“Nëna ime e përdhunuar nga burri i shtëpisë”, monologu i gazetares në Sanremo

1595

“Çfarë të brendshmes kishte veshur atë natë”. “Nëse gratë nuk duan të përdhunohen duhet të mos jenë të përdala”. Janë këto disa nga frazat me të cilat e nisi fjalimin e saj të jashtëzakonshëm mbrëmë në Festivalin e 70-të të Sanremos gazetarja dhe prezantuesja e njohur me origjinë palestineze Rula Jebreal.  Kjo e fundit citoi pikërisht disa nga frazat që u thuhen vajzave dhe grave që janë viktima të dhunës seksuale dhe përballën me të tilla fjalë edhe në sallat e gjyqeve.

Një gazetare inteligjente, e pavarur dhe një grua që kudo ka punuar ndër vite ka shkaktuar gjithnjë polemika për shkak se thotë hapur atë që mendon. Dhe dje në mbrëmje në Festivalin e Sanremos kapërceu gjithë pritshmëritë me një monolog prekës dhe të vërtetë deri në dhimbje ku rrëfeu për nënën e saj, të përdhunuar dhe gjymtuar nga një burrë që e njihte mjaft mirë. Fjalë të ashpra që përlotën gjithë sallën dhe publikun në shtëpi me forcën e jashtëzakonshme të mesazhit të Jebreal.

“Ne gratë nuk jemi kurrë të pafajshme”-vijoi gazetarja duke thënë se gjithmonë ato (gratë) gjykohen sepse kanë denoncuar ose shumë vonë ose se janë shumë të bukura, të shëmtuara, ose se e kanë kërkuar vetë dhunën. Pas këtyre fjalëve, tonaliteti I saj nisi të rritet ndërsa Rula vazhdoi e emocionuar duke treguar për fëmijërinë e saj dhe dhimbjen e përjetuar. “Jam rritur në një jetimore me vajza të tjera, dhe çdo mbrëmje tregonim nga një histori të trishtë. Flisnim për nënat tona, shpesh të përdhunuara, torturuara apo të vrara”.

Gazetarja vijoi duke treguar shifrat e dhunës brenda familjes dhe vrasjes së grave duke thënë se në 3 vitet e fundit, 3 milionë gra kanë përjetuar dhunë në Itali. “6 gra janë vrarë vetëm javën e kaluar dhe në 80 % të rasteve, vrasësi jetonte në një shtëpi me viktimën”. Më pas me lot në sy, Rula tregoi se kur ishte vetëm 5 vjeçe, nëna e saj Nadia u vetëvra duke i vënë flakën vetes. Por dhimbja e saj më e madhe ndodhi kur ishte adoleshente kur ndjehej keq për fizikun e saj, pasi kujtonte se e ëma ishte përdhunuar dy herë, kur ishte 13 vjeç dhe më pas nga vetë sistemi që nuk e lejonte të denonconte krimin. Burri që e përdhunonte për vite me radhë kishte çelësat e shtëpisë.

E ndërsa citonte vargjet e këngës “Sally” të Vasco Rossi, Rula vijoi me një lutje e thirrje njëkohësisht. “Duhet të bërtasim fort nga çdo skenë, edhe kur nuk është momenti I duhur. Unë u bëra kjo që jam sot falë nënës dhe vajzës time. Sot u flas burrave: Na lini të jemi ato që jemi, nëna, shtëpiake në karrierë. Bëhuni bashkëpunëtorët tanë dhe indinjohuni bashkë me ne. Po, sot vesha fustanin më të bukur. Nesër edhe mund të pyesni si isha veshur, mjafton që të mos pyesni më kurrë se si ishte veshur një grua, natën që u përdhunua. Nëna ime kishte frikë nga ajo pyetje, ashtu si shumë gra të tjera. Nuk duam të jemi viktima, aksesorë apo citime. Askush nuk mund të na heqë të drejtën që të flemë me një përrallë. Ne gratë duam të jemi muzikë”.

bitchmagazine