Çdo ditë dhunohen 10 gra, ngacmimet seksuale nuk raportohen

36

Dhuna dhe ngacmimet me sfond seksual janë të pranishme në shumë mjedise, nga rrugët, sheshet dhe autobuzat e transportit publik deri zyrat dhe vendet e tjera të punës. Por shumë prej këtyre episodeve ende nuk denoncohen si pasojë e stigmave në shoqërinë tonë.

Minimalisht çdo ditë dhunohen 10 gra. Të dhënat e policisë tregojnë se gjatë vitit 2018 janë dëmtuar nga dhuna në familje 3690 gra dhe vajza. Ndërsa në 8 muajit e parë të këtij viti janë janë raportuar 3,184 raste të dhunës në marrëdhëniet familjare dhe 1,924 kërkesë padi për urdhër mbrojtje. Shqetësuese janë edhe ngacmimet dhe abuzimet seksuale, por ato raportohen shumë më pak.

“Ka ardhur koha që dhunimit seksual dhe përdhunimit duhet t’i japim një goditje të ashpër, duke e konsideruar si një krim që kryhet ndaj femrave kur ngacmohen qoftë për shkak të moshës minorene, qoftë në vendin e punës apo kudo tjetër”, shprehet socilogu Gëzim Tushi.

Dhuna dhe ngacmimet sekuale në vendin tonë kanë qenë edhe në fokusin e samitit të dytë të vajzave të zhvilluar nga rrjeti kombëtar për të rinjtë në Shqipëri.

“Nëse jemi pre e familjeve të dhunshme, atëherë do të prodhohen edhe të rinj të dhunshëm. E shohim si fenomen shqetësues në shoqërinë tonë e cila është ende e brishtë dhe e ndikuar nga fenomenet e reja që po shfaqen, edhe për shkak të tranzicionit që vijon në vendin tonë”, shprehet Alisa Sulçe, anëtare e Parlamentit rinor.

Ngacmimet seksuale, një fenomen që ende nuk kanë marrë vëmendjen e duhur për t’u denoncuar publikisht, pranohen nga shumë qytetare si realitet.

Ngacmimet në rrugë dhe mjedise të tjera, vecanërisht në mjetet e transportit publik, janë shumë të përhapura dhe janë shndërruar në shqetësim për gratë dhe vajzat.

Klanplus.al