Si jo pak herë të tjera edhe kjo ditë nisi zymtë për shqiptarët…Prej orëve të para të mëngjesit mediat raportuan vrasjen e një gruaje. Në sy të vajzës 17-vjeçare, Enkeleda Çapoku u masakrua nga i kunati. Edhe këtë herë motivi është nderi…
I dehur, Erdet Çapoku 34-vjeç vrau me thikë dhe shkop druri kunatën e tij. Ngjarja ka ndodhur në banesën e viktimës, Enkeleda Çapoku, e cila jetonte me vajzën dhe nënën, pasi burri, vëllai i autorit ndodhet në burg i dënuar me 10 vite për trafik droge nga Shqipëria në drejtim të Holandës. E ndërsa vuante dënimin, ai i kishte kërkuar vëllait që t’i kontrollonte të gjitha lëvizjet e gruas, pasi dyshonte se e tradhtonte, por porosia përfundoi në tragjedi.
Erdeti shkallmoi derën u fut brenda. Nusen e vëllait e goditi me thikë dhe shkop druri për vdekje, ndërsa nëna e 39-vjeçares rrëfen se i preku edhe damarët dhe e qëlloi me levë. Shenja dhune ka edhe mbesa e tij.
Konflikti mes kunatit dhe kunatës kishte nisur disa muaj më parë pas porosisë së burrit të 39-vjeçares, Elton Çapoku nga burgu për vëllanë. Ai mësohet se kishte porositur vëllanë që të ruante dhe të kontrollonte të gjitha lëvizjet e gruas dhe informacionet apo fotot t’ia dërgonte në burg nëse e tradhtonte.
39-vjeçarja e denoncoi për përndjekje 6 muaj më parë. Pas sherrit, gruaja së bashku me vajzën 17-vjeçe dhe nënën u zhvendosën në një shtëpi me qira duke u larguar nga banesa ku jetonin më parë me kunatin dhe familjarët e tjerë.
Urdhëri nga burgu: Më ruaj gruan
Nëse e shohim ngjarjen nga një vështrim më i largët, kuptohet se shkaku i saj është pikërisht burri që po kryen dënimin në burg. A ka të drejtë një burrë e baba që nuk ka mundur të ruajë veten, stabilitetin dhe “nderin” e gruas apo vajzës duke përfunduar në burg për trafik të lëndëve narkotike, të urdhërojë përndjekjen e tyre?
Dëshmia e nënës
“E vrau me levë punë sekondash, nuk lëngoi. Isha tromaksur, mua ai më hodhi në tokë. Komshinjtë erdhën të shkretët kur bërtiti, por kishte mbaruar. T’i presësh damarët e duarve dhe ta çash te thonjtë, të mos mbarojë robi, ajo 30 kg ishte. Bir nëna bir për gocën time, janë tharë lotët e nënës, që ka punuar tërë jetën në fabrikë”.