Me veshjen e Pukës në garën e New York-ut, Drilona Nika: Krenari kur u thirr emri Shqipëri

275
Kjo vajzë është Drilona Nika. Fotografia që shikoni është shkrepur vetëm disa orë para se ajo të bëhej pjesë e një gare 42 kilometërshe në New York. Një valltare atlete? As njëra e as tjetra, Drilona është një vajzë me vullnet të hekurt që i ka pasion që të dyja.
Ajo jeton prej 8 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkeli në të ashtuquajturën toka e ëndrrave së bashku me të vëllanë, por si një shqiponjë shikimin e mbajti gjithnjë larg, në drejtim të vendlindjes së saj, Shqipërisë.
Drilona mori pjesë me datë 3 nëntor në Maratonën e New Yorkut, një nga garat më të famshme në botë. 2 ditë para mararatonës pjesëmarrës nga më shumë se 150 kombe patën mundësi t’i tregonin botës një pjesë nga atdheu. Drilona nuk kishte dyshime, do të vishte kostumin popullor të Pukës.
“Ceremonia e Hapjes së Maratonës mundëson të gjithë vrapuesit pjesëmarrës të prezantojnë kombin e tyre me veshje dhe kërcime tradicionale. Unë vendosa të përfaqësoj vendin time të lindjes, Pukën (meritë e Aida Balaj që më huazoi kostumin e saj origjinal). Kur ecja rrugëve të New Yorku-t me veshje kombëtare, njerëzit shikonin me habi dhe me kuriozitet, madje disa më ndalonin dhe më pyesnin për kuptimin e veshjes. Atëherë unë i edukoja”, rrëfen Drilona.
Maratona u zhvillua me 3 nëntor e Drilona ia doli triumfuese deri në fund. Por kjo fuqi fizike ka një shkas, ka një histori nga pas. Drilona na e tregon, vullneti i saj të frymëzon…
“Gjithmonë kam qenë fanse e aktiviteteve fizike, që në shkollë të mesme, por asnjëherë nuk jam marrë seriozisht me to (edhe kilet e tepërta e tregonin 😛 ). Në Prill të vitit 2018 vendosa të filloj vrapin rregullisht, dy-tre herë në javë me qëllimin e vetëm që të humbja peshë sepse kishte mbi 10 vite që nuk zbrisja poshtë 66 kilogramshit.
Një shoku im në New York filloi në të njëjtën kohë me mua dhe ashtu u regjistruam në disa gara për muajt e ardhshëm me grupin NYRR- New York Road Runners, me qëllim që të na motivonin të vraponim.
Nga prilli në dhjetor e gjeta veten duke vrapuar gjithsej në 9 gara. Më duhej vetem një ditë pune vullnetare me grupin NYRR ( Organizata Zyrtare që mundëson Maratonën e NY). Vendosa ta bëj dhe atë. E si pa e kuptuar, unë fitova vendin e sigurt për të vrapuar në maratonën e vitit 2019. Atëherë vendosa të rris shpejtësinë në vrap dhe kilometrat sepse deri atëherë vrapoja vetëm 5-6 kilometra në ditë, 2-3 herë në javë. Për 4 muaj trajnim gjatë verës, kam rritur kilometrat çdo javë deri 2 javë para maratonës.”
Një grup shqiptar

“Dalë ngadalë u njohëm dhe me shqiptarë të tjerë që kishin të njëjtin pasion dhe u bëmë bashkëatdhetarë së bashku e formuam një grup të vogel vrapimi: “Albanian American Running Club”, që është akoma në formim e sipër dhe përfitoj nga rasti të ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë në Amerikë të bëhen pjesë e tij.”

Shqiptaret që morën pjesë në garë 
“8 shqiptarë të cilët i njoh personalisht kanë marrë pjesë në maratonë këtë vit. Mund të ketë dhe shumë të tjerë të cilët nuk i njoh. Nëse janë nën shtetësine amerikane është pak më e vështirë t’i numërosh. Ndër këta të 9, 6 ishim vajza, njëra prej tyre madje dhe me shikim të kufizuar, e nuk ka qenë maratona e parë që vraponte. Një ndër vajzat ka vite që merret me vrapim, dhe ka përfunduar 4 prej 6 maratonave më të mëdha botërore: New York, Chicago, Boston, Berlin dhe në Mars do të garojë në Tokio. E vetmja maratonë që i mungon në listë është Londra, me shpresën që në të ardhmen të arrijë të marrë pjesë. (The Abbott World Marathon Majors)
Emri i pjesëmarrvsve nga Shqipëria:
Drilona Nika
Njomza Dubovci
Lorena Muhaj
Jonela Molla
Irma Shyti
Mimoza Kusari Lila
Mergim Ukaj
Avni Karakushi
Eneid Nikolla
Për Jonela Mollën kjo ishte maratona nr 11, ka vrapuar në 4 maratonat e mëdha, e këtë vit për të dytin vit radhazi vrapoi si guidë për Lorenën e cila ka vështirësi në shikim.”
Si  jam ndjerë kur kam mbajtur flamurin shqiptar në duar?
“Në momentin kur në Central Park, në mes të gjithë vrapuesve dhe spektatoreve thirret emri Shqipëri, shpirti të mbushet plot me krenari. Ishte ndjenje e paparashikueshme të mbaje flamurin kuqezi e të përfaqësoje vendin tënd në mes të më shumë se 150 kombeve të tjera.”
Momenti më emocional i garës?
“… Ka qenë në mes të vrapimit, kur kam parë nga larg flamurin kuqezi dhe Elin (vëllai) dhe Edesen(kunata) në anë të rrugës pas miljes së 17. Sytë më janë mbushur me lot dhe zemra me gëzim. Përqafimi i tyre më ka rritur fuqitë dhe energjitë për të vazhduar me të njejtin ritëm dhe për të mos hequr dorë. Nuk kam ndaluar asnjë sekondë deri në miljen 22 (35km). 4 miljet e fundit kanë qenë më të vështirat por dëshira për të përfunduar garën që zgjati 4 orë dhe për të bërë gjithë njerëzit e mi dhe veten krenare, më shtyu drejt finishit. “