“Na ishte një herë një Gertë”, unë e shkrova vetë përrallën time

487

Na ishte një herë një Gertë…

Ime më nuk do e kishte nisur kështu rrëfimin e historisë së jetës time. Ndoshta askush nuk e do e niste kështu, por unë zgjodha të ndaj këtë përrallë me ju. Duhet të kuptohemi drejt bashkë dhe duhet të sqarohemi që në fillim. Në këtë ngjarje nuk do të gjeni asnjë burrë që erdhi të më shpëtojë, as ndonjë familje e pasur, asnjë fat i madh që mbiu nga hiçi dhe më rregulloi jetën e mbi të gjitha, nuk do të gjeni asnjë princeshë me çanta, veshje dhe udhëtime luksoze.

Jeta ime është e mbushur me libra, matematikë, punë nga mëngjesi në mbrëmje, një varg i madh dështimesh, por dhe suksesesh të thjeshta. Unë jam e bija e një ushtaraku dhe një rrobaqepseje. Jam fëmija i madh në një familje me pesë të tillë. T’iu rrëfej varfërinë ekstreme, vuajtjet e jetës së përditshme, vdekjet e njëpasnjëshme të gjakut, depresionin, ngujimin apo luftën e të lindurit grua në Shqipëri besoj që nuk ia vlen. Iu është lodhur koka me gjëra të tilla, por dhe sikur ta bëja, kush prej jush do më besonte që pas gjithçkaje ende jetoj pa humbur besimin që unë mund ta ndryshoj botën.

Kam ego të madhe, ëndrra të pakufishme, dëshiroj gjëra të pamundura, kam thyer shumë tabu dhe mbi të gjitha kam bërë shumë gabime. Nuk jam krenare për to, por për mësimet e nxjerra prej tyre. Sot që jam njëzet e gjashtë vjeç, kam botuar pesë libra, ku i fundit fitoi një çmim inkurajimi në Panairin e Librit 2018 dhe shpresoj ta botoj shpejt në Gjermani ku dhe jetoj, mund të them me bindje që nuk kam humbur asgjë, thjesht kam mësuar.

Nëse do të shihni rrjetet e mia sociale, do të gjeni foto udhëtimesh, librash, takime mes miqsh, disa intervista në media, shkrime modeste, foto të pakta familjare dhe shumë buzëqeshje të trishtuara. Kam punuar që fëmijë, jam rraskapitur nga mëngjesi në mbrëmje, ndonjëherë duke fjetur vetëm tre ose katër orë.

Të njëjtin ritëm jete e ndjek prej vitesh dhe kur kam pak ditë pushimi më gjen në ndonjë cep të globit duke vizituar qytetet për të cilat kam lexuar, apo varret e shkrimtarëve të preferuar. Kam pirë kafe me Kafkën tek varri i tij apo Bulgakov në Kiev. Para një jave takova Zeusin. Nga Gjermania është e lirë të udhëtosh. Me një çantë shpine me vete, dy sandiuçë të bërë në shtëpi, lap topin dhe librat më gjen duke ecur nëpër rrugët e qyteteve që nuk kam shkelur kurrë më parë.

Nuk ulem në restorante të ha dreka apo darka mijëra euroshe. Këpucët më të shtrenjta që kam blerë kushtojnë dyzet e pesë euro, dhe këto të fundit se më duheshin patjetër, jo se e kisha me qejf për t’i blerë. Kam udhëtuar ku kam mundur pa vizë dhe kur më është dashur një e tillë, kam kursyer si dreqi. Paratë që nuk ia dërgoj familjes për të mbijetuar në Tiranë apo udhëtuar i shpenzoj për të blerë libra. Lexoj sa më shumë të mundem dhe pse ndonjëherë më duket sikur koka do të më shpërthejë nga dhimbja. Kam frikë të vdes injorante.

Më tmerron idiotësia, cektësia dhe mbi të gjitha zilia për luks. Nuk do mund të mund kurrë të bëhesha dashnorja e dikujt për lukse materiale apo për çdo arsye tjetër. Këtë nuk po e them si ndonjë vlerë të shtuar të vetes. Aspak. Thjesht nuk do të pranoja kurrë që një burrë të drejtohet me gisht nga unë dhe të thotë “Jam unë dhe lekët e mia, pa është kjo”. Ndonjëherë më bezdis dhe fakti nëse ndonjë burrë tërheq karrigen që unë të ulem. Më duket si një shenjë dobësie e gruas dhe pse e di që është kryesisht mirësjellje. Ndoshta sepse jam tmerrësisht e lodhur duke parë sesi modelet që ne na shiten në shoqërinë shqiptare si të sukseshme vijnë nga bosat e drogës dhe krimit.

Unë nuk jam e bukur, jam inteligjente pak mbi mesataren. Çdo gjë që shihni më buron nga librat. Ka qenë një kohë që nuk kishim as drita në shtëpi. Jam rritur në fakt duke u grindur që mos të lexoja me qiri, apo duke luajtur lojën emër, qytet, shtet, kafshë, bimë, send. E kur kjo mbaronte, me një glob që duhet të shërbente si ambazhur prindërit e mi na tregonin botën dhe historitë e këtyre shteteve. Nuk kishim mundësi të blinin libra, ndaj tani sa herë mundem vetëm për ta mendoj. Dua të kem të gjithë dhomat e mbushura me rafte librash të rinj dhe të përdorur.

Kudo udhëtoj me harta të vjetra, si dikur. Më kujtohet im atë kur vinte nga puna dhe asnjëherë nuk harronte të më kujtonte se Zhyl Verni e udhëtoi botën për tetëdhjetë ditë me balonë, shkoi në qendër të tokës, bëri dy vjet pushime. Prej tij mësova çdo kryevepër të letërsisë botërore e prej time mëje si të shkruaj apo merrem me matematikë. Flas gjashtë gjuhë të huaja dhe pse kurse kam bërë veç për njërën prej tyre. Ama i kam përdorur të gjitha për të thënë të vërtetat që askush nuk i thotë. Prandaj ime motër Tilda, thotë, që Gerta ka një talent. Ajo është Gerta. Na ishte një herë një Gertë. Kur të vdes kështu dua ta nisni historinë e jetës time. Flas për njerëzit që më kanë njohur dhe vlerësuar. Të tjerët nuk më interesojnë. Për ata që i kam lënduar me ose pa qëllim kërkoj falje. Nuk jam e përkyer as nuk do të përpiqem ndonjëherë të jem. Kam mësuar që modestia, të ndihmosh të tjerët, të zgjasësh një dorë kur mundesh, të dashurosh me shpirt, vlen më shumë se çdo pasuri e kësaj bote. Unë jam një Gertë. Nuk do të jetoj kurrë e lumtur përgjithmonë, ama do të jetoj dhe do të vdes e lirë. Unë e shkrova vetë përrallën time.

Nga Flogerta Krypi