E dogjën me vajguri, vdes 19 vjeçarja që denoncoi drejtorin për ngacmim seksual

3053

Djegia për së gjalli e një 19 vjeçareje pasi kishte denoncuar drejtorin e shkollës së saj për ngacmim seksual, ka shkaktuar protesta masive në Bangladesh. Nusrat Jahan Rafi u spërkat me vajguri dhe më pas iu vu flaka brenda Medresesë ku studionte në fshatin Feni, 160 km larg kryeqytetit Dhaka. 2 javë më parë ajo kishte paditur për ngacmim seksual drejtorin e kësaj shkolle. Vdekja e saj 5 ditë pasi i vunë flakën ka sjellë edhe një herë në vëmendje çështjen delikale të viktimave të dhunës seksuale në vendin e mbyllur të Azisë Jugore.
19 vjeçarja deklaroi në 27 mars në polici se drejtori i Medresesë e kishte thirrur në zyrë dhe e kishte prekur disa herë në mënyrë të turpshme. Por përpara se situata të degradonte, ajo ia kishte mbathur. Shumë vajza dhe gra në Bangladesh zgjedhin të mos tregojnë për ngacmimet apo abuzimet seksuale me të cilat përballen nga frika e turpit dhe gjykimit nga familjet e tyre por mbi te gjitha shoqëria.
Ajo çfarë e dalloi Nusrat Jahan, ishte fakti që jo vetëm foli por e denoncoi rastin në polici me ndihmën e familjarëve të saj. Por në rajonin e policisë ku dhe bëri denoncimin, nuk iu dha aspak ndihma e duhur për ta mbrojtur pas eksperiencës traumatike që kishte përjetuar. Në vend të kësaj, oficeri i policisë e regjistroi me telefonin e tij ndërsa vajza shpjegonte çfarë i kishte ndodhur. Në videon e bërë publike tashmë nga disa media lokale, Nusrat shihet mjaft e shqetësuar ndërsa përpiqet të mbulojë fytyrën me duar. Ndërsa polici dëgjohet teksa thotë : Nuk është ndonjë gjë e madhe”.

“Mësuesi më preku. Do ta luftoj këtë krim deri sa të kem frymë”

Nusrat Jahan Rafi vinte nga një fshat I vogël dhe nga një familje konservatore e cila e kishte çuar në Medrese, pra në një shkollë islamike. Për vajzat në pozitën e saj, raportimi i ngacmimeve seksuale ka gjithmonë pasoja. Viktimat shpesh përballen me gjykimin e komunitetit, ngacmime online apo edhe personale e madje në disa raste me sulme të dhunshme. Dhe Nusrat i përjetoi të gjitha këto.
Pas denoncimit të saj, policia arrestoi drejtorin e shkollës por gjërat u përkeqësuan për 19 vjeçare. Një grup njerëzish u mblodhën përpara komisariatit duke kërkuar lirimin e tij dhe duke akuzuar vajzën. Protestat u organizuan nga 2 studentë dhe politikanë lokalë ndërsa njerëzit filluan të fajësonin Nusrat. Megjithë frikën e familjarëve, në 6 prill Nusrat u rikthye në shkollë për të dhënë provimet përfundimtare.
“U përpoqa të çoj motrën në shkollë por më ndaluan tek hyrja dhe nuk më lejuan ta shoqëroja”-tha vëllai i Nusrat për BBC. Sipas disa dëshmitarëve, një shoqe e thirri Nusratin në tarracën e shkollës ku më pas 4-5 persona të veshur me burka e rrethuan duke i bërë presion që të tërheqë denoncimin. Por pasi vajza refuzoi ata i hodhën vajguri dhe i vunë flakën. Sipas policisë, autorët donin që ngjarja të dukej si vetëvrasje por plani dështoi pasi arritën ta shpëtojnë vajzën nga flakët. Nusrat madje dha një dëshmi duke treguar gjithë ngjarjen përpara se të vdiste 5 ditë më vonë për shkak të djegieve të rënda në trup.
Edhe pse Nusrat u dërgua në një spital të specializuar në kryeqytetin Dhaka, mjekët e kishin të pamundur ta shpëtonin pasi ishte djegur më shumë se 80 % e trupit të saj. Në ambulancë, me frikën se nuk do të shpëtonte, ajo regjistroi një deklaratë në telefonin e të vëllait.
“Mësuesi më preku. Do ta luftoj këtë krim deri sa të kem frymë”-dëgjohet në regjistrimin e vajzës tashmë të bërë publik. Veç kësaj, ajo identifikoi disa prej autorëve të djegies së saj si studentë të Medresesë.
Dhjetra mijëra vetë morën pjesë në ceremoninë e varrimit të saj në fshatin Feni, ndërsa vdekja e vajzës ka ngritur në protestë mijëra të tjerë. Policia ka arrestuar 15 persona deri tani që dyshohet të jenë të përfshirë në vrasjen e Nusrat ndërsa drejtori i shkollës vijon të qëndrojë në paraburgim, në pritje të procesit gjyqësor. Ndërkohë polici që filmoi dëshminë e vajzës për ngacmim seksual është larguar nga detyra.
Vetë kryeministri i Bangladeshit Sheikh Hasina u takua me familjen e Nusrat në Dhaka duke premtuar që kushdo që është përfshirë në këtë ngjarje do të dalë para drejtësisë. Vdekja e Nusrat ka nxitur protesta në mbarë vendin ndërsa shumë qytetarë po përdorin rrjetet sociale për të shprehur zemërimin e tyre për rastin në fjalë por edhe për trajtimin që i bëhet viktimave të dhunës në Bangladesh.
Sipas grupit të të drejtave të grave Bangladesh Mahila Parishad, ka patur 940 raste përdhunimesh në Bangladesh vetëm gjatë 2018-ës, megjithëse dyshohet që numri të jetë edhe më i madh pasi shumë vajza kanë frikë të raportojnë. Tani shumë njerëz shpresojnë që rasti i Nusrat të ndryshojë një herë e përgjithmonë mënyrën se si trajtohen viktimat e dhunës seksuale në këtë vend.