Jeta e pazakontë e 105-vjeçares shqiptare

35

Në muajin maj Fana Naci ka mbushur plot 105 vjeç. Ajo është e datëlindjes 9 Maj  1914 dhe në këtë mënyrë thyen rekordin  ne Fier ndoshta dhe më gjerë duke ja kaluar në dy vite edhe Hëna Omerit, historinë e së cilës Report Tv e solli dy javë më parë.

Fana Nace është martuar në vitin 1942 dhe nga kjo martesë ka lindur 9 fëmijë. Edhe pse në këtë moshë, ajo fizikisht është e shëndetshme.

105-vjeçarja rrëfen për Report Tv sekretin e jetëgjatësisë. Fana Naci ka përdorur një dietë ushqimore strikte dhe është marrë rregullisht me aktivitet fizik. Në një ditë të zakonshme atë e gjen duke bërë punët e shtëpisë, fshin oborrin apo merret me mirëmbajtjen e luleve.

Por nuk harron edhe të punojë me shtiza për të bërë çorape për familjarët.

Nuk ka asnjë sëmundje, nuk pi duhan, as pije alkoolike  dhe rrallë herë merr ilaçe. 105-vjeçarja rrëfen se gjatë rutinës ditore del ne fshat e takon njerëzit. E moshuara ka memorie të fortë dhe kujton ardhjen e italianëve gjatë Luftës së Dytë Botërore… Por edhe të gjermanëve në Shqipëri, dhe për secilin prej tyre ka nga një histori.

“Kur ishte Italia, vinin ushtarët këtu, se ushtria ishte afër. Vinin kërkonin vezë. Kishin vajtur tek një fukara ushtarët conin rrobat për t’i larë dhe kërkuar vezë. Keni vezë? “Non ce” (nuk ka) – i tha ajo. Kishte dëgjuar nga djemtë që mësonin gjuhën”, tregon 105-vjeçarja.

Ka bërë punë të ndryshme në bujqësi por më vonë profesioni i saj ishte rrobaqepësia deri sa doli në pension. Ajo rrëfen se ka qenë dy herë në Amerikë tek vajzat e saj, në vitin 1998 kur ishte 84 vjeç dhe në vitin 2002 kur ishte  98 vjeç.