“Të gjithë duhet të jemi feministë”, libri anti klishe që frymëzoi edhe Beyoncé

31

Verën që shkoi unë vetëm kam lexuar. Pa marrë parasysh ku kam qenë – pranë liqenit, në tren apo në livadh -, përherë me vete kisha një libër. Kohëve të fundit shpeshherë më pyesin se çfarë dëshiron lëvizja feministe dhe a mos e ka tepruar pak me grevat e grave (si në Zvicër, vër. e përkth.) dhe tualeteve «unisex» (për të gjitha gjinitë). Shpesh nuk e di fare se çfarë të them, sepse e di se sa shumë janë shtrembëruar kërkesat thelbësore të feminizmit – përmes ngatërresave të përhershme në Twitter dhe polemikës së përgjithshme në debat.  Kështu më lindi ideja të prezantojë dhjetë libra dhe tezat e tyre, të cilat, sipas mendimit tim, nga viti 2011 më së shumti e kanë inspiruar lëvizjen feministe.

“We Should All Be Feminists” (Të gjithë duhet të jemi feministë) nga Chimamanda Ngozi Adichie

Këtë libër e lexova vetëm për shkak të Beyoncé. Këngëtares i kishte pëlqyer aq shumë, saqë disa citate i përdori në këngën e saj «Flawless», ndërsa mua më pëlqeu kënga aq shumë, saqë patjetër dëshiroja të lexoja tekstin. Teksti nuk i pëlqente vetëm Beyoncé.

Libri i botuar më 2014 u përkthye në 37 gjuhë, marka e produkteve luksoze Dior prodhoi një T-Shirt me sloganin «We should all be feminists», në Suedi libri u shpërnda në të gjitha gjimnazet. Mendoj se suksesi ndoshta ka të bëjë me atë se shkrimtarja nigeriane është shumë pajtuese dhe që në fillim të tekstit sqaron se ajo nuk është feministe e mllefosur, por një «feministe e lumtur afrikane, e cila nuk i urren burrat dhe buzëkuqin e bart vetëm për qejf të vetin».

Megjithëkëtë, ajo kërkon gjëra fare të mëdha duke thënë: dua një botë pa klishe gjinish. Ngozi Adichie mendon se klishetë na kufizojnë si «kafaze të hekurta». Ajo kërkon një botë me plot njerëz të lumtur, ku vajzat nuk edukohen për të qenë përherë vetëm të mirësjellshme dhe prej burrave nuk pritet që të jenë përherë vetëm trima.

Citati më i rëndësishëm nga kjo vepër: «Problemi me rolet gjinore është se ato na diktojnë si duhet të jemi në vend se të na pranojnë siç jemi». Pas dy librave të para bie në sy se dy mendimtaret – Laurie Penny, marksistja me flokët ngjyrë rozë, dhe Chimamanda Ngozi Adichie, shkrimtarja elegante, përdorin metafora të ngjashme kur flasin për rolet gjinore. Njëra thotë «arkivol i ngushtë», tjetra «kafaz i hekurt».

Ky motiv përshkon të gjitha librat. Pa marrë parasysh nëse autoret nisen nga të dy gjinitë apo nëse tërheqin vëmendjen se kjo ndarje strikte e gjinive është pjesë e problemit – porosia përherë është kjo: rolet gjinore të bëjnë të palumtur – sidomos gratë, meqë ato duhet të sillen sikur janë më të vogla se ç’janë në të vërtetë.

Nina Kunz/ Përktheu nga gjermanishtja Enver Robelli