Produktet që përdoren gjatë menstruacioneve do të jenë falas

56

Nga dita e hënë çdo shkollë 9-vjeçare, gjimnaz dhe universitet në Angli do të furnizohet me produktet që përdorin gratë gjatë periudhës së menstruacioneve. Produktet janë peceta dhe tampona menstrualë. Qëllimi i kësaj skeme të hartuar nga departamenti i Edukimit është që të mbështesë ‘barazinë menstruale’.

Kështu nxënëset do të kenë mundësi që t’i blejnë këto produkte falas ndërsa mësuesit do të porositin produktet që nevojiten në një portal online.

“Menstruacionet nuk duhet t’i pengojnë vajzat. Ndonëse janë një fenomen normal në jetën e përditshme, ne nuk dëshirojmë që nxënëset të humbasin orët mësimore për shkak të tyre. Madje nuk e kanë të lehtë t’i blejnë këto produkte kur u nevojiten. Për këtë arsye, kjo skemë do t’i ndihmojë që të mos jenë të papërgatitura momentin kur u vijnë menstruacionet pasi ndodh që të harrosh të mbash një produkt me vete apo të mos kesh mundësi të blesh një të tillë”, ka deklaruar Michelle Donelan, Ministre për Kujdesin ndaj fëmijëve dhe familjes.

Sipas një studimi të kryer mbi varfërinë menstruale nga kompania PHS e cila furnizon edhe shkollën me këto produkte , 46% e adoleshenteve vajza në Angli besojnë se pamundësia për t’i blerë këto produkte i privon ato të ndjekin orët mësimore çdo ditë, 32% e vajzave pohoi se kanë qënë të prekura nga kjo varfëri vitin e fundit kurse 30% e tyre u shpreh se kjo i pengon të realizojnë synimet e tyre.

Shkollat dhe universitetet janë në dijeni se ka mjaft vajza të cilat nuk kanë mundësi të blejnë produkte menstruale por tani do të arrijnë ti marrin falas dhe nuk do të duhet që të mungojnë gjatë orëve të mësimit. Ky është një lajm i mirë.

Të gjitha institucionet arsimore do të marrin një e-mail nga kompania PHS e shërbimit të higjienës i cili do ti lejojë të porositin produktet e duhura për nxënëset e tyre.