Raporti i Oxfam: Gratë punojnë falas, miliarderët shtojnë pasurinë

57

Petra ishte vetëm 50 vjeç kur u largua nga puna e saj në Berlin për të kërkuar diçka që vërtet i pëlqente. Por babai i saj u sëmur dhe asaj i duhej të kujdesej për të, e më vonë edhe për nënën e saj duke mos e patur më kurrë mundësinë për t’u kthyer në punë. Puna e saj nuk paguhet më.

“Tani unë fle më pak orë sesa flija kur u bëra nënë”, shprehet Petra. Një alternativë për të është që të marrë një infermiere për t’u kujdesur për prindërit e saj por ajo i do aq shumë sa nuk dëshiron që dikush tjetër të kujdeset për ta.

“Pak njerëz e kuptojnë se të kujdesesh për dikë është një punë e vështirë. Për infermieret e zakonshme orari i punës shkon në tetë orë, por për infermieret që kujdesen për të afërmit kjo punë nuk ka orar”, shprehet infermierja e klinikës Helios në Berlin, Kristina Schallehn.

Në Gjermani 70% e kujdesit për të moshuarit kryhet në shtëpitë e tyre dhe kryesisht nga infermieret gra. Petra dhe gra të tjera i dedikohen për një orë e gjysëm gatimit, pastrimit të shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve apo personave të moshuar. Nëse shohim statistikat e mëposhtme kuptojmë se vajzat që punojnë falas u përkasin moshave të ndryshme nga 5 deri 14 vjeç.

Kjo tregon se gratë çdo ditë fitojnë shumë më pak të ardhura dhe si përfundim marrin një shumë qesharake pensioni. Kryesisht gratë më të prekura nuk jetojnë në Gjermani por në vendet e varfëra të Azisë, Amerikës Latine, Afrikës etj. Në këto shtete gratë kanë shumë pak mundësi për të paguar dikë tjetër që të kujdeset për të afërmit e tyre.

Raporti i konfederatës së 19 organizatave bamirëse Oxfam tregon se çdo ditë gratë dhe vajzat në mbarë botën shpenzojnë 12 milionë orë duke u kujdesur për fëmijët apo të moshuarit e duke u marrë me punët e shtëpisë. Puna e papaguar e këtyre grave kap shifrën prej 11 trilion dollarësh. Ky raport nxjerr qartësisht në pah se kjo punë është një nga më të nënvlerësuarat.

“Ne nuk nënkuptojmë se këto 11 trilion dollarë duhet tu paguhen kujdestarëve por të paktën ata duhet të marrin sigurinë materiale për punën e tyre. Kjo është ajo çka ne si shoqëri duhet ta njohim dhe të financojmë për të”, shprehet ekspertja e Oxfam, Ellen Ehmke.

“Puna e kujdesit të mirë është themeli i aktiviteteve të tjera ekonomike pa të cilën i gjithë sistemi ekonomik nuk mund të funksionojë pavarësisht se ky fondacion ekonomik nuk vlerësohet”, shprehet një nga autorët e raportit, Jorn Kalinski.

Pabarazia ekonomike është në disproporcion. Shtresa e varfër e popullsisë së botës zotëron më pak se 1% të të ardhurave globale kur 45% e këtyre të ardhurave është e përqëndruar në duart e 2153 bilionerëve.

Por cila është lidhja midis kësaj pabarazisë drastike dhe kujdesit pa pagesë që kryhet nga gratë?

Sistemi ekonomik global është seksist sipas autorëve të raportit. Orët e tepërta që gratë shpenzojnë për tu kujdesur për njerëzit i pengojnë ato që të shkollohen apo të punojnë normalisht. Nga statistikat e mëposhtme  gratë punojnë 3 orë në ditë me pagesë dhe 4.46 orë punojnë pa pagesë ndërkohë që burrat punojnë me pagesë 5.35 orë dhe pa pagesë punojnë 1.38 orë. Pra gratë shpenzojnë 7.46 orë duke punuar ndërsa meshkujt 6.73 orë.

Përfundimi? Gratë fitojnë më pak të ardhura ose aspak dhe shanset e tyre për të qënë të pavarura ekonomikisht e për të grumbulluar të ardhura janë shumë të pakëta.

Përktheu për Bitchmagazine Emi Bibolli