Kur Shekspiri është i forti i lagjes… -nga Flogerta Krypi

112

Në fundin e muajit mars isha për një vizitë disa ditore në Angli. Udhëtova në disa qytete dhe siç kam shkruar në një artikull të gjatë, vizitova dhe Stratford upon Avon, qytetin e lindjes së Shekspirit, ku gjendet dhe sot e kësaj dite shtëpia më shumë pesëqind vjeçare ku ai ka jetuar. Përpos gjithçkaje të bukur të vendit, por dhe gjërave që nuk është se realisht më lanë ndonjë përshtypje pozitive e veçoj si një nga udhëtimet që kam qeshur më shumë në jetën time. Kur të mësoni arsyen do qeshni dhe ju me mua e pastaj ndoshta do bini në një dëshpërim të lehtë sikurse unë.

Në vendin ku një nga mendjet më brilante të penës ka shkruar tragjeditë më të jashtëzakonshme, e kanë ndodhur ngjarje që mua më bën të qesh me gjithë qenien time Ndoshta është e vërtetë ajo që thuhet se brenda komedisë fle tragjedia më e thellë. Emigrantë shqiptarë mund të gjesh në çdo vend të botës. Jam e bindur njëqind për qind për këtë. Ndonjë ditë do të dëgjoj që kemi arritur në Atarktidë. Historitë janë nga më të dhimbshmet, por ndonjëherë dhe më qesharaket. Letërsia nuk i pëlqen çdokujt, por ama Romeon dhe Zhuljetën e kanë dëgjuar të gjithë. Kështu nis dhe historia e personazhit tim, i cili në fakt është një njeri me mish, kocka, lëkurë dhe ka një numër takse. Pra mund të them me bindje që ai ekziston.

Tek po pinim diçka në shoqërinë e tij bashkë me dajën tim, bashkëudhëtari im në këtë aventurë letrare, vura re që ajo çfarë një anglez quan “pub” është komplet gjë tjetër nga ajo çfarë ne konsiderojmë të tillë. Është thjesht një vend ku njerëz pinë alkool, kryesisht birra, flasin me zë të lartë, ulërasin në këndvshtrimin tim dhe nga çasti në çast mund të kërcasë një sherr i paparë. Tipike angleze me çfarë dëgjova. E pikërisht këtu merr jetë dhe historia jonë. Pas gotës së tretë të birrës personazhi i kësaj historie filloi të na rrëfente se si ishte shpërngulur nga Londra e madhe në këtë qytet të qetë, që gjallërohet veç nga shtëpia e Shekspirit. Puna e tij e parë në këtë qytet kishte qenë pikërisht kamarier në një restorant rreth pesëdhjetë metra larg shtëpisë së shkrimtarit të famshëm.

Që në ditën e parë të punës e kishin pyetur se ku gjendej shtëpia e Shekspirit, por ai as nuk e kishte idenë se kush ishte ky i fundit dhe nuk i kishte kushtuar rëndësi. Thuajse çdo ditë kishte patur një pyetje të tillë dhe kishte filluar të fliste me vete kur i thonë. “Bah sa i fortë qenka ky Shekspiri që e njihkan të gjithë”. Kështu i kishte thënë vetes disa herë gjer në momentin që pyetja ishte bërë irrituese dhe dikush mund të kishte ngrënë “një dajak të mirë”, por shpëtoi sepse atë ditë kur nervat i erdhën në majë të hundës dhe e kishte sharë Shekspirin siç i kishte ardhur, zbuloi që ai ishte një ndër shkrimtarët më të famshëm në botë. Gjatë gjithë kohës e kishte konsideruar të fortin e lagjes që e njihnin të gjithë, madje sipas tij duhet të ishte një tip mendjemadh që i detyronte njerëzit të pyesnin për të, a thua kush ishte.

-Po Romeon dhe Zhuljetën a i kishe dëgjuar?

-Po kush si kishte dëgjuar. Të gjithë kemi qenë një herë Romeo në jetë. – tha dhe qeshi me të madhe.

-Këtë mjaftoje të mbaje mend. E ka shkruar Shekspiri.

– Epo unë e dija që ai ishte gangsteri i qytetit dhe veç desha ta rrihja një herë. – u përgjigj.

Mënyra sesi ai e rrëfeu ngjarjen, me aq sinqeritet, pafajësi dhe mungesë informacioni ishte gjëja që më bënë të qesh aq shumë. Sepse aty kishte diçka që sot i mungon njerëzimit, maskat kishin rënë. Ishte thjesht historia e një djaloshi që kishte nisur emigrimin që fëmijë nga Greqia për të përfunduar në Angli. Ndër të tjera tregoi dhe plot histori në lidhje me ashpërsinë e tij me motrën. Dhe pikërisht në atë moment ndonëse ende qeshja tek e dëgjoja të fliste arrita ta ndjej vërtetë arsyet se pse jemi kaq larg. – Unë jam rritur me granata në duar. Në 97’ën shkoja me granata në xhepa në shkollë. Nuk guxonte askush të na fliste. As mësuesit. Madje i kemi rrahur. Ishim kalamaj katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë vjeç.

Motra ime nuk guxonte të rrinte pranë murit të shkollës sepsë e qëlloja. Më vinte keq për të, por ça të bëja? Një herë më tha një shok se kishte ecur duke parë majtas, djathtas dhe e qëllova. Kjo ishte e tmerrshme për ne. Do të thonte si ishim të paaftë ta ruanim. Na turpëroi. Sot kur e kujtoj habitem me veten. Ne nuk na jepte njeri libra. Shyqyr që u shpik facebook-u që rikujtuam gjuhën dhe rimësuam të shkuanim e lexonim shqip. Kaq na dhanë. Pastaj ikëm rrugëve të kurbetit. Njerëzit si unë kanë veç shkollën e rrugës. Me kaq jetojmë. Kur kjo pjesë e rrëfimit përfundoi, e qeshura ishte shndërruar në faj dhe pse unë nuk jam përgjegjëse për asgjë që atij i ka ndodhur në jetë, as familja ime, e prapë ndjeva faj. Shoqëria shqiptare humbi dinjitetin dhe mundësinë për të jetuar çdo fazë të jetës prej këtij mentaliteti të poshtër që ende e ruajmë me fanatizëm. Komunizmi dhe post demokracia që po jetojmë sot e tridhjetë vite na shtypi dhe na ka kthyer në skllevër.

Atë ditë kuptova dhe arsyen se pse rrisim djem kaq të prirur ndaj dhunës. Vajzat shqiptare nuk kanë vëllezër. Kanë gardianë. Ky është roli që i jep familja dhe shoqëria çdo mashkulli. Nëse ti si vajzë bën qoftë dhe lëvizjen më të vogël, meriton të ndëshkohesh, ndryshe nderi humb. Ndaj çdo djalë shqiptar s’e ka problem të ngrejë dorën mbi motrën apo gruan sepse këtë i kanë mësuar. Që dajaku ka ardhur nga parajsa. E nëse nuk duan të jenë të tillë, shihen si të dobët dhe jo burra. Mjaftoi një histori për të parë këtë përfundim të thjeshtë. Personazhi im sot ai nuk është as një e dhjeta e njeriut që ka qenë. Sigurisht është rritur si njeri, si individ, si qytetar. Në shikimin e tij mund ta dallosh me lehtësi ndjenjën e fajin dhe nevojën për të shfajësuar paditurinë e tij. Ai i rrëfen vetë këto histori, pa e ngutur. Sikur do të heqë peshën e fajit nga supet sepse thellë mendoj që ai dëshiron që bota ta dijë se nuk është faji i tij për çdo gabim që ka bërë.

Sot ai e njeh Shekspirin më mirë se unë që e kam studiuar apo lexuar veprën e tij. Flet disa gjuhë të huaja dhe ka informacion për thuajse në çdo fushë që flet. Mendoj që në këtë formë tregon se injoranca që i dhuroi shoqëria shqiptare me dhunën dhe mentalitetin e shtrydhur sot është diku larg në të shkuarën e tij. Ai e rrëfen si komedinë e jetës së vet, e padashur na servir dhe tragjedinë e kombit tonë, atë çfarë i bëjmë njëri tjetrit. Ka qenë një ndër momentet më të bukura të jetës time. Jo sepse kam qeshur. Por sepse kam arritur të njoh atë pjesë të vendit tim që e shtypin, e përçmojnë dhe në fund e hedhin në rrugë. Mu desh të ikja gjer në Angli për këtë. Ai ka të drejtë. Shkolla nuk mund të mësojë atë çfarë të mëson rruga, por fakti që ai sot di kaq shumë sa di, është sepse ai zgjodhi të rithehet në shkollë. E këtu nuk po flas për librat, por për njerëzit. Sa prej nesh dimë t’i lexojmë njerëzit?

Flogerta Krypi