Video/ Dua Lipa hedh para mbi trupin e një gruaje. A është anti-feministe të vizitosh një klub striptizmi?

173
Videot e yllit shqiptar, Dua Lipa në “after party-n” e çmimeve “Grammy”, teksa hedh para mbi trupin e një gruaje, që kërcen në një klub striptizmi, e kanë vënë këngëtaren në qendër të diskutimeve. Debati që është shtruar është ky: A mundet një feministe t’i bashkohet një “feste” të tillë striptizmi?
Të shumtë janë komentuesit që e kanë kritikuar këngëtaren duke e etiketuar si një “feministe të keqe”. Ndërsa jo pak të tjerë kanë nxituar ta mbrojnë duke theksuar se artistët burra që marrin pjesë në mbrëmje të tilla striptizmi, nuk përballen me të njëjtat kritika.
“Imagjinoni të mos lejoni një grua që të shkojë në klub striptizmi për të mbështetur një grua tjetër. Nuk shoh që kjo gjë të ndalohet për burrat. Puna seksuale është punë e vërtetë. Ato gra kanë zgjedhur të punojnë, ndaj dhe meritojnë mbështetje”, shkruan një postim në Twitter.
 
Striptistet e zhveshura në klubet e Amerikës nuk janë diçka e rrallë. Një kërkim i thjeshtë online me fjalët kyçe “festë beqarie” jep opsionin e disa paketave para-martese, të dedikuara për gratë, në të cilat një mbrëmje në klub striptizmi është ngjarja kryesore.
Nick Triantis, pronari i një klubi striptizmi në Washington ka deklaruar për BBC se gratë vijnë në klubin e tij që kur ai është hapur, në vitin 1980.
“Nuk e kuptoj aspak se cili është këndvështrimi me të cilin po komentohet kjo situatë”, deklaroi Triantis, duke shtuar se prania e grave në klubet e striptizmit nuk është asgjë e re.
Atëherë, pse Dua Lipa ka provokuar një reagim të tillë? Catlyn Ladd, autore, profesore e studimeve për gratë në Kolorado si dhe ish-striptiste tha se kjo çështje ka një “bisht” të dyfishtë.
“Puna e seksit mund të jetë tepër shfrytëzuese, por gjithashtu mund të jetë fuqizuese. Shfrytëzimi varet nga mjedisi si dhe personaliteti i atyre që janë të përfshirë”, tha ajo.
Ladd e nisi punën si striptiste në fund të viteve ’90, ku punoi më shumë se 5 vite. Ajo i përdori të ardhurat nga kjo punë për t’u shkolluar ku u diplomua në master, në Universitetin e Kolorados.
Ajo u shpreh se përjetoi mizori, por gjithashtu teksa vallëzonte takoi edhe burrin e saj. Studiuesja deklaron se është rikthyer në klubet e striptizmit herë pas here si një mbrojtëse e grave të tjera që ushtronin këtë aktivitet.
Sa i përket striptisteve në videon e Dua Lipës, ajo tha “me siguri që kanë pasur një natë me të vërtetë të mirë. Sa mirë për to”.
Bernadette Barton, profesore e studimeve gjinore dhe autore e dy librave që flasin për përvojën e kërcimtareve ekzotike, shprehet: “Klubet e striptizmit janë organizata patriarkale. Burrat janë të veshur, ndërsa gratë të zhveshura”. 
A është feministe që gratë të shkojnë në klube striptizmi? Barton përgjigjet: “Jo, edhe pse nuk më takon mua ta them”. Ajo nuk komenton “pabarazinë” ndaj Dua Lipës, pasi burrat e famshëm që ishin me të në klubin e striptizmit nuk u kritikuan. Barton shprehet: “Më mirë të jem kritike ndaj natyrës së klubeve të striptizmit”. 
Barton ka shkruar dy libra mbi striptimin, një në vitin 2006 dhe një në 2017-n. Ajo deklaron se ndryshimi më i madh mes dy botimeve të saj ishte rritja e klienteve femra në klubet e striptizmit. Ajo shprehet se disa menaxherë raportuan gjatë hulumtumit për librin e saj të dytë se gratë përbënin deri në 45% të klientëve të tyre.
Sa i përket striptisteve, “klientet gra shpesh ishin një ndryshim i mirëpritur”, tha Antonia Crane, një aktiviste, profesore si dhe kërcimtare, e cila ka mbi 10.000 orë punë si striptiste gjatë një periudhe 25-vjeçare. “Ne duam që gratë të vijnë në klube striptizmi, është kënaqësi. Striptizmi është punë për gratë. E vetmja gjë e tmerrshme e kësaj pune dhe në industrinë e seksit në përgjithësi, janë praktikat e padrejta të punës”, tha ajo, duke përmendur pagat e ulëta, shfrytëzmin dhe sulmet seksuale.
“Askush nuk ka të drejtë të më tregojë se çfarë të bëj me trupin tim. Askush nuk ka të drejtë të më tregojë se si i fitoj paratë e mia, për aq kohë sa striptizmi është i ligjshëm. Shumë njerëz që kanë opinione ekstremisht negative nuk kanë qenë kurrë në një klub stiptizmi. Ndihem e fortë jo sepse bëj këtë punë, por sepse kam qenë e lirë të zgjedh të bëj këtë punë dhe nuk lejoj askënd të më tregojë se nuk mundem ta bëj”, shprehet një striptiste që zgjedh të mos e bëjë publik identitetin e saj.
Pavarësisht diskutimeve të shumta në dukje shteruese, vidoeja e Dua Lipës ende komentohet nga ata që e kritikojnë por edhe nga ata që e mbështesin. Një nga komentet që kundërshton veprimin e artistes shqiptare nënvizon:
“Videot dhe këngët e Dua Lipës shihen dhe dëgjohen nga vajza të moshës 8 vjeç e lart. Kjo video e saj ekspozon një aktivitet/profesion (striptizmi) që lejon të jenë të pranishme vetëm vajza mbi moshën 18 vjeç. Si mund t’i frymëzojë vajzat minorene për të qenë feministe në të ardhmen një video e tillë?”

Shqipëroi Bitchmagazine