Fshehurazi prindërve dhe burrave, gratë në Irak udhëheqin revoltën

13
Që prej tetorit, një valë protestash antiqeveritare ka përfshirë Irakun. Protestuesit përfaqësojnë një ndarje të shoqërisë dhe në mënyrë të pazakontë për një vend tradicional patriarkal, gratë kanë marrë një rol udhëheqës.

Në shumë mure të kryeqytetit të Irakut, Bagdatit janë realizuar me dhjetëra vizatime që theksojnë forcën e grave.

Epiqendra e protestave është shndërruar në një qendër të rezistencës krijuese. Muralet i dedikohen frymës dhe forcës së grave irakiane të cilat janë shndërruar në imazhe të protestës.

Pjesa më e madhe e veprave murale janë realizuar nga gratë, të cilat përmes artit synojnë të nxjerrin në pah rolin e tyre gjithnjë e më aktiv në kërkimin e formësimit të së ardhmes së tyre.

Demonstratat dhe vizatimet kanë bërë të mundur që gratë të krijojnë një komunitet kolektiv, të rimarrin identitetin e tyre kombëtar dhe të rishkruajnë historinë e tyre.

Megjithë kundërshtimin nga prindërit dhe burrat për frikën për sigurinë e tyre, ku më shumë se 400 njerëz janë vrarë nga forcat e sigurisë, gratë vazhdojnë të bashkohen në demonstrata, ndonjëherë fshehurazi.

Për gratë, të cilat në të kaluarën janë lënë pas dore nga lëvizjet politike, mungesa e ndonjë axhende politike që të drejtojë këtë revoltë, i ka nxitur ato të marrin pjesë.

Në një shoqëri ku burrat dhe gratë rrallë kanë protestuar së bashku, fakti që ata po punojnë së bashku në interes të arritjes së një qëllimi të përbashkët është një arritje e rëndësishme sociale.