Ligji i ri për Kadastrën, pasuria regjistrohet në emër të të dy bashkëshortëve

1361

Konfliktet për pronën janë një nga plagët më të mëdha sociale dhe ekonomike që kanë shkaktuar këto 29 vite tranzicion në Shqipëri ku rreth 80 % e pronave janë regjistruar me probleme. Rreth 2 muaj më parë, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame njoftoi hyrjen në fuqi të ligjit të ri për Kadastrën që sipas tij do ti japë zgjidhje këtij problem dhjetra vjeçar.

Përveç shumë elementëve të rëndësishëm sa i përket regjistrimit të pronës, ky ligj i ri sjell risi të rëndësishme për gratë në Shqipëri. Siç njoftoi një ditë më parë AWEN (Rrjeti i Fuqizimit të Gruas) ligji i ri nr. 111/2018 “Për Kadastrën” mundëson regjistrimin e pasurisë në emër të të dy bashkëshortëve, edhe në rastet kur ajo është fituar përpara hyrjes së tij në fuqi, duke zgjeruar mundësitë për regjistrimin e pasurive të paluajtshme (neni 45, pikat 2 dhe 3 të ligjit).

Ligji i mëparshëm “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” kishte parashikuar se, “…nëse pasuria…është e fituar gjatë martesës, në përputhje me nenin 76, të Kodit të Familjes, regjistrimi në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë bëhet në bashkëpronësi të të dy bashkëshortëve,…”. Ky sanksionim i vitit 2012 ishte një kurorëzim i suksesshëm i përpjekjeve të organizatave të shoqërisë civile për barazinë gjinore në të drejtat e pronësisë. Por ky sanksionim nuk siguronte regjistrimin në emër të të dy bashkëshortëve të pasurive martesore të fituara përpara vitit 2012, kur ligji kishte hyrë në fuqi.

Ligji i ri “Për Kadastrën”, përveç sa më sipër, sanksionon detyrimin e Drejtorisë Vendore të Kadastrës të korrigjojë ose të përditësojë të dhënat kadastrale për pasuritë e paluajtshme në bashkëpronësi të të dy bashkëshortëve, në çfarëdo kohe që të jenë fituar. Pra, jo vetëm kur janë fituar pas hyrjes në fuqi të tij pra, nga viti 2018, por edhe më parë. Kjo procedurë korrigjimi ose përditësimi zbatohet në të gjitha rastet që vijojnë: Për kontratat e kalimit të pronësisë (shitje, dhurim etj), për regjistrimin e pasurive që fitohen nga legalizimi gjatë martesës, si dhe për regjistrimin e kontratës së sipërmarrjes, porosisë e të premtimit për shitje, kur këto të fundit synojnë kalimin e pronësisë së objektit në ndërtim, në të ardhmen.

Dokumentet e nevojshme në bazë të ligjit – Për këtë bashkëshorti/ja që nuk është e regjistruar në çertifikatën e pronësisë duhet: të paraqesë një kërkesë me shkrim përpara zyrës përkatëse vendore të kadastrës, si dhe çertifikatën e gjendjes familjare në kohën kur është fituar pasuria. Ky proces nuk i nënshtrohet tatimit. Kërkuesi/kërkuesja paguajnë në Zyrën vendore të Kadastrës vetëm një tarifë të zakonshme regjistrimi. AWEN kujton gjithashtu se kushdo që ka nevojë për më shumë informacione mund ti drejtohet Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare Qnl Clci, organizatë anëtare e këtij rrjeti, në adresën e e-mailit [email protected]