Një film për një grua në Tiranën e trazuar, vajzat e kinemasë fitore në “karantinë”

73

Një bashkëpunim mes aktores Suela Bako dhe producentes së njohur Sabina Kodra, është finalizuar me vlerësim përtej kufinjve. Bëhet fjalë për filmin shqiptar “The Three of us”, duke fituar çmimin për projektin më të mirë në festivalin e filmit në Qipro. Lajmi i konfirmuar në këto ditë karantine globale, është publikuar nga dy protagonistet, referuar jurise, një film që do realizuar nga Suela Bako me produksion të Sabina Kodrës, Erafilm, një film që u kushtohet grave.

“Ne të treja” u shpall projekti më i mirë në festivalin Ditët e Filmit në Qipro, duke marrë vlerësimin maksimal të ndarë në dy çmime. Një çmim i kalon “Erafilm Production” nga kompania “Fullmoon Productions” e cila merr përsipër postproduksionin, si dhe nga Shoqata e Regjisorëve të Qipros i dha çmimin për projektin më të mirë regjisores Suela Bako. Skenariste dhe regjisore Suela Bako shprehet se për skenarin ka më shumë se dy vjet që punohet, ku dhe aplikimi për të qenë në këtë festival u bë para më shumë se dy muajsh.

Si autore e skenarit Bako tregon se si spunto fillestare për këtë skenar filmi artistik me metrazh të gjatë është marrë nga një film i shkurtër i saj më parë. “Ne aplikimin e kemi bërë dy muaj e gjysmë më parë, por ndodhi që aktiviteti ishte gjatë kësaj kohe të karantinës. Për skenarin “Ne të treja” ka dy vjet që punohet. Skenari si spunto fillestare është marrë shumë pak nga filmi im i shkurtër “My name is Sonila”. Janë marrë vetëm tre personazhet aty, vjerra, mamaja dhe vajza. Ngjarja tashmë ka marrë drejtim tjetër dhe ne jemi në përpunimin e skenarit”, shprehet mes të tjerave regjisorja Bako, për këtë projekt të parë të saj të filmit artistik me metrazh të gjatë.

Në Qipro “Ne të treja” u vlerësua projekti si produksion, si dhe koncepti regjisorial mbi këtë skenar nga Suela Bako. Por për këtë prezantim në Qipro, Bako shprehet se ka rëndësi për të si regjisore, por dhe produksionin. “Ka përfunduar drafti i parë i skenarit, i cili duket sikur po funksionon po tërheq vëmendjen e bashkëpunëtorëve. Është shumë herët, por kjo është një spunto dhe është e rëndësishme për mua, por dhe për Sabinën dhe produksionin. Ky është aktiviteti i parë ku projekti merr pjesë dhe që vlerësohet, ka marrë dy çmime, çmimin si projekti më i mirë dhe çmimin si regjisorja e projektit”, tregon skenaristja dhe regjisorja Suela Bako.

Vlerësimi për këtë projekt në Qipro ësshtë një mbështetje me shumë rëndësi, sepse filmi i kushtohet grave. Juria përbëhej nga Guillaume De Seille, Arizona Production (Francë) presidenti i jurisë dhe Martina Bleis, Connection Cottbus (Gjermani), Lamia Chraibi, La Prod (Marok). Juria ishte e bindur për përkushtimin e ekipit artistik, nxitjen e tyre për të rrëfyer historinë e një gruaje bashkëkohore me humor, dhe bazën e fortë për një prodhim të duhur evropian.

Ngjarja në ditët e sotme

Projekti i filmit me metrazh të gjatë me titull pune “Ne të treja” i vendos ngjarjet, në ditët e sotme. Skenariste dhe regjisore Suela Bako shprehet se në qendër është një grua, që duhet të përballet me probleme dhe jetën e saj do ta zgjidhë vetëm vetë. “Historia është kaq e lëvizshme në çdo segment dhe draft, që unë propozoj te skenari. Por ajo që nuk do të lëvizë është një film për një grua në kohën e sotme, në një qytet të trazuar në Tiranën e ditëve të sotme.

E ndodhur në mes të dy brezave, mes vjerrës dhe vajzës në një pamundësi absolute për të mbijetuar, sepse është e papunë dhe bashkëshortin e ka emigrant në Gjermani i duhet të përballet dhe për të gjetur një sasi parash, që i ka borxh diku dhe duhet ti kthejë brenda ditës. Një grua në Tiranën e sotme, në këtë kaos të tmerrshëm që do të përballet e vetme karshi një gjëje dhe në fund do të kuptojë që jetën e saj do ta zgjidhë vetëm vetë, nuk do ketë asnjë ndihmë nga asnjë person tjetër”, tregon Bako për ngjarjen në film.

Në punë e saj si regjisore Suela Bako vlerëson dhe bashkëpunimin me producenten Sabina Kodra. Regjisorja shprehet se para këitj projekti janë dhe filma të tjerë për të cilët ka bashkëpunuar me producenten e njohur. “Jam e kënaqur për produksionin dhe jam e kënaqur që këtë film e kam me producenten Sabina Kodra, me të cilën kam bashkëpunuar dhe më parë si me filmin “Mëngë këmishe” dhe “My name is Sonila””, pohon regjisorja Bako. Filmi “My name is Sonila” në shkurt të këtij viti u shfaq premierë europiane, në “Travelling Rennes Film Festival”.

Julia Vrapi/sot.com.al