Gratë shqiptare ende “shërbëtore”, OKB: Deri në 8 orë punë shtëpie në ditë, ndërsa burrat “bëjnë sehir”

121

Më në fund jemi të parët në Europë, por për orët e punës së papaguar që gratë shqiptare bëjnë, në një disnivel të madh me partnerët e tyre, burrat. Shqipëria renditet vendi i parë në Europë, sa i përket punës së papaguar që bëjnë gratë, referuar punëve brenda shtëpisë, si në terma absolutë, pra të orëve që shpenzojnë çdo ditë, ashtu edhe në raport me burrat. Këtë gjë e thotë një raport i fundit i publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për progresin e grave dhe vajzave në botë për 2019-2020.

Gratë në Shqipëri shpenzojnë nga 360 deri në pak më shumë se 500 minuta në ditë për të kryer punë shtëpie dhe për t`u kujdesur pë fëmijët, ose punë të papaguar thuhet në raportin e OKB. Më saktësisht, 360 minuta në ditë, ose 6 orë në ditë, harxhojnë gratë shqiptare pa fëmijë, dhe 500 minuta, ose plot 8 orë në ditë është mundi i grave shqiptare me fëmijë të vegjël. Kjo e vendos Shqipërinë në krye të listës mes vendeve europiane. Ndërsa në rang global, vendi ynë renditet pas Pakistanit, Kamboxhias, Egjiptit, Guatemalës dhe Malawit.

Por, rekordi nuk ndalet me kaq. Ndërkohë që gratë shqiptare janë ato që bëjnë më shumë punë shtëpie, burrat shqiptarë janë ata që bëjnë më pak, mesatarisht 50 minuta në ditë. Paradoksi te burrat është edhe më i madh për vetë faktin se, burrat pa fëmijë, rezultojnë se bëjnë më shumë punë shtëpie se ata me fëmijë. Ky rekord çon në një rekord të tretë; raportin burra-gra sa i përket punëve të shtëpisë. Ky raport, që është 6 me 1 në kurriz të grave sa i përket kohës së shpenzuar, bën që Shqipëria të ketë një rekord europian në këtë drejtim. Gjetjet e raportit më të fundit të OKB janë në linjë me ato të raportit të ILO-s një vit më parë, mbi të njëjtën çështje.