E mbijetuara e trafikimit seksual krijon aplikacion për të shpëtuar viktimat

41

Historia e Lina Tompsonit është e frikshme. Ajo është trafikuar në Europë për rreth një dekadë.

“Kur më trafikuan , unë shkova në një vend dhe shtet ku gjuhën nuk e dija dhe besoja gjithçka që më thoshte ai që më trafikoi. Nuk kisha kujt ti drejtohesha sepse nuk e dija a po veproja drejt apo jo. Mendoja se po bëja diçka ilegale dhe se do të përfundoja në burg”.

Kur arriti t’ia mbathte dhe të shpërngulej në Florida, ajo vërejti sa i keq ishte trafikimi seksual aty dhe dëshironte të bënte diçka për këtë.

Mendimi i saj ishte i thjeshtë. “Çdokush ka një celular dhe çdokush ka një celular me kamera”.

Kështu që bashkë me burrin e saj menduan të vendosnin afishe të koduara në vendet si aeroportet apo stacionet e karburantëve ku viktimat e trafikimit seksual mund të përfundonin gjatë transportimit.

Kur kodet e afisheve skanohen, një link online shfaqet në celular dhe siguron informacion sesi viktimat mund të ndihmohen.

Televizioni amerikan CBS12 skanoi një afishe në shtëpinë e Tompsonit, ku kuti plot me afishe ruhen deri në momentin që vendosen nëpër vende të ndryshme. Edhe në banakun e shtëpisë së saj kjo afishe ishte aktive dhe informacioni u shfaq menjëherë.

Sipas Tompsonit, gjëja më e fuqishme e afisheve të koduara është se ato sigurojnë informacion për viktimat e trafikimit seksual në gjuhë të ndryshme sapo ato skanohen. Përveç gjuhës e cila është një barrierë penguese ekziston dhe një arsye tjetër përse viktimat nuk kërkojnë ndihmë.

“Në shumë vende ku trafikimi është i pranishëm policët janë të korruptuar dhe vajzat nuk u besojnë atyre”.

Por ajo shpreson se ndoshta këto vajza do t’u besojnë këtyre afisheve të koduara dhe me një klikim të vetëm të kamerës së celularit ato mund t’ia mbathin dhe të nisin një jetë nga e para. Tompson gjithashtu po kërkon vullnetarë për vendosjen e këtyre afisheve e nëse edhe ti ke dëshirë të ndihmosh mund të çosh informacionin tënd tek kjo adresë: [email protected]

 

Përshtati në shqip Emi Bibolli