Gruaja që vrau tërmetin

47

Inxhinierja Luljeta Bozo, e cilësuar këto ditë të trishta për popullin shqiptar edhe si “gruaja që vrau tërmetin”, kritikoi politikën shqiptare të të gjitha kaheve, teksa foli për administratën.

Në një intervistë për gazetaren e “News24”, Rudina Xhunga, inxhinierja tha se administrata duhet të ketë njerëzit më profesionistë dhe është e papranueshme që të ndërrohet se sa herë ndërrohet qeveria. Sipas saj, duhet të bëhet patjetër një riorganizim i administratës.

“Administrata është një mekanizëm dhe aty duhet të jenë njerëz shumë kompetentë, që dinë të bëjnë punën e tyre dhe t’i shërbejnë njerëzve. Dhe administrata nuk lëvizet, kushdo qeveri që mund të vijë. Është mekanizëm, vjen qeveria e parë, ka në administratë, kjo vazhdon i shërben qeverisë së dytë që vjen. Qeveria e dytë i hedh edhe çik vaj që të punojë mekanizmi më mirë. Unë nuk kam informacion të saktë, por nga gjitha muhabetet që bëjmë, e kam provuar vetë, që të shkoj në një zyrë shteti, mua më zë tmerri se nuk gjej zgjidhje. Disa vite më parë, sepse tani nuk shkoj fare nëpër zyrat e shtetit. Por kjo vazhdon, që do të thotë se, ajo administratë nuk të shërben ty siç duhet dhe nuk mund të shërbehet vetëm te ai portali që ka hapur kryeministri. Duhet patjetër të bëhet një riorganizim i administratës, jo me njerëz me miq, jo me farefis, jo me probleme partiake”, tha Bozo.

Më tej, inxhinierja Bozo tregoi edhe momentin kur e kanë “përzënë” nga fakulteti me një shkresë, pasi kishte shërbyer për 45 vite me radhë, duke edukuar breza të tërë inxhinierësh. Ajo u shpreh se nuk i kishin thënë as një “faleminderit” për kontributin, por thjesht i kishin dhënë një shkresë, ku shkruanin “Më dy tetor mbushni 68 vjeç dhe më 4 tetor ndërprisni marrëdhëniet financiare, për efekt pension pleqërie”.

Pjesa e dytë e intervistës:

Rudina Xhunga: Po si ka mundësi, ju ishit ajo që ishit, ju nxorën në pension në mënyrë të padenjë dhe nuk u dorëzuat, nuk u fyet, nuk u larguat?

Luljeta Bozo: Në fakt pas një kërkese që kisha bërë një muaj përpara, ku kisha lajmëruar vetë shefat e mi që sipas ligjit: “Mua më takon që kur të mbush 68 vjeç, më lind e drejta të dal në pension dhe juve ju lind e drejta të më nxirrni në pension. Por kur ka interes institucioni dhe personi ka fuqi të punë dhe dëshirë, bëhet marrëveshje edhe zgjatet afati, një vit, dy vjet, tre vjet, aq sa ka takat ai të punojë.” Edhe bëra një kërkesë të tillë, sepse ishte tamam në kohë kur do të fillonim shkollën e doktoraturës. Për herë të parë do të behej doktoraturë në gjeoteknikë dhe gjithë programin e shkollës së doktoraturës e kam bërë unë. Një vit të tërë kam punuar për të gjithë specialitetet e ndërtimit.

Me kurrikula, me profesorët, me CV-të e profesorëve, me të gjitha. Dhe donim që vitin e parë ta provonim, sepse ishte viti i parë. Bëra një kërkesë të tillë, nuk më kthyen asnjë përgjigje. I bëra në të tria instancat, në departament, dekanat dhe rektorat. Të njëjtin tekst, vetëm, se ua kisha çuar drejtuesve të ndryshëm. Dhe një javë para se të ndodhte kjo, e pyeta dekanin që ishte në atë kohë, dhe i thashë: “Të vazhdoj, të parashikoj ngarkesën?” “Po pa diskutim!”, më tha. Unë isha shumë e qetë që do të vazhdoja. Kur shkova kot, në dekanat, e pashë atë sekretaren shumë të shqetësuar, që vërtiste një shkresë në dorë. Më shkoi mendja me thënë të drejtën. Edhe i thashë: “Çfarë e ke atë moj çupë, e ke për mua?” “Po, por është turp të ta jap unë.”,- më tha ajo. “Këtë as unë jo e jo që nuk kam fytyrë t’jua jap juve, por as dekani s’duhet. Duhet t’jua japë rektori këtë shkresë. Kisha 45 vjet në fakultet, pa ndërprerje. Merreni me mendim qindra breza inxhinierësh, sa doktoratura kisha udhëhequr, e sa libra kisha bërë. Domethënë kisha dhënë maksimumin, kisha punuar me shpirt dhe vazhdoj të punoj.

I thashë asaj: “Përderisa është për mua, çfarë ke ti që shqetësohesh?” Në shkresë thuhej: “Më dy tetor mbushni 68 vjeç dhe më 4 tetor ndërprisni marrëdhëniet financiare, për efekt pension pleqërie.” Po thuaj ore, faleminderit që ke shërbyer 45 vjet, të kushton gjë një fjali? E mora dhe më 4 tetor që do të ndërprisja marrëdhëniet, më bie telefoni, më ftuan në një universitet privat, Epoka, pastaj Polisi ku jam ende.

Rudina Xhunga: Çfarë viti ndodhi kjo?

Luljeta Bozo: Në 2010-ën

Rudina Xhunga: I është harruar emri atij që firmosi, për largimin tuaj?

Luljeta Bozo: Po çfarë rëndësie ka! Them që nuk veprohet në këtë mënyrë, me njerëz që kanë dhënë shumë, me njerëz që e vlerësojnë që kanë dhënë shumë, dhe që kishin nevojë. Sepse mua, më shumë se kjo, me vrau fakti që më bën një propozim sikur mos të kisha ekzistuar. Kisha 6 lëndë që jepja, minimalja që mund të thoshin ishte: “Luljeta do t’i mbash këto 6 lëndë si e jashtme?” Mund ta bënin këtë propozim, sepse si të jashtëm marrin kë të duan. Por 6 lëndë po t’i mbash shteti të paguan, 150 orë, s’të paguan më shumë. Absolutisht, sikur nuk kisha ekzistuar dhe kjo më vrau më shumë.

Por pastaj e mblodha mendjen dhe thashë: “Njeriu që është punëtor e gjen veten gjithandej.” Lloj-lloj presionesh mund të kesh pasur në jetë, por njeriu që punon, del gjithmonë në sipërfaqe. Dhe them se vetëm puna të nxjerr lart. Asgjë tjetër. As dallaveret, as paratë. Puna të nderon gjithë kohës.
I jap këshillë gjithmonë studentëve të mi: “Vetëm punoni, mos shkelni mbi profesioni tuaj.”

Rudina Xhunga: I bie që studentët kanë shkelur mbi profesionin e tyre, sepse ky vend, me këto ndërtime, me kaq probleme.

Luljeta Bozo: Duhet të bëjmë një dallim, para ’90-ës, nuk diskutohet që të shkelje në cilësi.

Rudina Xhunga: Nga frika?
Luljeta Bozo: Jo, në universitet ishte një vlerësim shumë objektiv, në inxhinieri, nuk flas për fakultete të tjera. Studenti që ishte i dhjetës, ishte i dhjetës. Ai që ishte i pesës, ishte i pesës. Ai që s’e bënte inxhinierinë, ikte. Ajo që ishte e rëndësishme para ’90 ishte fakti që në universitet kishte një 15%, që ishin lokomotiva shumë të mira, pastaj një 80% që ishin mesi, që ushqente këto lokomotiva, por tërhiqte bishtin, që ishte 10%. Këto dy të fundit janë ndërruar.

Rudina Xhunga: Është bishti në fillim!

Luljeta Bozo: Jo në fillim është 15%, edhe te publiku edhe te privati, por ky mesi ka ndërruar vend me bishtin. Kështu që bishti është bërë pjesa dërmuese, mesi ka mbetur në fund fare. Kjo duhet të ndryshojë, por ndryshimet në arsim, janë shumë të ngadalshme. Domethënë është shumë kollaj të prishësh një sistem arsimor, siç e kemi prishur, vite me radhë dhe kjo është fatkeqësi për kombin. Sepse po prishe arsimin, ke prishur atë fushë që krijon trurin e kombit. Ku do të shkojë kombi pa tru? Nëse ke prishur arsimin, ke prishur të ardhmen e kombit. Dhe arsimi ka pësuar një shok të butë, s’po e them të menjëhershëm. Ka vite që ka degraduar që nga fillorja, nëntë vjeçarja, shkolla e mesme. Ka luajtur një rol shumë negativ krijimi i gjithë atyre universiteteve, si kërpudha pas shiut, ku shiteshin diplomat dhe nuk bëhej asgjë. Dhe nga këta inxhinierë ka plot, që kanë blerë diploma, ata nuk janë inxhinierë.

Ne kemi shumë inxhinierë të mirë, edhe para ’90-ës, edhe pas saj. Duhet të shikohet si kanë qenë rezultatet e tyre, kush i teston që këta janë shumë të mirë? Ka një organizëm që thotë se, ky po i ka të tëra kapacitetet që të bëjë projektin? Se s’mund ta bëjë projektin kushdo. Shkatërrimet dhe dëmtimet ndodhen se, u morën me ndërtimin ata që s’duhet të merreshin. Nuk duhet të merret në ndërtim, një që s’ia ka haberin si projektohet. Një inxhinier që nuk di sa është sipërfaqja e një trekëndëshi, që e di edhe një që nuk është inxhinier, që ngatërron figurat gjeometrike. Në këtë nivel vijnë nganjëherë në universitet, por jo të gjithë.

Rudina Xhunga: Këta që kanë krijuar këtë pjesën e madhe të bishtit që dikur ishte në fund dhe tani kanë bërë mesin, kjo i ka bërë njerëzit pesimistë? Duan ta lënë vendin, sepse kanë frikë të drejtohen nga bishti.

Luljeta Bozo: Po, kanë frikë se do të drejtohen nga bishti. Ka një fatkeqësi, nuk flas vetëm për këtë qeveri, por për të gjitha. Administrata është një mekanizëm dhe aty duhet të jenë njerëz shumë kompetentë, që dinë të bëjnë punën e tyre dhe t’i shërbejnë njerëzve. Dhe administrata nuk lëvizet, kushdo qeveri që mund të vijë. Është mekanizëm, vjen qeveria e parë, ka në administratë, kjo vazhdon i shërben qeverisë së dytë që vjen. Qeveria e dytë i hedh edhe çik vaj që të punojë mekanizmi më mirë.

Rudina Xhunga: Thjesht hidhi vaj, mos e ndërro administratën!

Luljeta Bozo: Në asnjë mënyrë si mund të heqësh administratën? D.m.th, ata që janë profesionistë. Unë nuk kam informacion të saktë, por nga gjitha muhabetet që bëjmë, e kam provuar vetë, që të shkoj në një zyrë shteti, mua më zë tmerri se nuk gjej zgjidhje. Disa vite më parë, sepse tani nuk shkoj fare nëpër zyrat e shtetit. Por kjo vazhdon, që do të thotë se, ajo administratë nuk të shërben ty siç duhet dhe nuk mund të shërbehet vetëm te ai portali që ka hapur kryeministri. Shumë mirë, se venë direkt. Por nuk mund të zgjidhen me një, është administrata. Është puna e saj, ajo duhet ta bëjë. Bravo i qoftë që e ka bërë portalin që jep mundësi të zgjedhin një, dy apo tre, por hallet e njerëzve janë pafund. Duhet patjetër të bëhet një riorganizim i administratës, jo me njerëz me miq, jo me farefis, jo me probleme partiake.

Rudina Xhunga: Ju me partitë jeni përzierë ndonjëherë?Luljeta Bozo: Asnjëherë!

Rudina Xhunga: I keni mbajtur larg?

Luljeta Bozo: Jo, unë jam shumë objektive. Kur X parti e ka shumë të drejtë një gjë, që më duket mua, se unë s’jam Perëndi. Kam mendimin tim, e them vetë, këtë e kam mirë, këtë s’e kam. Jam shumë e zhveshur nga kjo punë. Në disa emisione, shikoj që bam-bam-bam, se e kemi atë shpirtin e kritizerit, e kemi të tërë. Mirë është të kritikosh, por me anë e me udhë.

Rudina Xhunga: Por po s’je profesionist, kritik do të jesh.

Luljeta Bozo: Mirë, por me anë e me udhë. Tërmeti është një situatë e jashtëzakonshme dhe shok pësojnë njerëzit, shok pëson edhe qeveria. Është një goditje e madhe, e merr veten. Puna është të mos rrish shumë kohë pa e marrë veten. Qeveria e mori veten shpejt dhe menjëherë filloi me ato mënyra që mundi të bëjë për momentin. Tani për më tutje është mirë të marrë mendimin e ekspertëve për të vazhduar punën. Ekspertë flas gjithmonë, njerëz me shumë eksperiencë. Jo ekspertë 30-vjecarë. Unë nuk kam asgjë për të riun, ai shyqyr që punon, fiton eksperiencë. Por nuk e ka eksperiencën e 60-70-vjeçarit, i cili s’po të kërkon ndonjë para të madhe, po ta jep mendjen pa para fare, sepse në të gjithë botën mendja blihet.

Rudina Xhunga: Çfarë ndieni në emisione, kur të ftojnë? Ndieni që duan të kritikojnë gjithë kohën?

Luljeta Bozo: Jo e shikoj që kritikojnë, jo s’është bërë kjo, jo s’është bërë ajo. S’mund të bëhen të gjitha menjëherë. Edhe njerëzit janë pak të paduruar, s’kanë faj kanë mbetur përjashta, kanë frikë të futen nëpër shtëpi. Shtëpitë i kanë në rregull. Shkon një ekspert që është pa eksperiencë, shikon një plasaritje të hollë dhe thotë është e pabanuar. M’i treguan sot, se sa herë shkoj në televizion dhe më nxjerrin fotografitë, “Shko si i kam unë!”,- më thonë (Qesh).

Rudina Xhunga: Ju marrin edhe nëpër shtëpi, t’i shikoni?

Luljeta Bozo: Po kam shkuar nëpër shtëpi. Por nuk mund ta nxjerrësh ti të pabanuar, dhe t’i prishësh gjithë qetësinë që ka ajo familje. Ajo familje atje ka jetën e vet, ka fëmijët. Atje relaksohet, merr fuqi, që të vazhdojë të nesërmen punën.

Rudina Xhunga: Si kjo shtëpia juaj, që nuk pranoni ta lini e të ikni te fëmijët?

Luljeta Bozo: Jo nuk iki, për dy arsye. E para, se kam 25 vjet këtu në këtë shtëpi, se kam ndërruar disa shtëpi dhe kam të gjithë kujtimet e mia me Todin. E dyta, kur punoj, kam një favor që nuk e kanë të tjerët. Dal një çik në oborr, shikoj gjelbërim, merrem me lulet, kam gjithë lagjen që i njoh njerëzit. Kështu që kjo është ajo çfarë më mban këtu. Unë jam një grua që akoma punoj, jam aktive. Mbi të gjitha më punon truri. Dua ta organizoj jetën siç dua vetë. Jam shumë e pavarur.

Rudina Xhunga: D.m.th ky vendi, që është Shqipëria, nuk e pengon, qoftë grua, qoftë burrë. Po doni të punoni, do të punoni. Nuk ju pengon njeri të punoni?

Luljeta Bozo: Absolutisht. Dëgjoj njerëz që thonë; do të iki se nuk ka punë. Ore puna nuk të vjen nga qielli. Punën duhet ta kërkosh vetë, dhe duhet ta krijosh ti mundësinë për të punuar. Do ju jap një shembull; Një vajzë nga veriu kishte mbaruar shkëlqyeshëm veterinarinë, në Universitetin Bujqësor. Një vajzë që e kishte me pasion, por s’kishte punë. Çfarë bëri? Një të marrë në këmbë, i ra kësaj zonës këtu për të parë se kush ishin ato godina që ishin lënë djerrë. Ajo vajti te shumë dhe njërit i tha; ti kotë e ke këtë, a ma jep mua me qira? Ai i dha një çmim dhe vajza ju kthye duke i thënë; po ti kot ke, rrimë me kaq. Bereqaves, po merr një gjë. E zgjodhi të kishte ujin afër, energjinë afër, rrugën afër. Dhe si vajzë e zgjuar që ishte bëri një plan-projekt biznesi. E paraqiti atje ku duheshe, i dhanë fonde dhe ka bërë fermën më të mirë dhe të gjithë prodhimet i ka të certifikuara nga Evropa dhe i shet jashtë. D.m.th po të duash të punosh e gjen punën. Po të rrish gjithë ditën duarkryq, të shkosh në kafene duke marrë nëpër gojë njerëzit. Kështu që ka mundësi pa fund.

Rudina Xhunga: Njerëzit ju pyesin për shtëpinë, ju pyesin për hallet e tyre, po për ju, ju pyesin si jeni?

Luljeta Bozo: Si thotë ai: “Fshati që duket nuk do kallauz.” Unë kështu i referohem popullit, se është filozofi më i madh. Kështu që referoju atij dhe je në rregull.

Rudina Xhunga: Ok, unë do t’ju shoqëroj pak tek oborri. Se më thatë nuk kishit kohë të fshinit oborrin. Edhe oborrin e fshini?

Luljeta Bozo: Po, po e fshij, shtëpinë njëherë në dy javë. Është e fundit në listë sepse është një punë jo produktive. E para është ajo kryesorja. Vijnë me radhë të gjitha gjërat.

Rudina Xhunga: Si është radha?

Luljeta Bozo: Puna e para, e dyta gatimi. Kur kisha Todin ia bëja të gjitha, thosha kam çunin e madh.

Rudina Xhunga: Dhe pinit bashkë atë gotën e verës në drekë?

Luljeta Bozo: Po, po, edhe u thosha atyre, kudo që të isha, në punë, apo kudo. Këto vitet e fundit, se kishte problem me shëndetin. Todi ka qenë njeri shumë I rregullt. Drekën e kishim në 12 e 30 ose 13. Po të kalonte ora, telefonin. Vajti ora më thoshte. Edhe unë thosha, ika se më ka rënë zilja, kalamajtë e kopshtit duan të hanë bukën. Pastaj shtëpia kur të kemi kohë. Shëtitjet patjetër. Daljet në natyrë, patjetër. Unë çdo mëngjes, po nuk bëra nja 5 kilometra në këmbë, nuk jam në gjendje për punë. Siç duket kullon gjaku, ushqen trurin me oksigjen, fillon punën. Gjatë gjithë rrugës mendoj se çfarë do të bëj, ose bashkëbisedoj me Todin. Kur ra tërmeti më doli. Unë s’besoj në këto gjëra shpirtërore, por kotë nuk thotë populli; ndërroi jetë, iku nga një jetë shkoi në një jetë tjetër. Nuk është më fizikisht, po shpirtërisht është. Unë mendoj se njeriu vdes kur harrohet. Për sa kohë nuk harrohet, ai është gjatë.

Rudina Xhunga: Erdhi atë natë, kishte merak për ju?

Luljeta Bozo: Erdhi. Hera e parë që e kam parë aq të gjallë. Nuk ju kam thënë as kalamajve, ty ta thashë të parën. Më mungon. Nganjëherë kur mërzitem shumë, shumë, njerëz jemi dhe mërzitemi, jo vetëm për Todin, por dhe për gjëra të tjera. Iki te 21-shi, se nuk dua të bezdis fëmijët se kanë punët e tyre. Shkoj të 21-shi, gjej furgonin, për dy orë shkoj në Vlorë. Deti mua më relakson. Në Vlorë gjej qetësinë më të madhe.

Rudija Xhunga: Jo i Durrësit, s’jua mbush mendjen i Durrësit?

Luljeta Bozo: Jo në Durrës nuk shkoj asnjëherë, nuk më ka pëlqyer. Edhe kur i kisha fëmijët e vegjël, vetëm njëherë kam shkuar. Të preferuarat e mia kanë qenë, Vlora, Shëngjini dhe Divjaka, Shëngjini kishte rërë shumë të mirë dhe malin shumë të bukur, që bëhej kurs alpinizmi. Shkonim ne dhe të gjithë ngjisnim malin e Shëngjinit. Ndërsa Divjaka ka atë pyllin që është I paparë.

Rudina Xhunga: Çfarë vendi të bukur kemi?

Luljeta Bozo: Ne e kemi vendin fantastik. Prandaj të ikin njerëzit dhe të lënë këtë vend është mëkat. S’e kuptojnë se çfarë kanë lënë. I kanë të gjitha këtu. Epo nuk bëhet. Si mo nuk bëhet? Puno se bëhet. Pa punë nuk bëhet asgjë.