Ju nëna, që djalin e trajtoni si “mbret” dhe vajzën si shërbëtore…

324

Sot është dita kundër dhunës ndaj gruas. Prindër, edukatorë, mësues, mos i trajtoni fëmijët të diferencuar nga gjinia, por trajtojini dhe shihini si njerëz, që nesër të pranojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin. Duke insistuar te gjinia, nuk i mësoni fëmijës ndonjë gjë, që nuk e di. Fëmijës mësojini atë, që nuk di, njerëzoren, aty insistoni.

Njerëzorja nuk është dhunë dhe diskriminim, por respekt dhe barazi. Ju keni shumë në “dorë” për të evituar këtë fenomen të shëmtuar e plagë të keqe të shoqërisë. Ju nëna, që shpesh i dalloni fëmijët tuaj, djalin e trajtoni si “mbret” dhe vajzën si shërbëtore. Ju baballarë që e shihni vajzën si një objekt, që ka nevojë për mbrojtje dhe drejtim.

Kujdes ju mësues e mësuese, kur etiketoni nxënset tuaja, që sapo kanë filluar të piqen seksualisht, që shpesh nuk arrijnë të kontrollojë sjelljen apo fjalorin e tyre, jo pse janë të këqia por sepse janë të parritura dhe ju e keni për detyrë ti ndihmoni e drejtoni. Nëse ju me takt dhe kujdes, do ti ndihmoni të mësojnë të zhvillojnë më të mirën e veprimeve dhe të fjalorit të tyre, ato do t’ju jenë shumë mirënjohëse dhe do t’ju dëgjojnë si Perëndinë, pasi kështu është mësuesi për nxënësit.

Edhe djemtë mos i trajtoni si të fortë, por thjesht njerëz, që po rriten dhe, që janë njëlloj të brishtë si edhe moshataret e tyre vajza. Një fjalë e mirë e mësuesit është ligj, që ndërton dhe një fjalë e keqe, shkatron.

Prindër, mësues përpiquni t’i shihni njerëz fëmijët, ndihmojini të bëhen njerëz të mire, si djemtë dhe vajzat. Bëjini shtëpitë dhe shkollat vëndet ku fëmijët nuk tremben, diskriminohet, por mësojnë çdo çast të mirën dhe respektin për veten, tjetrin dhe jetën.

Për tu mësuar ky mësim duhet shëmbulli i të rriturve, pra i ju prindër dhe mësues. Edhe nje fjalë: kur e cilesojmë një njeri mashkull apo femër, automatikisht i kemi evituar fytyrën dhe i kemi evidentuar organin seksual, por çdo njeri njihet nga fytyra, pra kujdes, prindër, edukatorë, mësues e të rritur të tjerë.

Nga Lira Gjika