Ju tregojmë shtetin ideal europian për të jetuar një grua, i dyti në botë

28

Me një total pikësh prej 0.893, Zvicra arriti të renditej në vendin e dytë pas Norvegjisë në Indeksin e Paqes dhe Sigurisë së grave. Ky indeks tregon një renditje të 167 shteteve të cilat kontrollohen për sigurimin e barazisë gjinore të grave dhe mirëqënies së tyre.

10 shtetet e renditura në krye të indeksit ndodhen në Europë kurse 10 shtetet më të këqija të renditura në fund të indeksit ndodhen në Azinë Qëndrore, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.

Indeksi përfshin 11 çështje të cilat kontrollohen në të gjitha këto shtete se në çfarë mase janë realizuar. Çështjet u përkasin 3 kategorive: përfshirjes së grave, drejtësisë dhe sigurisë së tyre. Zvicra u shpall komuniteti më i sigurt për gratë me një përqindje prej 87.2 %  pasi të 11 çështjet e shtruara, ky shtet i realizonte më së miri. Dhuna e ushtruar nga partneri shënonte një përqindje shumë të ulët prej 0.9 %.

Përsa i përket përfshirjes së grave në jetën politike, përqindja e grave të cilat janë anëtare të Këshillit Kombëtar në parlamentin e Zvicrës shkon në 42% duke kaluar kështu mesataren globale të grave në politikë prej 24 % dhe Norvegjinë me 40.8 %.

Zvicra është një shtet i fuqishëm i cili këtë vit nuk ka shënuar asnjë vdekje nga dhuna e ushtruar nga partneri, vitet e shkollimit të grave shkojnë në 13.4, përqindja e grave të cilat përdorin aparat celular shkon në 93.7 %, përfshirja financiare shkon në 98.9 %, nuk ka njerëz që diskriminojnë dhe numri i ligjeve të forta kundër diskriminimeve të ndryshme për gratë e për burrat shkon në 14. Vetëm 2 % e burrave në Zvicër nuk ranë dakord me deklaratën se “është tërësisht e pranueshme për çdo grua të familjes që të gëzojë një punë të paguar nëse ajo ka dëshirë të punojë”.

E vetmja çështje për të cilën Zvicra shënoi një total shumë të ulët pikësh ishte përqindja e grave të moshës 25 vjeç e lart të cilat janë të punësuara. Në vitin 2017 përqindja ishte 60.3 % ndërkohë që në 2019 kjo përqindje shkoi në 58.9 % . Por kjo nuk e pengon Zvicrën të klasifikohej shteti me përqindjen më të lartë të grave të punësuara  duke lënë pas Danimarkën me 54.4 % , Finlandën me 51.6 % , Austrinë me 52.8 %, Britaninë e Madhe me 55.6 % , Luksemburgun me 54.8 % dhe Hollandën me 54 %. Irlanda ishte fituese në këtë aspekt me një përqindje prej 68.6 % të grave të punësuara.

Shteti më i keq për të jetuar një grua renditej Pakistani. Një grua në Pakistan shkollohet vetëm 3.7 vjet, shanset për të punuar shkojnë në 24.2 % , shanset që ka një grua për të përdorur një aparat celular shkojnë në 34 %, dhe vetëm 20 % e anëtarëve të parlamentit Pakistanez janë gra. Ky shtet është dhe një prej vendeve ku gratë diskriminohen gjerësisht. Megjithatë Pakistani renditet shteti me përqindjen më të ulët përsa i përket dhunës së ushtruar nga partneri prej 14.5 % krahasuar me Afganistanin me 46.1 % dhe Irakun me 45.3 %.

*Përktheu për bitchmagazine.al Emi Bibolli