“Veten dua gjallë”, Aurela Gaçe me një himn kundër dhunës ndaj grave

248

“Çfarë kërkon më shumë ai? Të më shkelë, s’më shkel njëri” Është ky një prej vargjeve të këngës së re të Aurela Gaçe të titulluar “Veten dua gjallë”, një mesazh i fuqishëm për çdo grua që të mos heshtë përballë dhunës, një prej plagëve më të mëdha të shoqërisë shqiptare. Me tekst të Rozana Radit, kënga mbart një mesazh kuptimplotë, ndërsa muzika është realiuar si bashkëpunim mes John Van Ride dhe vetë Aurela Gaçes.

Duke folur për emisionin “Jo vetëm modë”, në TV Klan, këngëtarja e njohur ka treguar disa detaje lidhur me projektin e saj më të fundit muzikor. Kjo këngë është pjesë e albumit të ri për të cilin këngëtarja po punon prej kohësh, por “Veten Dua Gjallë” ka qenë projekti më impenjativ i saj. I konceptuar si një film i shkurtër, video muzikore ka si protagonist krahas Aurelës, aktorin Gert Ferra në rolin e bashkëshortit dhunues. Për të realizuar videon e këngës janë dashur muaj të tërë, që nga krijimi i konceptit të saj, deri tek xhirimi i pesë skenave të ndryshme, të cilat përkuan me ditët më të ftohta të vitit.

Reagimet në rrjetet sociale pas publikimit të këngës kanë qënë jashtëzakonisht shumë dhe mjaft pozitive. “Nuk na zhgënjeve kurrë. I ke dhënë zë çdo femre të dhunuar”, është një nga komentet e shumta në YouTube. Me ‘valixhen plot mbushur plot me lot’, Gaçe ka dhënë mesazhin më të fortë: të reagojmë, para se të jetë shumë vonë.