Shkoi për të denoncuar përdhunimin, abuzohet nga Shefi i Policisë

35

Ende pa u vënë drejtësi mbi abuzimin dhe përdhunimin e një 15 vjeçareje, një tjetër skandal trondit opinionin publik. Bëhet fjalë për një ngjarje edhe më të rëndë pasi dhunuesi në këtë rast është një drejtues i policisë së shtetit.

Drejtoria e Hetimit e SHÇBA-së, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër njoftoi dje në mbrëmje arrestimin e shefit të Stacionit Policor Fushe Arrëz, i dyshuar për marrëdhënie seksuale me dhunë. Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 2015, kur një vajzë  (mosha e së cilës nuk konfirmuar) kishte shkuar në komisariat për të denoncuar përdhunimin nga disa persona, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër, por ka rënë sërish pre e abuzimit seksual.

“Bazuar ne provat e mbledhura, ka dyshime te forta se në muajin prill 2015, ajo është ngacmuar seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në DVP Shkodër. Shtetasja kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona ne 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës ne Shkodër”, thuhet në njoftimin e SHÇBA.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2015, ndërsa vjen pak ditë pas zbulimit të përdhunimit të 15-vjeçares në Babrru nga roja i shkollës ku mësonte. SHÇBA deklaroi se ka ndaluar shtetasin me inicialet I.D., me detyrë aktuale Shef i Postës se Policisë në Fushë Arrëz, ne DVP Shkodër, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.

Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për hetime të metejshme. Nderkohë autoritetet shtetërore dhe organizata jo fitimprurese kanë marrë në mbrojtje shtetasen duke e strehuar dhe duke u përkujdesur, në një Qendër Sociale.

Duke përfituar nga ky komunikim publik, SHÇBA i bën thirrje çdokujt që është dhunuar apo ndihet nën presion, të denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit apo Prokurorisë, si dhe pranë SHÇBA nëse evidentojnë shkelje të punonjësve të Policisë, në numrin 0800 90 90, duke garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.