“Roja përdhunonte 13-vjeçaren, dëgjonim të bërtiturat”, sërish dëshmi tronditëse nga jetimorja e Shkodrës

121

Vijojnë të bëhen publike dëshmi të tjera tronditëse mbi dhunën seksuale të ushtruar në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Ndoi Rripa i cili ka jetuar në këtë institucion në vitet 2004-2013 ka rrëfyer sot një tjetër krim seksual. Duke folur për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, Rripa tha se roja i natës përdhunonte vazhdimisht një vajzë 13 vjeçare, jetime që jetonte në Shtëpinë e Fëmijës. Ndoi dha dëshminë tronditëse sesi të gjithë fëmijët natën dëgjonin një vajzë që ulëriste, pasi roja e përdhunonte në dhomën e tij.

“Jam dhunuar nga roja i natës, më rrihte të pastroja banjën dhe korridoret ku flinin çunat. Jo nuk ishte roja qe tregoi Adriana, ishte roja qe hynte brenda godines. Kam qenë 10, 11 vjeç. Jam dhunuar sistematikisht me hekura, me thupra, me shkopinj nga kujdestaret si femra dhe meshkuj. Kan qene 7 kujdestare qe vinin mbasdite nga ora 2 deri ne 6 per studimin por nuk e benim kurre se mblidheshin dhe pinin kafe. Personi qe me detyronte te pastroja banjot kishte marrdhenie seksuale me nje vajzë 13 vjeçe. E kanë parë shumë veta. Roja ka patur nje dhomë dhe aty e merrte atë vajzen. Natën dëgjonim të bërtitura”-tregoi 23 vjeçari i cili sot jeton në Itali.

I pyetur se çfarë ndodhi me rojen pasi drejtuesit dhe stafi i institucionit e morën vesh atë që kishte ndodhur, Rripa tha se ai thjesht u largua nga puna, por se askush nuk u kujdes për të miturën apo ta hetonte ngjarjen. Sipas tij, e mitura ishte e frikësuar për ngjarjen dhe nuk e pohoi kurrë dhunën seksuale, aq më pak të fliste me fëmijët e tjerë për të.

“Kur e mori vesh drejtori rojen e larguan nga puna. Kur e pyesnim ne, ajo (vajza) e mohonte se gjithë femijet e kishin frikë rojen. I gjithë stafi i Shtëpisë së Fëmijës e dinte që roja përdhunonte”, tregoi Ndoi. Rripa, i cili ka jetuar aty nga viti 2004 deri në 2013 konfirmoi deklaratat e mëparshme të Adriana Berishës, vajzës e cila pati tregoi për dhunën seksuale që kishte përjetuar në të njëjtin isntitucion, të shtunën në emisionin “Dua të të bëj të lumtur”.

“I qëndroj pro deklaratave të tyre. Kam qenë një person që jam dhunuar fizikisht nga roja i natës. Ai më detyronte të pastroja banjat. Nuk është ai që ka folur Adriana. Ai që më ka dhunuar mua ka qenë roja brenda institucionit, që flinte aty për të na ruajtur ne. Kur e kundërshtoja që të mos pastroja, ai më godiste. Ne si fëmijë e kemi bërë punën e tyre. Kam qenë 10-11 vjeç. Dhuna nuk ka qenë vetëm për një periudhë moshe, por gjithmonë. Jam goditur shumë herë me hekura, shkopinj si nga kujdestaret femra ashtu edhe meshkuj. Kur vinte drejtori, ato silleshin shumë mirë me ne”, tha Rripa për emisionin “Shqipëria Live”.

Pas historisë rrënqethëse të Adrianës, Ndoi Rripa është i treti që rrëfen për dhunën dhe krimet seksuale ndaj të miturave në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Një ditë më parë ishte Ervis Zefi, një tjetër i ri që gjithashtu ka jetuar në këtë institucion që tregoi për “Shqipëria Live” për dhunën e përjetuar nga stafi i Shtëpisë së Fëmijës. Madje ai ka shtuar se psikologia që ka shokuar publikun, Antonjeta Pero, me deklaratat e saj që hedhin poshtë rrëfimin e 27-vjeçares, nuk ka qenë e pranishme në Shtëpinë e Fëmijës.

“E njoh Antonjetën, por jo personalisht. Ajo na thoshte se nuk merrem me kopilat e fëmijës së shtëpisë. Një psikologe nuk mund të dalë e të flasë ashtu. Ajo nuk ka qenë asnjëherë e pranishme dhe nuk na ka folur për dhunën apo për përdhunimin”, tregoi i riu. “Që në 2003 e deri në 2007-n kam qenë me të. Unë i di të gjitha gjërat që kanë ndodhur aty. Nuk heq as pikë e as presje nga historia e Adrianës. Në vitin 2003 kushtet nuk kanë qenë aspak të mira dhe ka patur dhunë nga personeli. 5 persona mund të kenë qenë të mirë, shumica e personelit dhunonte psikologjikisht dhe fizikisht. Na rrihnin, na linin me një këmbë”, tregoi i riu që jeton në Itali.

Ervisi vetëm ka “korrigjuar” Adrianën, kur ka thënë se e ka ngacmuar seksualisht mësuesi i fesë islame. I riu u shpreh se bëhej fjalë për një mësues i cili ishte praktikant i fesë islame.