Ndërkohë që nuk kanë të reshtur raportimet mbi abuzimet seksuale me të mitur, gjykata e Beratit ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg Sokol Kapinovën, duke e dënuar për “marrëdhenie seksuale me të mitur,e mbetur në tentativë”. Edhe pse prokurori Dritan Gripshi kërkoi për Kapinovën 9-vite burg për ngacmimin seksual të një 5 vjeçareje, gjykata nuk e pa të arsyeshme as të jepte dënimin e plotë që parashikon ligji për ngacmimet seksuale me të mitur.
Sipas prokurorit akuza në ngarkim të 48-vjeçarit Kapinova provohet nga aktet e ekspertimit si dhe nga provat shkencore dhe ato me dëshmitarë. Mësohet se gjatë të gjitha seancave gjyqësore ku i pandehuri ka qenë i pranishëm, ai e ka mohuar akuzën dhe nuk ka shprehur pendesë. Trupi i gjykues i përbërë nga gjyqtarët: Durim Hasa, Matilda Llangozi dhe kryesuesja Entela Gjoni e kanë shpallur Kapinovën fajtor dhe e kanë dënuar me 6 vite e 8-muaj burgim, të cilat do ti kryejë në burgjet e sigurisë së zakonshme.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 18 Qershor 2020 në qytetin e Beratit. E mitura 5-vjeçe u ngacmua seksualisht nga komshiu i saj, 48-vjeçari Sokol Kapinova, që rezultoi të ishte i njohur nga banorët e lagjes si përdorues i rregullt i alkoolit. Edhe pse policia e Beratit nuk dha pas ngjarjes së rëndë asnjë informacion në lidhje me dinamikën e saj, nga burime brenda familjarëve u mësua se 48-vjeçari e kishte gënjyer vajzën 5-vjeçe së bashku me motrën e saj 7-vjeçe me ëmbëlsira dhe kumbulla, duke i futur të dyja brenda në banesën e tij.
Më pas,ai futi në njërën nga dhomat 5-vjeçaren dhe e ngacmoi atë seksualisht. Por kur e mitura filloi të qajë ai i la të dalin jashtë, pa menduar se motrat do t’u tregonin prindërve atë çfarë kishte ndodhur në banesën e tij. Nga vizita mjekësore që u krye nga mjekët specialistë rezultoi se 5-vjeçarja kishte shenja të ngacmimit seksual.
48-vjeçari Kapinova mësohet se rrinte shpesh dhe luante me fëmijët e lagjes në sheshpushimet përpara pallateve por deri përpara ngjarjes së rëndë askush nga banorët e lagjes “Barrikadë” nuk ishte ankuar për sjelljet e tij ndaj fëmijëve. Ai jetonte i vetëm dhe banorët e lagjes e njihnin atë si një person të alkoolizuar.
Po sot, ndërsa gjykata e Beratit dha këtë dënim, policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një 45 vjeçar me dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një të mitur 5-vjeçar në zonën e Yzberishtit. Denoncimi është bërë nga gjyshi i fëmijës, ndërsa ka qenë vetë 5-vjeçari që u ka treguar prindërve se 45-vjeçari e ka ngacmuar dhe ka thënë fjalë të turpshme. Burime nga policia thonë se 45-vjeçari është i afërm i familjes dhe me inicialet S.K.