Shqiptarja, golashënuesja më e mirë në botë për vitin 2019

45

Për të dytin vit radhazi Megi Doçi, futbolliste e Vllaznisë është renditur si golashënuesja më e mirë në botë. Ajo ka shënuar plot 85 gola, më shumë se kushdo tjetër në rruzullin tokësor.

Shoqëria spanjolle “Futebol Feminino Alternativo” për të katërtin vit radhazi organizoi një studim të tillë për futbollin e femrave duke analizuar më shumë se 60 kampionate nga e mbarë bota dhe duke bërë një renditje të shënueseve më të mira.

Doçi ka lënë në vendin e dytë me vetëm një gol më pak, futbollisten e Barcelonës Kristina Freda, ndërkohë që në vendin e tretë është e renditur futbollistja e Apolonisë Kesjana Goro me 71 gola.

Më poshtë keni renditjen e 10 golashënueseve më të mira të botës për vitin 2019:

1 – Megi Doçi (Shqipëri, VLLAZNIA) 85 gola

2 – Kristina Freda (EBA, BARCELONA FA/APOLLON LADIES) 84 gola

3 – Kesjana Goro (Shqipëri, APOLONIA) 71 gola

Historia e Megit

Me gjunjtë e vrarë nga loja me shokët, pasi përqafoi fort nënën e babain, Megi u largua me lot në sy nga shtëpia ku ëndërroi për pasionin e saj. Me një çantë në shpinë të mbushur plot me ëndrra, ajo u nis drejt Tiranës, do të luante futboll në një fushë të vërtetë. Megi u largua nga fashti Prell i Burrelit pa e ditur se një ditë do të ishte krenaria e tij. Çdo shikim mosbesues e këshillë dashamirëse që e mbante larg pasionit të fëmijërisë, u bë arsye që fshati të krenohej me Megin. Ajo u largua kur ishte vetëm 12 vjeç, por tashmë pas 10 vitesh Megi njihet në mbarë Shqipërinë si golashënuesja më e mirë e botës për vitin 2018, e tashmë për 2019-ën. Futbollistja e Vllaznisë dhe Kombëtares Shqiptare është zgjedhur për dy vite radhazi golashënuesja më e mirë e planetit.

 

Pasi tejkaloi mosbesimin e fshatit të saj, Megit iu desh të përballej edhe me habinë e djemve futbollistë kur e shikonin në stërvitje. Por për Megin kishte vetëm dy botë, ajo që njohim të gjithë dhe topi. Nëse të gjithë i habiste prania e saj në fushën e blertë, Megi aty gjente qetësinë. E mërzitur apo e gëzuar në qoftë, ajo ka nevojë që këto ndjenja t’i ndajë me fushën e saj.

Por nëse të njohurit e saj ishin skeptik për të ardhmen që e priste kampionen, Megin e ndihmoi një prej dy më të mirëve të botës, Kristiano Ronaldo. Ai nuk ishte në fushën me dhe të fshatit, as me atë të blertën, ai ishte në shpirtin e Megit. Asaj i qeshin sytë kur e pyet për futbollistin e preferuar. Ronaldon e cilëson një si nga ndihmësit më të mëdhenj që ka pasur. Ajo rrëfen se sapo Ronaldo mbaronte lojën, dilte në oborr për të përsëritur veprimet e tij. Ronaldo nuk e di, por ëndrra e Megit është realizuar edhe nga motivimi që i ka bërë futbollisti i madh.

Edhe pse është më e mira, Megi has shumë probleme. Ajo rrëfente në një intervistë të dhënë më herët për “Trending” se vështirësitë e sportit në Shqipëri vijojnë të jenë të mëdha e paga e pamjaftueshme. Megjithatë ajo nuk dorëzohet. Për Megin gjithçka arrihet, mjafton që ta kesh pasion. Ajo ka një këshillë për të gjithë prindërit e vajzave që duan të luajnë futboll: Lejojini vajzat tuaja të ndjekin pasionin, do t’u bëjnë krenarë ashtu siç bëra unë fmiljen time.