Madridi në protestë, Gjykata shfajëson 5 burra të akuzuar për përdhunimin e një vajze 14-vjeçare

38

Qindra protestues u mblodhën mbrëmjen e së hënës në kryeqytetin e Spanjës, në Madrid pas vendimit të Gjykatës së Barcelonës e cila shpalli të pafajshëm një grup prej 5 burrash të akuzuar për përdhunim ndaj një minoreneje 14 vjeç.

Akuzat ndaj tyre u rrëzuan pasi ligji spanjoll përkufizon përdhunim çdo sulm seksual i cili kryhet nëpërmjet dhunës apo kërcënimit të viktimës dhe vajza në fjalë gjatë përdhunimit ishte pa ndjenja ( në gjendje të fikëti ).

Për këtë arsye përdhunuesit morën një dënim më të lehtë prej 10 deri 12 vjet burg pavarësisht debateve se kjo ngjarje duhej të klasifikohej përdhunim. Protestat u zhvilluan para Ministrisë së Drejtësisë ku njerëzit mbanin në duar pankarta me shkrime nga më të ndryshmet. Dikush shkruante  “Nuk është abuzim, është përdhunim” e dikush tjetër shkruante “T’i japim fund sistemit patriarkal”.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në vitin 2016 në qytetin Manresa ne veriperëndim të Barcelonës gjatë një feste e cila po mbahej nga ky grup në një fabrikë të braktisur. Gjykata dëgjoi gjatë proçesit gjyqësor se viktima pasi kishte konsumuar alkool dhe drogë ishte rrëzuar përtokë pa ndjenja.

Agresioni seksual ndaj minorenes ishte shumë intensiv dhe jashtëzakonisht denigrues. Të gjithë pjesëtarët e këtij grupi performuan në trupin e saj akte seksuale nga më të ndryshmet dhe nuk ndaluan asnjë çast përpara kësaj minoreneje të pashpresë.

Gjykata u shpreh në një deklaratë për shtyp se ky rast nuk mund të klasifikohej si përdhunim pasi vajza duke qënë pa ndjenja nuk pati mundësi të kundërshtonte apo të pranonte marrëdhënien seksuale me abuzuesit të cilët nuk përdorën asnjë lloj dhune apo kërcënimi. Viktima u dëmshpërblye me 12.000 euro ose 13.400 dollarë ndërkohë që dy prej të akuzuarve u liruan totalisht nga akuzat.

Kjo ngjarje makabre së bashku më deklaratat e Gjykatës nxitën edhe Shoqatën Spanjolle të Grave e cila i bëri thirrje shtetit që të ndryshojë ligjin dhe qeverisë për të vepruar urgjentisht.

Përktheu për Bitch Magazine.al Emi Bibolli