Tentuan ta përdhunonin, 22 vjeçarja : Policia më pyeti se çfarë kisha veshur

510

Një studente shqiptaro-italiane ka rrëfyer në një intervistë për Report TV tentativën e një të riu për ta përdhunuar. Dy ditë më parë një 36-vjeçar u vu në pranga në Elbasan me akuzën e tentativës për përdhunim të një 22 vjeçareje. Bëhet fjalë për Rovena Zekaj, prej vitesh ka jetuar në Itali është rikthyer në Shqipëri, konkretisht në Elbasan nëpërmjet programit të shkëmbimit të studentëve “Erasmus”.

Ajo rrëfen se një natë kur po kthehej në shtëpi, tre persona në makinë “Golf” të bardhë e kanë ngacmuar fillimisht me fjalë të pista dhe e kanë kërcënuar. Nga frika, ajo memorizoi targën dhe e ka denoncuar në polici, por nuk pati asnjë reagim nga uniformat blu. Djemtë u rikthyen sërish më vonë, me një tjetër makinë dhe njëri prej tyre e ka ndalur dhe ka tentuar që ta përdhunojë. Sipas dëshmisë së Ronevës dhënë për gazetarin e Report Tv, Aldo Kozarja, ajo arriti të shpëtojë pasi në ato momente, për shkak të bërtiturave, u ndez një dritë.

“Unë dola nga shpija dhe shkova te dyqani i cigareve. Erdhën disa djem me një “golf” i bardhë dhe filluan të më kërcënojnë me fjalë të pista, mora targën e makinës dhe thirra policinë, por më pas ata ndërruan makinë. Kaluan disa orë dhe polica i ndali, nuk veproi. Kur po kthehesha në shpi, një nga djemtë kishte ikur nga makina, dhe unë për të mos u treguar se ku kisha shtëpinë, ndërrova rrugë. Sa kalova rrugën, mbrapa pemëve më kapi nga fyti dhe më rrëzoi përtokë, më hypi sipër dhe filloi të më prekte. Fati që kisha një ‘body’ dhe nuk mund të ma tërheqte. Ma shkyu, kur më zbërtheu pantallonat, u ndez një dritë, se po bërtisja fort dhe ai iku”, tregon e reja për Report Tv.

Ajo çka është më e rëndë, siç pohon vetë Rovena, është se policia e ka pyetur vajzën se si ishte veshur, çka tregon se për punonjësit e policisë që ishin në shërbim, ajo mund ti kishte provokuar të rinjtë që tentuan ta përdhunojnë. “Pyetja që më ka bërë policia ishte “si ishe veshur”. Është dramatike. Se shteti i mësojnë vajzave të mos përdhunohen dhe jo djemve që të mos përdhunojnë”, u shpreh ajo.

Rovena ka sqaruar se nuk është e vërtetë që ajo ka qenë duke darkuar me ta dhe që i kanë propozuar hotelin, teksa ka pasur edhe pakënaqësi për mosreagimin e Policisë Shqiptare, sipas së cili djali u arrestuar vetëm pasi njoftoi Ambasadën Italiane.

“Kam dëgjuar që thonë se kam qenë në darkë me to dhe më kanë propozuar hotelin. Jo nuk është e vërtetë. Nuk i njoh! Kam njoftuar ambasadën italiane dhe kjo ka ndihmuar në veprimin e policisë shqiptare. Faji nuk është i Shqipërisë, por i edukimit, se kjo gjë mund të më kishte ndodhur kudo. Por është faji i personave që nuk përdorin kokën”.

Burimi: Shqiptarja.com