Parlamenti në Greqi zgjodhi Katerina Sakellaropoulou presidente të vendit. Juristja pa parti mori shumicën e nevojshme të votave duke u zgjedhur kështu si gruaja e parë presidente në krye të shtetit helen. Katerina Sakellaropolu ka lindur më 30 maj 1956. Ajo u votua nga parlamenti grek si presidentja e tetë e republikës së tretë helene dhe e 13 në total.
Ajo do të zërë tani vendin e Prokopis Pavlopulos, mandati pesë vjeçar i të cilit përfundon në mars. Edhe pse presidenti është shefi i shtetit grek dhe komandant i forcave të armatosura, posti është kryesisht ceremonial. Presidentët grekë konfirmojnë qeveritë dhe ligjet dhe teknikisht kanë fuqinë të shpallin luftë, por vetëm në bashkëveprim me qeverinë.
E mbështetur nga majtistët e Syrizës dhe Partitë Socialiste, Sakellaropolu mundi të sigurojë një nga rezultatet më të mira të votimit në historinë e parlamentit grek. Ajo ka thyer kështu traditat jo vetëm sepse është femër, por edhe pse nuk është anëtare e asnjë partie politike.
Top Channel