Finlanda barazon lejen e lindjes, 7 muaj për secilin prind

56

Shpeshherë mendojmë si do të ishte bota nëse gratë do të ishin më të fuqishme politikisht por Finlanda këtë ëndërr tashmë e bëri realitet. Pesë partitë e koalicionit qeverisës në Finlandë drejtohen nga gra, të cilat po kryejnë ndryshime shumë të rëndësishme. Një prej tyre lidhet me pagat gjatë lejes së lindjes të cilat do të jenë të barabarta për të dy prindërit e familjes.

Qeveria Finlandeze drejtohet nga kryeministrja 34 vjeçare Sanna Marin e cila njoftoi së fundmi edhe ligjin e ri. Sipas këtij ligji të dy prindërit do të marrin secili nga 7 muaj leje lindjeje, pra në total 14 muaj dhe shuma do të jetë e njëjtë për të dy. Gratë shtatzëna mund të marrin një muaj para fillimit të lejes së lindjes. Ky ligj do të hyjë në fuqi në vitin 2021 dhe është hartuar kryesisht për të eliminuar pabarazinë gjinore që u jepte grave vetëm 4 muaj leje lindjeje dhe burrave 2 muaj.

Për më tepër, njëri prind ka mundësinë që të transferojë 69 ditë nga kuota e vendosur tek prindi tjetër dhe kjo mund të kryhet vetëm njëherë. Sipas qeverisë, kjo rritje e periudhës së lejes do i kushtojë Finlandës rreth 110 milion dollarë. Megjithatë ligji për lejet e lindjes është më zemërgjerë në Suedi sepse ofrohen 240 ditë leje për prindërit.

Aino Kaisa Pekonen, ministre e Shëndetsisë dhe e Çështjeve Sociale u shpreh se qëllimi i kësaj reforme radikale është të përmirësojë barazinë gjinore në vend dhe të rrisë numrin e lindjeve pasi është shënuar një rënie drastike këto 9 vitet e fundit. Vitin e kaluar numri i bebeve të lindura ishte 45.597, shifra më e ulët që nga viti 1868 kur Finlanda u godit nga kriza e urisë.

Përktheu Emi Bibolli