Alabama-25 burra vendosin për trupat e grave, miratohet ligji më i ashpër kundër abortit

32

25 burra votuan pro të martën në senatin e shtetit amerikan të Alabamës duke miratuar një prej ligjeve më të ashpra kundër abortit në SHBA që kriminalizon këtë procedurë thuajse në çdo rast, madje edhe në raste përdhunimi apo inçesti. Pas disa orë debat, senati i kryesuar nga republikanët votoi 25 pro dhe 6 kundër. Vetëm një ditë më pas, dje, guvernatorja e Alabamës Kay Ivey e nënshkroi projektligjin duke e shndërruar në një ligj që dënon çdo mjek që kryen abort me burgim të përjetshëm. Por ajo theksoi në deklaratën e saj se ligji i rim und të jetë i pazbatueshëm në një periudhë afatshkurtër për shkak të vendimit të Gjykatës Supreme që e bën abortin të ligjshëm në të 50 shtetet amerikane. “Megjithatë ky ligj i ri ka si qëllim ta sfidojë atë vendim”-tha Ivey.

Të 25 votat në favor të ligjit erdhën nga senator republikanë përfshirë edhe senatorin Clyde Chambliss, që e propozoi këtë ligj. Ka vetëm 4 gra në Senatin e këtij shteti dhe ato bashkë me kolegët e tyre demokratë votuan kundër. Ligji u miratua në fillim të këtij muaji në Dhomën e përfaqësuesve me 74 vota pro dhe 3 kundër, ku thuajse të gjithë anëtarët demokratë vendosën të mos marrin pjesë dhe dolën jashtë në shenjë proteste. Gratë përbëjnë vetëm 15.7 % të të gjithë organit legjislativ të Alabamës, çka e bën atë shtetin e 6-të në SHBA me përfaqësimin më të ulët të grave. “25 burra po u thonë grave se çfarë të bëjnë me trupat e tyre”-komentoi për CNN lideri demokrat Bobby Singleton, i cili e kundërshtoi ligjin. Ligji i ri e bën abortin një krim në çdo fazë të shtatzanisë, me përjashtim të rasteve të probleme të rënda shënderësore kur kërcënohet jeta e gruas.