“Un’ po t’isha djalë do t’i tregoja botës…por mjerisht jam femën…”

47

Romani “Sikur të isha djalë”, nga Haki Stërmilli ishte një jehonë e lëvizjes shoqërore të viteve të 30-ta dhe një nga veprat më të suksesshme të kohës. Romani ka formën e një ditari, të mbajtur nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija.

Nëpërmjet shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e gruas në familje, e cila duhet të bëjë një jetë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale.

Bota shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja e tyre shkakton skandal në familje dhe në shoqëri. Për sa kohë jeton në familjen e saj, duhet të vendosë për gjithçka babai, e kur të martohet, të vendosë burri. Kështu, ajo është një skllave, që duhet të lindë fëmijë të cilët do të bëhen përsëri viktimë e këtyre ligjeve të egra sunduese në shoqërinë shqiptare të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga këto ligje të egra, që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj.

Megjithatë, Dija është personazhi me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare.

“Sikur të isha djalë” ishte e para vepër e rëndësishme në letërsinë shqiptare me temën e emancipimit të gruas. Shumë vajza shqiptare të kohës u ulën e mësuan shkrim e këndim, siç thuhet, vetëm e vetëm që të mund të lexonin këtë libër.