesën“, thuhet në vendimin e gjykatës.

Panorama