Paligjshmëria dhe tradita u mohojnë grave shqiptare të drejtën e pronës

61
Një vajzë mban pankartën “Barazia gjinore fillon brenda dyerve të shtëpisë” në manifestimin e 8-Marsit. 8 mars 2017. Foto: Loreta Cuka via BIRN.

Zbatimi i dobët i ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe tradita patriarkale që favorizon djemtë në trashëgiminë e pronave familjare ka krijuar një hendek të thellë gjinor midis përqindjes së burrave dhe grave që gëzojnë pasuri private në Shqipëri.

Dy vjet më parë, Shpresa* i dha fund martesës 34 vjeçare për shkak të dhunës së vazhdueshme të bashkëshortit. Por mëngjesin e 15 korrikut 2017, ish-burri i zuri pritë teksa po shkonte në punë dhe tentoi ta vriste, duke e goditur mbi 40 herë me levë në kokë dhe në të gjithë trupin. “I kam dhe sot shenjat nëpër trup e këmbët e deformume,” thotë nëna e dy djemve duke treguar gjymtyrët, ndërsa shton se i shoqi tentoi ‘me e myt.” “Kam 32 pena në kokë, ja si i kam gishtat unë, shiko si i kam gishtat unë,” tregoi ajo.

Edhe pse ish-bashkëshorti tashmë ndodhet pas hekurave, telashet nuk kanë të sosur për gruan nga Fushë Kruja, e cila tashmë po përballet me një padi civile nga kunati dhe vjehrra për pronësinë e shtëpisë dhe tokës ku banon. “Para dy ditësh kam qenë në gjykatë me ato, dhe [vjehrra] më thotë mua ‘lere banesën tani ti ik, nuk e gëzon ti shtëpinë e djalit tim”, tregon Shpresa, duke rikujtuar seancën e fundit të mbajtur në qershor.  “Ta dëgjosh në gjykatë se ça thotë, thua o zot ça janë këto njerëz,” shtoi ajo.

Ngjashëm me Shpresën, shumë gra dhe vajza shqiptare jo vetëm përballen me fenomenin shqetësues të dhunës në familje, por hasin gjithashtu vështirësi për të gëzuar të drejtat e tyre mbi pronën familjare. Edhe pse ligjet në Shqipëri e garantojnë të drejtën e pronës për gratë dhe vajzat, sipas ekspertëve ato nuk zbatohen gjithmonë, ndërkohë që së bashku me traditën që u njeh djemve përparësi në trashëgiminë e pronës familjare, një hendek i thellë është krijuar midis burrave dhe grave që gëzojnë të drejta pronësie.

Ky hendek, sipas aktivistëve për barazi gjinore i bën gratë shqiptare të varura ekonomikisht nga bashkëshorti, duke e vështirësuar ndarjen nga një martese e palumtur ose të dhunshme për të filluar një jetë të re.

Hendeku gjinor i pronës

Megjithë progresin e bërë gjatë dekadave të fundit, Organizata e Kombeve të Bashkuara e rendit Shqipërinë si vendin ku gratë dhe vajzat përballen me pabarazi, hendek në paga, dhunë gjinore, diskriminim dhe stereotipe në tregun e punës. Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se kjo pabarazi është e theksuar edhe për sa i përket të drejtave të pronës. Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, të cilat bazohen në digjitalizimin e 43.6 % të të dhënave të kartelës së pasurisë në pronësi publike dhe private në Shqipëri, pronësia mbi pasuritë private të paluajtshme të regjistruara është në raportin 19.1% në emër të grave dhe 80.9% në emër të burrave.

“Pronësia mbi pasuritë e paluajtshme private të llojeve truall, tokë bujqësore, pyll dhe kullotë është në raportin 18.5% në emër të grave dhe 81.5% në emër të burrave,” tha ASHK në një përgjigje me shkrim. “Pronësia mbi pasuritë e paluajtshme private të regjistruara të llojit banesë është në raportin 18.7% në emër të grave dhe 81.3% në emër të burrave,” shtoi Agjencia.

Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Aurela Anastasi i tha BIRN se  dispozitat e Kodit Civil për trashëgiminë parashikojnë të drejta të barabarta si për burrat, ashtu edhe për gratë në Shqipëri, por në praktikë, ka dy pengesa të mëdha që e kufizojnë barazinë e gruas me burrin në gëzimin e së drejtës për të trashëguar. “Së pari, ky kufizim lidhet me faktin që kemi mjaft raste kur prona e paluajtshme është regjistruar vetëm në emër të bashkëshortit ose të kryefamiljarit,” tha ajo.

Anastasi shpjegoi se në këto raste, kur çelet trashëgimia ligjore, pasuria e prezumuar e bashkëshortes nuk llogaritet në ndarjen e pronës me trashëgim dhe kjo e pengon atë të gëzojë pjesën e saj të pasurisë, e cila përfundon e ndarë në pjesë edhe në trashëgimtarët e tjerë. “Së dyti, mentaliteti shoqëror ende kërkon që prona të trashëgohet në vijë mashkullore, për rrjedhojë, në shumicën e rasteve motrat apo vajzat e familjes heqin dorë nga pjesa që trashëgojnë për t’ua kaluar pjesën e tyre meshkujve të familjes,” shtoi ajo.

Arta Mandro, juriste dhe autore në shkollën e Magjistraturës e studimit “Të drejtat pronësore të grave në Shqipëri,” shprehet gjithashtu se hendeku gjinor në regjistrimin e pronës vjen si pasojë e disa faktorëve, ku më të rëndësishmit në mes tyre janë zbatimi i dobët i ligjit dhe mentaliteti i shoqërisë. “Është çështje e zbatimit të ligjit, çështje e para njëherë, aktet nënligjore është shumë e rëndësishme që të jenë të qarta, gjithë rregulloret duhet të jenë të qarta, punonjësit duhet të jenë të trajnuar dhe unë them që të trajnuarit nga perspektiva “gjinore” është kaq e rëndësishme,” tha ajo.

Mandro sqaron se nuk janë të pakta rastet kur gratë nuk i njohin të drejtat e tyre pronësore, ose nuk i “pranojnë” ato për shkak të mentalitetit, traditës apo normave zakonore e kulturore me të cilat rriten. “Ka më shumë mungesë ndërgjegjësimi, janë më shumë vulnerabël, janë ndonjëherë të ndikuara nga stereotipet, që do të thotë se ato vetë brenda familjes së tyre mendojnë që burri ka bërë më shumë, djalit i takon më shumë, trashëgimia duhet të shkojë në atë mënyrë,” shtoi Mandro.

Enkeleda Olldashi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, shprehet se mungesa e ndërgjegjësimit mes grave dhe vajzave përsa i përket të drejtave pronësore ka ardhur dhe për shkak të mohimit të së drejtës së pronës private gjatë regjimit komunist në tërësi. “Duke ardhur nga një shoqëri e mospasjes së pronës private, do të thotë e moslënies asgjë në trashëgimi. Diskutimi nëse do të ndahej në mënyrë të barabartë mes fëmijëve pa ndryshime dhe pa qasje gjinore, nuk ka qenë problematike se nuk kishte çfarë të lihej,” tha ajo.

Sipas Olldashit, gjatë regjimit komunist koncepti ishte që vajza martohej dhe në momentin që martohej hynte në një familje të re dhe automatikisht dhe të drejtat trashëgimore duhej t’i gëzonte nga familja e re, duke pasur një shkëputje totale nga koncepti i familjes së origjinës. “Fakti [është] që vajzat e martuara kur shkëputeshin nga familja e origjinës në kuptimin e gjendjes familjare, automatikisht shkëputeshin nga të drejtat trashëgimore,” tha ajo. “Kjo nuk është aq e lehtë që të ndryshojë brenda ditës, sepse gjëja që ndryshon më ngadalë në një shoqëri është mentaliteti,” shtoi Olldashi.

Sociologu Zyhdi Dervishi nënvizon se gratë që kërkojnë të afirmojnë të drejtat e tyre të pronësisë, shpesh shihen me paragjykim nga shoqëria shqiptare. “Gratë që kërkojnë të jenë bashkëpronare, formulojnë dokumentet me dy firma me dy emra, duken pak si të bezdisshme, si cingune, pak si grindavece,” tha Dervishi. “Ky opinion i bën të tërhiqen gratë, nuk janë këmbëngulëse që çdo pronë që është siguruar, që është blerë, që është realizuar pas martesës, të figurojë me dy emra, të bashkëshortit dhe bashkëshortes, jo të ndarë por me dy emra,” shtoi ai.

Vajzat nuk trashëgojnë pronë

Në mesin e viteve ’90, familja e Entelës, e përbërë nga prindërit, motra dhe dy vëllezërit u zhvendos nga Tropoja në Durrës dhe në vitin 2000, përfundimisht në Tiranë. Në periferi të kryeqytetit ata kanë ndërtuar dy banesa – njëra prej tyre dy katëshe, në një sipërfaqe prej dy dynymë tokë. Prej gati 20 vitesh i ati punon në bujqësi si emigrant sezonal në Greqi. E ëma ka qenë kryesisht shtëpiake deri në moshën qe fëmijët u rritën dhe nuk kishin nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Pastaj ajo ka punuar në të zezë për një periudhë të gjatë kohe, ndërsa tani është e siguruar, por nuk i ka bërë vitet e pensionit dhe po ruan mënjanë të paktën që kur të dalë në pension, të marrë diçka të vogël mbrapsht.

Ashtu si shumë vajza shqiptare, Entela ka filluar të kontribuojë me punën e saj në familje në moshë të re. “Mbaj mend që mami i lante rrobat me dorë dhe mbaj mend që njëherë kam futur duart tek pjesa e ujit të nxehtë,” kujtoi ajo. “Kjo ka vazhduar dhe vazhdon ende – sigurisht që jap kontributin në pjesën e papaguar në familje, por të ardhura kam sjellë që në moshën 16 vjeç në familje,” shtoi Entela.

Puna e saj e parë ka qenë si operatore për kompaninë celulare ‘Eagle Mobile’ dhe ka vazhduar deri në moshën 19 vjeç. Pasi ka kryer studimet ‘bachelor,’ Entela ka punuar punë të ndryshme në ‘call center’, pjatalarëse dhe shitëse në një qendër tregtare. Së fundmi, pas përfundimit të studimeve ‘master’ ajo po bën një internship të paguar. “Dua të theksoj, për shkak se shpeshherë nuk perceptohet fakti që unë deri punën e fundit që ka qenë para 9 muajsh e kam dorëzuar rrogën e plotë në familje duke mos marrë asnjë lloj leku,” tha ajo. “Ia dorëzoja mamit, normalisht kishim akses e gjithë familja, por unë nuk mbaja një kuotë të caktuar ose ta ndaja përgjysmë,” shtoi Entela.

Megjithatë, kontributin financiar të dhënë në familje, Entela dhe e motra e saj e martuar nuk presin t’a trashëgojnë nga pasuria familjare, edhe pse ndarja e pronave nuk është diskutuar në familje. “Mendoj që si në vetëdijen e babait, si në të mamit ishte e pranuar që s’ka trashëgimi për vajzat, por që iu takojnë të dy djemve,” tha Entela. “Besoj që isha e vetëdijshme, duhet të kem qenë në moshë shumë të re, sepse babai shpesh më thoshte që “vajzat janë për të shkuar tek burri”, ndërsa djemtë pastaj janë trashëguesit e pronës, sepse ata janë pasardhësit e tij dhe ata do e mbajnë kur të plaket,” shtoi ajo.

Sipas sociologut Zyhdi Dervishi, shoqëria shqiptare ka një traditë të orientimit mashkullor dhe pronat e paluajtshme si rregull, trashëgoheshin në linjën mashkullore. “Në shumicën dërrmuese të rasteve, vajzat pasi martoheshin nuk trashëgonin prona të paluajtshme, të cilat në shoqërinë tradicionale ishin toka, ullishte, pyje, sepse nuk ka pasur fabrika e uzina, shumë pak dyqane – pra, ishte shoqëri rurale,” tha ai.

Dervishi nënvizon se sipas traditës, vajzës i bëhej prikë – një pajë e madhe, e cila kishte shumë elementë të veshjes, të orendive shtëpiake dhe numri i këtyre përcaktonte dhe fuqinë ekonomike të familjes, përgjegjësinë e familjes për të siguruar një mirëqenie të vajzës pas martesës. “Dhe një vajzë që merrte një pajë të tillë, shkëpuste lidhjet financiare me vëllezërit, me shtëpinë e babait,” tha ai. “Madje kishte raste që vajzës që martohej – duket pak cinike por ka një lloj logjike brenda një shoqërie të varfër, i jepeshin me vete dhe rrobat e mortit,” përfundoi Dervishi.

Entela thotë se çështjen e trashëgimit të pronës nuk e ka diskutuar kurrë me prindërit, duke nënvizuar se i ati dhe e ëma kanë qenë  figura autoritare në jetën e saj. “Imazhi i tij ka qenë i frikshëm dhe komunikimi nuk besoj se ka qenë në nivele që unë mund të kërkoj diçka, për të cilën ai më ka thënë rreptësisht se nuk më takon,” tha ajo. “Deri vonë ka qenë e pranuar se për mua rregullat tipike ishin deri në nënvetëdije dhe në vetëdije, se unë isha vajza e dikujt, pastaj do të jem gruaja e dikujt dhe jam diçka që do pasohem dhe jo një njeri konkret që ka të drejtat e veta,” shtoi ajo.

Motra e saj, Ermelinda shprehet se i ati arsyeton në bazë të kanunit dhe shprehet se vajzave nuk i takon pronë. “Para shumë kohësh, kemi diskutu, domethënë që [e kam pyetur] a “kam ndonjë copë këtu”, dhe babi më ka thënë që “e ke te burri, këtu nuk ke asnjë gjë sepse nuk të takon”, “ kujton ajo. “Ne gocat domethënë lindim në shtëpi të huaj, shkojmë në shtëpinë tonë, kështu që këtu ne – të shtëpia që jemi tek prindërit, nuk na takon asgjë sepse ne jemi në shtëpi të huaj,” shpjegoi ajo.

Noterja Elona Saliaj thotë se ky lloj mentaliteti është shumë i përhapur mes familjeve shqiptare, të cilat rregullisht i përjashtojnë vajzat e martuara nga trashëgimia. “Më së shumti, të gjithë që vijnë qoftë dhe për të lënë testamentin, duan që ta fokusojnë testamentin e tyre totalisht në emrin e djalit dhe vetëm të meshkujve të familjes,” tha ajo. “Në Shqipëri vazhdon koncepti nëse je i martuar, ke marrë pronë bashkëshortin dhe do të përfitosh atje, po nuk mund të përfitosh nga origjina e familjes së babait,” shtoi ajo.

Sipas organizatave për të drejtat e grave, mohimi i të drejtës së pronës është një nga problematikat e shumta me të cilat përballen gratë e dhunuara në Shqipëri. “Shumica e grave kthehen tek familja e origjinës pas divorcit, pasi nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë jetesën më vete,” shprehet Soela Kurti nga organizata “Forumi i Gruas Elbasan”.

“Gratë që vijnë nga familje në gjendje të vështirë ekonomike, kanë një nivel të ulët arsimor dhe janë të papuna si rrjedhojë e vuajnë më së shumti dhunën në familje, e cila shfaqet dhe në formën e dhunës ekonomike,” shtoi ajo. Entela thotë se marrëdhënia e vështirë e së motrës me bashkëshortin, i ka bërë të dyja të kuptojnë rëndësinë e të pasurit pronë.

“Besoj se në fillimet e saj, ashtu siç isha dhe unë, nuk e ka pasur ndoshta shumë të formësuar idenë që i është bërë një padrejtësi, por mendoj që nga çfarë ka pasur problematika në marrëdhënie me bashkëshortin… besoj që e ka ndihmuar shumë në të kuptuarin e rëndësisë së pasjes së një prone dhe njëlloj pasurie të patundshme që nuk do e linte në mes të katër rrugëve,” tha ajo. “Mungesa e një prone dhe mungesa e mbështetjes së familjes e ka mbajtur në marrëdhënie dhune,” shtoi Entela. Sipas Soela Kurtit, edhe pse sipas ligjit gratë të cilat divorcohen përfitojnë gjysmën e pronës familjare, ky proces zgjat me vite dhe kërkon shpenzime të larta gjyqësore, që një pjesë e tyre nuk i përballojnë dot.

Shpresa, gruaja nga Fushë Kruja që i mbijetoi sulmit me levë të bashkëshortit nënvizon se përveç kostove financiare, gjyqet e pronave mbartin dhe kosto të lartë emocionale. “Kam 2 vjet që luftoj me këta, janë bërë mbi 50 seanca gjyqësore,” tregon ajo për betejën ligjore me familjarët e ish-bashkëshortit për pronësinë e shtëpisë dhe tokës. “Ja, vetëm këtë muaj kam 3 seanca…shpenzime, mirë lekun po çfarë kalo truni im, çfarë stresi, nuk flej gjumë, as ditë as natë,” shtoi ajo.

Aktualisht Shpresa ndjek paralelisht 3 procese gjyqësore. I pari është gjyqi penal i ish–bashkëshortit të saj, një çështje që po gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda me objekt “tentativë vrasjeje” dhe “dhunë në familje”. Ndërkohë, prej 2 vitesh ajo rinovon vazhdimisht edhe urdhrat e mbrojtjes kundrejt ish – kunetërve dhe ish – vjehrrit të saj, të cilët jetojnë shumë pranë saj.

Edhe pse bashkëshorti tashmë pritet të vuajë një dënim të gjatë me burg për dhunën e ushtruar ndaj saj, Shpresa vazhdon të ndjehet e kërcënuar nga familjarët e tij, të cilët nuk duan që ajo dhe fëmijët të gëzojnë shtëpinë dhe tokën e tyre. “Ti nuk e gëzon këtë vend, ne do të vrasim, ik – më kërcënuan në prezencë të policisë, në prezencë të gjykatës, në prezencë të të gjithëve,” tha ajo.  “Më rrezikohet jeta me gjithë fëmijët … kunetërit u thoshin fëmijëve që “ne do ua bëjmë juve më keq se asaj,” përfundoi ajo.

Fjori Sinoruka BIRN