Seksizmi ndaj Grida Dumës, kush do t’i kërkojë llogari Edi Ramës?

89

Kryeministri Edi Rama ka shpalosur me një akt skandaloz sjelljen e tij ndaj një gruaje, në këtë rast ndaj kandidates për deputete të PD, Grida Duma. I impostuar shpesh gjatë karrierës së tij për ta paraqitur veten si një përkrahës i tyre, duke zgjedhur në kabinetin qeveritar rreth 50 për qind gra, ai nuk ka mundur që statistikat e përfaqësimit t’i përkthejë në një qasje reale të respektimit të gjinisë femërore si të barabartë.

Në një dalje televizive ku gjuha e tij ishte bulliste nga fillimi në fund ai etiketoi çdo kandidat të opozitës, ndërsa për Grida Dumën kishte rezervuar një koment seksist që kapërcente çdo cak, çdo normë, çdo vlerë. Ai kishte zgjedhur një foto të saj ndërsa mbante një fjalim. Duma ishte kapur në momentin kur kishte gojën hapur, ndërkohë që mbante mikrofonin para. Një foto me një nënkuptim të dukshëm seksist e zgjedhur posaçërisht prej kryeministrit për t’i përshtatur komentin që bëri për; “Gridare, gridare, gridare ohoho” .

Në lojën e fjalëve mes emrit të saj dhe kuptimit të fjalëve në gjuhën italiane Rama tha: “Bërtit, bërtit ohoho!”. Nuk besoj se ka një njeri me logjikë të shëndoshë sot që nuk e kupton që ky koment ishte më shumë se seksist, ishte skandaloz, i papranueshëm, i dënueshëm, prej kujtdo, aq më tepër nga një kryeministëri, dhe publikisht dhe live në sytë e gjithë shqiptarëve.

Kur ai e bëri këtë koment ngjante me një rrugaç lagjeje që ngacmon vajzat në rrugë duke u bërë një kërcënim real për to. Një kryeministër që është djalë i një nëne, bashkëshort i një gruaje, baba i një vajze, nuk e mendoi për një moment që gruaja të cilën ai po etiketonte me komente seksiste është vajza e një babai, grua dhe nëna e një djali.
Nëse do të jetonim në një vend normal kjo gjë do të provokonte protesta të shoqërisë civile me në krye shoqatat e mbrojtjes të së drejtave të vajzave e grave. Por fatkeqësisht nuk mund të presim një reagim të vërtetë, nga tredhja e shoqërisë civile dhe drejtimi i këtyre organizatave nga gra, të cilat janë mësuar të venerojnë në oborrin e Ramës.

Sot do të duhej të reagonte çdo femër që ka një zë publik. Kjo që ndodhi sot kapërcen politikën dhe ndarjet partiake. Sot na u shfaq para syve një kryeministër që nuk njeh kufinj në sjelljen publike, që ndryshe predikon dhe ndryshe sillet. Një kryeministër që preferon përqafimet patetike të grave që na rikthejnë në kujtesë figurat e diktatorëve (kujtojmë këtu takimin e 8 marsit 2019 me gratë socialiste të Fierit).

Ky politikan që mendon se ka në dorë fatin e grave në politikë duke i promovuar si vlera dhe duke i zhdukur me një të rënë lapsi nga skena, siç bëri së fundmi me disa gra të nderuara në partinë e tij, si Vasilika Hysi e Eglantina Gjermeni. Apo siç bëri me ministret e tij që i intimidonte në publik duke i bërë të qajnë.

Kjo që bëri Rama sot nuk ishte sulm politik ndaj kundërshtarit dhe as një rast “sui generis” kur ai sulmon një grua. Kjo është sjellja e tij e natyrshme ndaj grave. Apo harruam kur ka intimiduar gazetaret në studio, duke e krahasuar Eni Vasilin me të dashurën e bosit të drogës Eskobar, apo kur i intimidon vajzat gazetare në konferencat për shtyp. Kur ishte kryetar bashkie ai i tha një gazetareje “prostitutë mediatike”.

Po të mos harrojmë se ai këtë sjellje fyese e ka kudo, edhe në takime me elektoratin. Jo më larg se para disa ditësh gjatë përurimit të një shtëpie të rindërtuar nga tërmeti ai i tha zonjës së shtëpisë se “demin e sollëm për lopën, jo për ty”. Apo gjatë fushatës së 2017-ës kur i drejtohej elektoratit të djathtë se nuk kishte punë me burrat, por me gratë e tyre.

Pra, për të kjo është ai çfarë ai është dhe jo një gafë e momentit dhe ky është problemi që ne ende si shoqëri vijojmë të pranojmë këtë model skandaloz politikani. Në botën e qytetëruar kjo sjellje nuk do të kalonte lehtë. Ish-presidenti amerikan Donald Trump u detyrua të kërkojë falje kur disa komente të tij për gratë të thënë në konfidencialitet u bënë publike. “Unë kërkoj falje nëse dikush është ofenduar”- tha ai pasi bisedat ku ai bëntë komente fyese për gratë u bënë publike. Ka adhur koha t’i themi “boll më” një kryeministri të tillë seksist!

Kush do t’i kërkojë sot llogari Edi Ramës për aktin skandaloz të tij?!

Do t’ia kërkojë këtë Komisioni për Mbrojtjen nga Diskrimini, do t’ia kërkojnë organizatat e mbrojtjes të të drejtave të vajzave e grave në vend, do t’ia kërkojnë të gjithë ato gra e vajza që kanë vendosur emrin e tyre në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së?! Do të mjaftonte vetëm kjo sjellje e sotme, jo vetëm që Rama të mos merrte më vota e besim, po të lihej shumë gjatë në harresën e publikut dhe shqiptarëve.

Blerina Gjoka/mapo.al