30 vite punë shtëpie, burri do ti paguajë 160 mijë € ish bashkëshortes

48

Punët e shtëpisë janë konsideruar gjithnjë punë e papaguar dhe gratë janë ato që e vuajnë më shumë mos vlerësimin ekonomik të këtyre punëve, për shkak edhe të shpërndarjes jo të barabartë të kujdesit ndaj shtëpisë mes partnerëve. Por një vendim historic, një grua në Argjentinë ka përfituar “rrogen” e 3 dekadave punë shtëpie dhe për rritjen e fëmijëve nga ish bashkëshorti i saj. Ky i fundit është detyruar me vendim gjykate t’i paguajë ish-gruan e tij rreth 160 mijë euro, pasi ajo braktisi karrierën e saj për të rritur fëmijët dhe për kujdesur për shtëpinë gjatë martesës së tyre 29-vjeçare.

Gruaja, e identifikuar me inicialet ML, tani është 70 vjeç si dhe ka një diplomë ekonomie, por konsiderohet tepër e vjetër për t’u zënë një vend pune.  Çifti i kishte ndarë rolet, ku burri punonte ndërsa gruaja kujdesej për shtëpinë dhe fëmijët. Ata u ndanë në vitin 2009 dhe u divorcuan zyrtarisht në 2011-ën.  Gjykata Kombëtare e Apelit të Argjentinës deklaroi se gruaja u përball me vështirësi financiare pas ndarjes, ndërsa burri, gjithashtu 70 vjeç, ishte mjaft mirë financiarisht.

Ndërsa dha vendimin, gjykatësja Victoria Famá mori në konsideratë edhe faktin se gruaja kishte hequr dorë nga karriera dhe përfitimet ekonomike për tu kujdesur për shtëpinë. “Varësia ekonomike e grave nga bashkëshortët është një prej mekanizmave kryesorë me të cilin gratë nënshtrohen në shoqëri”-tha Fama. “Në pjesën më të madhe të familjeve, gratë ende mbajnë barrën kryesore të punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve edhe pse punojnë me orar të plotë jashtë shtëpisë”-thuhet në argumentimin e vendimit të gjykatëses.

Mendohet se gratë argjentinase shpenzojnë dyfishin e kohës në ditë duke u kujdesur për fëmijët dhe duke bërë punët e shtëpisë, në krahasim me burrat e këtij vendi. Për ekspertin e çështjeve familjare, Eduardo Sirkin shuma e vendosur nga gjykata, është e paprecedentë. Ndërsa Lucia Martelotte, zëvendës drejtoreshë e “Justice and Gender Team” tha se ky vendim, i pari i këtij lloji në Amerikën e Jugut, vërteton se kujdesi ndaj shtëpisë dhe fëmijëve është në fakt punë, sepse kërkon kohë, përkushtim e madje edhe aftësi të veçanta.