“Fitore historike” në Greqi, seksi pa pëlqim konsiderohet përdhunim

55

Qeveria e Greqisë iu dorëzua më në fund presionit të shoqërisë civile duke pranuar të rishikojë legjislacionin mbi përkufizimin e përdhunimit pas kritikave të paprecedentë nga grupet e të drejtave të njeriut. Ligji, pjesë e kodit penal të paraqitur në parlament nga administrata e Aleksis Cipras vetëm disa javë përpara zgjedhjeve u përball me shumë kritika nga organizatat në mbrojtje të të drejtave të grave të cilat argumentuan se përdhunuesit do të merrnin dënime të lehta.

Në një lëvizje të konsideruar historike nga aktivistët, ministri i drejtësisë Kalogirou vendosi të ndërhyjë të enjten. Në më pak se 24 orë pasi organizatat u mblodhën përpara parlamentit në shenjë proteste, Kalogirou amendoi projektligjin të njohur si Neni 336 duke e specifikuar qartësisht se marrëdhënia seksuale pa pëlqim (miratim) do të konsiderohet përdhunim dhe dënohet me ligj. Duke iu përgjigjur këtij ndryshimi të minutës së fundit, Eirini Gaitanou, aktiviste e Amenesty International në Greqi tha se kjo është një fitore historike jo vetëm për aktivistët të cilët luftojnë prej kohësh por për çdo grua në Greqi.

“Ky ligj i ri i amenduar më në fund njeh të vërtetën e thjeshtë që seksi pa aprovim është përdhunim dhe e bën të qartë që jo domosdoshmërisht duhet të ketë dhunë fizike që ky krim të konsiderohet përdhunim”. Sipas saj, Greqia është vetëm vendi i 9-të në Europë që njeh me ligj që marrëdhënia seksuale pa miratim është përdhunim. Sipas Konventës së Stambollit, të ratifikuar nga Greqia rreth një vit më parë, përdhunimi dhe të gjithë aktet e tjera të natyrës seksuale pa konsensus duhet të klasifikohen si krime.

Parashikimi i mëparshëm në ligj që viktima ka dhënë aprovimin sepse nuk ka bërë rezistencë fizike është tepër problematike sepse ekspertët kanë vërtetuar se shpesh “paraliza e pavullnetshme” apo “ngrirja” janë përgjigje psikologjie apo fizike ndaj sulmeve seksuale. Ky fokusim tek rezistenca dhe dhuna në vend të aprovimit ka një impakt të madh jo vetëm tek raportimi i përdhunimeve por dhe tek ndërgjegjësimi mbi dhunën seksuale në përgjithësi.