I frikshëm raporti i CRCA: 23% e abuzuesve seksualë janë punonjës administrate

37

Ndërsa pritet miratimi i një regjistri publik i atyre që kryejnë krime seksuale, një shifër e frikshme duhet të alarmojë edhe më shumë shoqërinë shqiptare. 23% e abuzuesve seksuale në vendin tonë janë punonjës të institucioneve shtetërore. Është ky rezultati i raporti të hartuar nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA Shqipëri) në bashkëpunim me Barnahus Shqipëria, të cilët kanë studiuar në detaje 36 rastet të dhunës dhe shfrytëzimit seksual përgjatë viteve 2019-2020.

Bazuar në një raport të CRCA Albania vitet e fundit janë shtuar abuzimet seksuale të të miturve dhe këmbanë alarmi është fakti se 23% e abuzuesve punojnë në administratë. Ndërsa 32% e tyre janë të rinj të moshave 14-24 vjeç.

“Çfarë përbën një surprizë është fakti se 23% e dhunuesve seksual të fëmijëve janë persona që paguhen nga taksat tona. Unë mendoj që kjo është shumë e rëndë ta dëgjosh ta thuash, por tregon faktin se sa i papërgatitur është shteti shqiptar për të ofruar stafe profesioniste për të përcaktuar standardet që respektojnë fëmijët”- ka deklaruar Altin Hazizaj, drejtor ekzekutiv i CRCA në një intervistë për Report TV.

Raporti vë në dukje se vajzat janë shumë herë më të ekspozuara sesa djemtë në aktet e dhunës seksuale. Altin Hazizaj e sheh alarmante gjetjen e raporti se 32% e abuzuesve seksuale i përkasin moshave 14-24 vjeç teksa thotë se mungon edukimi i këtij brezi.