“Nëse çdo shtet do të drejtohej nga gratë, bota do të ishte më e mirë”

20

Për ish-presidentin amerikan, Barack Obama, bota do të përmirësohej ndjeshëm nëse gratë do të drejtonin çdo shtet të botës.

Nga Singapori, Obama ka deklaruar se gratë nuk janë perfekte, por janë “padiskutim më të mira” sesa burrat.

Obama u shpreh se pjesa më e madhe e problemeve në botë kanë ardhur kryesisht nga burra të cilët nuk e lëshojnë pushtetin.

“Jam absolutisht i bindur se nëse çdo shtet i botës do të drejtohej për 2 vjet nga një grua, do të kishte një përmirësim të dukshëm në çdo aspekt… si në standardet e jetesës, ashtu edhe të të ardhurave”, tha Obama.

I pyetur nëse do ta konsideronte që t’i rikthehej lidershipit politik, ai tha se besonte në liderët që tërhiqen në kohën e duhur.

“Është e rëndësishme për liderët politikë që të përpiqen dhe t’i kujtojnë vetes se janë aty për të bërë një punë, por nuk janë aty përjetë”, tha ndër të tjera ish-Presidenti amerikan.

Qëkur u largua nga Shtëpia e Bardhë, sëbashku me ish-Zonjën e Parë, Michelle Obama, ata kanë ngritur një fondacion për këshillimin e liderëve të rinj nëpër botë.