“Kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime, prishi krejt urat, digji tërë anijet”

164

Shumë e njohin si heroi nga Kosova që ndihmoi për të shpëtuar jetë njerëzish gjatë sulmit në Stokholm në prill të 2017-ës. Ai bashkë me disa qytetarë të tjerë krijuan një barrierë me trupat e tyre për të parandaluar që njerëzit të vraponin për në zonën e rrezikut, pasi një kamion kishte hyrë në rrugën më të frekuentuar të kryeqytetit suedez duke u përplasur brenda një dyqani. Por Shqiptar Oseku është një “hero” edhe në përditshmërinë e tij ndërsa prej vitesh kontribuon me poezinë apo mendimet e tij për emancipimin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi e në veçanti të burrave. Poeti nga Gjakova që u largua drejt Suedisë që 18 vjeç, ku ende jeton shkruan vazhdimisht kundër diskriminimit dhe misogjinisë së vajzave e grave e madje është themeluesi i grupit “Feminizmi Shqiptar”. Veç qëndrimeve publike, Oseku ka poezinë si një “armë” të fuqishme për të ndikuar në shoqëri. Një prej poezive të tij më të njohura që i dedikohet vajzave të tij, Oseku përçon një mesazh të fortë ndaj grave që të mos pranojnë të përbuzen apo të fyhen nga askush, qoftë ai babai, bashkëshorti apo edhe djali i tyre.

Mëposhtë poezia e plotë nga Shqiptar Oseku

“Kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime, prishi krejt urat, digji tërë anijet”

Kur dikush të kërkon bukë
ndaje koren e fundit me të bija ime
më mirë të jeni bashkë pak të uritur
se të ngopesh vetëm.

Kur dikush ta lyp një pikë ujë në orë zori
shpije te pusi i oborrit nën man
ka vite që është prerë ajo pemë e vjetër
por hija i bën ende fllad.

Kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime
prishi krejt urat digji tërë anijet
mos ji kurrë as grua as nënë as bijë e askujt
po s’qe së pari njeri.