“Mos më thërrisni në emër”, Liljana fshihej prej kohësh nga bashkëshorti vrasës

796

Liljana Buzo prej kohësh fshihej në Tiranë nga bashkëshorti dhunues, por nuk ja doli dot të shpëtonte prej tij. 54 vjeçarja që u masakrua sot në Elbasan kishte kërkuar urdhër mbrojtje pranë Gjykatë së Elbasanit. Koço Buzo kishte ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj gruas, ndaj Liljana ishte larguar nga Elbasani ndërsa kishte nisur procedurat e divorcit me shpresën se do të ndahej përfundimisht prej tij.

Mediat raportojnë se gruaja fshihej prej shumë kohësh në Yzberisht, dhe punonte si sanitare në një lokal në këtë zonë të kryeqytetit. Nga frika e mos e gjente bashkëshorti me të cilin kishte nisur procedurat e divorcit, Buzo u kishte kërkuar njerëzve që e njihnin që mos ta thërrisnin asnjëherë në emër. “Mos më thërrisni në emër,”- mësohet se thoshte ajo, në mënyrë që Buzo të mos binte në gjurmët e saj.

54 vjeçarja u vra nga një breshëri plumbash automatiku, të shtëna nga dora e bashkëshortit të saj. Ngjarja ndodhi teksa Liljana Buzo dilte nga gjykata ku kërkoi urdhër mbrojtje për dhunën e ushtruar nga bashkëshorti.

Por duket se bashkëshorti i saj Koço Buzo, 58 vjeç e priste pranë gjykatës me një armë kallashnikov, ku ish efektivi i policisë nuk ka nguruar të qëllojë me breshëri, edhe pse gruaja shoqërohej nga djali i tyre 18 vjeçar.  Për pasojë Liljana mbeti e plagosur rëndë dhe gjeti vdekjen rrugës për në spital ndërsa u plagosën avokati i viktimës dhe një kalimtar i rastit.

Kanë qenë qytetarët në vendngjarje që kanë neutralizuar 58 vjeçarin duke i marrë armën. Më pas ndërhyrja e policisë bëri të mundur arrestimin e Koço Buzos. Çifti kishte 3 fëmijë, një vajzë 26 vjeçe, dhe dy djem, 20 dhe 18 vjeç.