Një statujë për futbollisten shqiptare në Suedi, Kosovare Asllani

15

Futbolli ka qënë gjithnjë i konsideruar një sport për burrat, qoftë brenda apo jashtë fushës së gjelbërt. Aq më tepër në vende të vogla dhe jo të zhvilluara si Shqipëria e Kosova, ku përfshirja e vajzave në këto sporte, ka qënë edhe më e vështirë. Por së fundmi vajzat dhe gratë shqiptare kanë arritur të tregojnë se janë të afta në të gjitha fushat e mund të arrijnë madje majat edhe në një “fushë” si futbolli. Shembulli më i mirë dhe më i fundit është Kosovare Asllani, futbollistja nga Kosova që luan në Suedi për klubin Linköpings FC, është nderuar me një statujë në Suedi. Ajo është tashmë ndër vajzat e para futbolliste që nderohet me një statujë në këtë shtet.

“WOW. Jam jashtëzakonisht shumë krenare të jem ndër femrat e para futbolliste që nderohet me një statujë në Suedi”, ka shkruar futbollistja shqiptare në faqen e saj në Instagram. “Me iniciativë të ‘Football Forevher’, e nisur nga Coca-Cola dhe nga Federata Suedeze e Futbollit, ne dëshirojmë të theksojmë rëndësinë e dukshmërisë në rritje për lojtare femra”, ka shkruar më tej Kosovarja. Bashkë mund të krijojmë barazi gjinore në futbollin suedez. Bashkë shkruajmë historinë”, shkruan Kosovare Asllani. Në një intervistë të mëparshme, Asllani është shprehur se në moshën 6 vjeçare një i afërm i kishte thënë se futbolli nuk ishte për vajzat. Ishte pikërisht ky qëndrim por edhe të tjera deklarata si kjo që e nxitën Kosovaren të punojë fort për tu bërë e suksesshme në futboll.

Veç Asllanit, statuja u janë ngritur edhe tri futbollisteve tjera, Caroline Seger, Hedvig Lindahl dhe Nilla Fischer. Këto statuja të cilat janë të lëvizshme do të shfaqen në një turne në mbarë Suedinë dhe më pas në shtete të tjera ku kombëtarja suedeze e futbollit do të zhvillojë ndeshjet në kuadër të kualifikuesve për Kampionatin Botëror. Në karrierën e saj, Kosovare Asllani ka luajtur për PSG-në dhe Manchester Cityn. Kosovare Asllani ka lindur në Kristianstad të Suedisë. Babanë e ka nga Mitrovica, kurse nënën nga Gjakova. Familja e saj ka migruar në fillim të viteve ’90.