Kurrë nuk pat shtëpi për mua…

235

Kur isha e vogël mendoja që shtëpia e babës ishte edhe shtëpia ime, bile kur më pyeste ndokush se ku e kam shtëpinë, ia bëja me gisht ka shtëpia e babës!

Por kur u rrita më treguan se kjo nuk është shtëpia ime, shtëpia jote është te burri yt… “bijo çika është e derës huj” më ngushëllonte nëna ime!

Por unë nuk i besoja, thoja se e ka vetëm për të më qetësuar se shtëpia e babës do të jetë gjithmonë edhe e imja dhe ia plasja vajit!

Kur shkova te burri, jetonim në “bashkallëk” dhe për disa vite ende zemra më qëndronte te shtëpia e babës, por kur u “ndamë” dhe secili kunat shkoj në shtëpinë e tij, burri më puthi në ballë dhe më tha:”fisnike kjo është shtëpia e jonë dhe e bijëve tanë, e gëzofshim”

I besova buzëve të tij dhe sinqeritetit të tij, sepse asnjëherë nuk më kishte gënjyer, për këtë e shkriva tërë trupin tim duke e mirëmbajtur shtëpinë time.

Kaloi një kohë dhe më vdiq burri e fëmijët u rritën e u bënë për martesë. “Shtëpia ime” qe e vogël por ngroha me shpirtin tim. Pas disa viteve bijtë e mi vendosën ta prishin “shtëpinë time” dhe më premtuan se do të ma ndëtojnë një shtëpi më të re, më të bukur dhe më të madhe! Më rrodhën lotët nga zemra ashtu si dikur kur u ndava nga shtëpia e babës!

U ndërtua “shtëpia ime” e re, ma caktuan dhomën më të vogël aty ku më shumë lodronin nipat e mbesat se sa që rrija unë!

Por në shtëpinë time të re tani më nuk guxoja të flisja, nuk kisha të drejtë të këshilloja e as të propozoja! Më dukej vetja si një “cung i vjetër” në shtëpi të re, dhe ashtu isha çdo gjë në këtë shtëpi ishte e re edhe gozhdat ishin më të reja se unë!

Derisa një ditë djali më tha:”Nanë, do të qoj sot në një shtëpi të re” si e dëgjova këtë fjalë e kuptova se as kjo shtëpi nuk qenka e imja!

Dhe më solli këtu në “shtëpi të pleqëve” në shtëpi të atyre që kurrë n’jetën e tyre s’kanë pasur shtëpi!

Por nipi kur më vizitoi për herë të fundit më rrodhën lotët kur më tha në vesh:“Gjyshe kur të rritem unë, do ta ndërtoj një shtëpi, ajo do të jetë shtëpia ime dhe shtëpia jote”.

E përqafova fort dhe i thashë:”biri jem, të pastë gjyshja ty, se gjyshja në këtë dynja kurrë s’ka pasur shtëpi, por nëse Zoti më jep një shtëpi në Parajsë, do ta lus Zotin që të na bashkojë aty ku asnjëherë nuk do t’ketë ndarje e lot”.

Rijad Imeri