Mrekullia e të qenit nënë/ Gruaja nga Durrësi lind vajzën, në çadrën e strehuar prej tërmetit

18

Kur duket se errësira nuk do të ketë fund e akulli s’do të shkrijë, dielli ndriçon e ngroh më shumë se kurrë. Tërmeti i rëndë që goditi Shqipërinë të martën e shkuar la plagë të pashërueshme në jetët e familjarëve që humbën të dashurit e tyre, por edhe dhimbje e trishtim në sytë e zemrat e të gjithë atyre që iu shembën shtëpitë.

Por kur gëzon jetën dhe shëndetin e familjarëve, shpresat janë të mëdha. Gjithçka në jetë rifitohet, vetëm jetët e shkuara nuk mund të kthehen më. E në mesin e të dëmtuarve nga tërmeti pati edhe gra shtatzëna, që brenda vetes në momentet e tmerrit kanë ndjerë rrahjet e jetëve të reja që do të lindin së shpejti.

Mes këtyre grave ishte edhe Ardjana Sula nga Manza e Durrësit. Në një kohë kur banesa e saj u shemb nga tërmeti i fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor, për familjen e saj ka ndodhur mrekullia.

Ndonëse e strehuar në çadër, në muajin e nëntë të shtatzënisë, Ardjana solli në jetë vajzën e saj Ajsel. Lajmi emocionues është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Mrekullia e jetës 🙏🏼. Ndërsa familja Sula ka mbetur e pastrehë si pasojë e tërmetit dhe është strehuar në çadrën e emergjencës në Manëz, pak orë më parë ka lindur Ajsel, vajza e tyre 😇 që gëzon shëndet të plotë bashkë me mami Ardjanën 🤗. Ajsel #TiNukDoJeshKurrëVetëm👐🏼🇦🇱”, shkruan ministrja.