“Si i bëra burrat në Senegal të mbajnë fëmijët e tyre në shpinë”

26

Fotografja Marta Moreiras dhe subjektet e portreteve të saj, baballarë që mbajnë fëmijët e tyre në shpinë, kanë tërhequr shumë vëmendjen e njerëzve në kryeqytetin e Senegalit, Dakar. “Kishte njerëz që duartrokisnin, e madje ndonjëherë ishte e vështirë të realizonim fotografitë sepse kishte shumë që na mblidheshin përreth”-thotë fotografja spanjolle për BBC.
Sipas saj, më entuziastet ishin padyshim gratë që e shihnin këtë si një fitore të madhe, një imazh që nuk e sheh përditë nëpër rrugët e vendit. Dhe në fakt kjo ishte arsyeja pse Moreiras e nisi këtë projekt, që është përzgjedhur edhe si kandidat për konkursin e këtij viti të kompanisë Sony për çmimet botërore të fotografisë profesionale.

Ideja i erdhi ndërsa shihte arkivën e fotografive të saj në Senegal që datonte që në 2008-ën. “Kuptova se kisha një ton me fotografi të nënave që mbajnë fëmijët në shpinë por asnjë burrë”. Kur ajo nisi ti telefononte disa prej miqve të saj senegalezë të cilët kishin fëmijëv, shumica i thanë se i mbanin fëmijët kur ishin në shtëpi, por kurrë jashtë.
“Ka një ndarje të madhe mes hapësirës publike dhe asaj private në Senegal dhe është shumë e rëndësishme se çfarë mendojnë të tjerët për ty”-shpjegon Moreiras. E megjithatë kërkimet dhe intervistat tregojnë se burrat luajnë një rol të rëndësishëm në kujdesin ndaj fëmijëve, edhe për faktin se Dakar është shumë i shtrenjtë dhe shpesh bashkëshortëve u duhet që të punojnë që të dy. “Është pikërisht kjo që i bën të ndajnë detyrat”-shton fotografja spanjolle.
Kur ajo i pyeti burrat nëse merrnin pjesë në edukimin e fëmijëve të tyre dhe ndihmonin në shtëpi, të gjithë thanë se ishin të detyruar ta bënin pasi gratë e tyre punonin gjithashtu. “Por sa herë sheh një fotografi të një foshnje, nuk sheh babain që luan me të, apo e përcjell fëmijën në shkollë, apo ta lajë”. Kështu ajo nisi të bindë të intervistuarit e saj që të pranojnë të fotografohen. “I thosha, nëse doni që ky rol të jetë më i dukshëm, duhet tju fotografoj bashkë me fëmijët”.

Por kur u kërkoi që ti mbanin fëmijët në shpinë, jashtë ambjenteve të shtëpisë, përgjigja masive që mori ishte vetëm një: Nuk duam ta bëjmë, nuk duam të dalim me fëmijë në shpinë jashtë” Por insistimi i Moreiras u shpërblye, sepse reagimi në rrugë ishte shumë pozitiv. Portretet që ajo fotografoi për një periudhë 3 mujore u ekspozuan majin e kaluar në “Dak’Art”, Bienalja e Artit Bashkohor Afrikan, ku gjithë Dakari shndërrohet në një galeri arti.
Dhe këto fotografi u shndërruan në subjekt debate, duke patur parasysh vendimin e fotografes për të shfaqur ekspozitën e saj në “les parcours sportifs”, një hapësirë e madhe në breg të detit e mbushur me paisje fitness që frekuentohet më shumë nga ata që duan të ekspozojnë trupin e tyre të bukur. “90 % e atyre që mblidhen këtu janë burra që tregojnë anën e tyre mashkullore”-thotë fotografja.
Një fotografi në veçanti pati impak të madh, pasi në të shfaqej reperi i famshëm Badou, i njohur për krenarinë e tij mashkullore. Për fotografen ishte shumë e rëndësishme që në këtë projekt të kishte dikë aq të famshëm që mund të shërbente si shembull për të tjerët dhe të nxiste debat që në fund njerëzit ta kuptonin se nuk ka asgjë të keqe. Megjithatë ajo e pranon se figura të tjera publike i thanë jo pasi ishin të shqetësuar për imazhin e tyre në publik. Gjithësesi për Moreiras, ky është një projekt që nuk mbaron kurrë.

BBC