I vdes foshnja 3 orë pas lindjes, nëna dhuron qumështin e gjirit për fëmijët e sëmurë

198
Djali i Sierra Strangfeld, i cili vuante nga një sëmundje shumë e rrallë e quajtur “Trisomia 18”, vdiq tri orë pas lindjes. Për t’i mbijetuar dhimbjes nëna zgjodhi një gjest altruizmi që t’u vinte në ndihmë fëmijëve të tjerë. Pasi lindi foshnjën me prerje cezariane, i cili fatkeqësisht jetoi vetëm pak orë, nëna vendosi ta dhurojë qumështin e saj për të porsalindurit më në nevojë.
Historia
Sierra ishte në gjysmën e shtatzanisë kur zbuloi se foshnja që mbante në bark vuante nga një sëmundje e rrallë. Të frikësuar nga fakti se Samueli i vogël nuk do të jetonte gjatë në mitrën e të ëmës, prindërit vendosën ta sillnin në jetë foshnjën përmes një operacioni urgjent. Foshnja arriti të mbijetonte vetëm për tri orë.
Në programin “Mirëmëngjes Amerika” gruaja përshkroi momentet e para (dhe të fundit) të ekzistencës së foshnjës së saj. “Duart e këmbët i kishte të mbledhura, ishte i vogël, por ashtu ishte perfekt. Luftoi aq shumë që të mund të na njihte. Fëmija jonë erdhi në jetë për një arsye”, ka rrëfyer ajo.
Ideja e dhurimit të qumështit të gjirit
Meqenëse vajza e çiftit ishte ushqyer me qumësht të dhuruar nga kunata e nënës së saj për një periudhë të caktuar kohore, Sierra vendosi të ndihmojë nënat e tjera. Duke deklaruar se gjithmonë ka dashur të kthente nderin për të ndihmuar nëna të tjera, Sierra tha se nëse do të kishte shanse për të mbijetuar, vogëlushi i saj do të ishte shpëtuar nga kujdesi intensiv, ndaj e kishte të qartë se për çfarë do ta përdorte qumështin e saj.
Bazuar një këtë nismë, Sierra Strangfeld dhuroi mbi 16 litra qumësht gjiri. Nëna ka bërë publik veprimin e saj përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Kur kuptova se isha përsëri shtatzënë, nuk doja asgjë më shumë se sa të isha e suksesshme në ushqyerjen me gji të fëmijës sim. Kur zbuluam dignozën e Samuelit, e dija që nuk do mund ta ushqeja me gji tim bir. Një shpresë vdiq.
Para se im bir të vdiste vendosa që ta dhuroj qumështin e gjirit. Mbi të gjitha, vajza ime Porter u ushqye me qumësht të dhuruar në më shumë se gjysmën e vitit të parë të jetës. Nuk munda ta shpëtoj jetën e Samuelit, por mbase mund të shpëtoj jetën e një fëmije tjetër.
Nxjerrja e qumështit nga gjiri është e vështirë mendërisht dhe fizikisht. Bëhet akoma më e vështirë kur s’e ke më fëmijën. Kishte raste që isha e zemëruar për faktin se kisha qumësht kur nuk kisha një fëmijë për ta ushqyer. U zgjova në mes të natës dhe ndjeva se ishte e vetmja gjë që më lidh mua me Samuelin këtu në tokë. Shpresoj se ai është krenar për mua.
Për 63 ditë pas lindjes së tij nxora qumësht gjiri. Sot dhurova qumështin. Ecja nëpër korridoret e spitalit duke ndjerë se po bëj një hap tjetër drejt shërimit të dhimbjes. Dhe unë e di, (sepse e ndieja), që Samueli ishte atje me mua.”