Vetëvrasja e 16 vjeçares, psikologia Besarta Taçi: I kemi braktisur adoleshentët

512

Një 16 vjeçare u përcoll sot për në banesën e fundit në një fshat të Beratit, pasi një ditë më parë vendosi ti japë fund jetës ende të panisur mirë duke u vetëhelmuar me fostoksinë. Lajmi i vdekjes së saj, nuk bëri shumë bujë në media, e as nuk tronditi shumë njerëz. Në Shqipëri zakonisht njerëzit reagojnë kur ngjarja ka “zë e figurë”, reagojnë për ato vrasjet tragjike në mes të bulevardit të vajzave apo grave nga ish bashkëshortët apo partnerët e tyre, por edhe në ato raste reagimi është kryesisht keqardhje e jo analizë e thellë e asaj çfarë po ndodh në shoqëri.
Por vetëvrasja e Adelës duhet të kishte shkaktuar tronditje të fortë, sepse vajza nuk duroi dot presionin që një bashkëmoshatar i bënte përmes celularit, një forme bullizmi që sot është përhapur në përmasa të frikshme për shkak të rrjeteve sociale. Dhe kur një adoleshente i jep fund jetës për të tilla arsye apo edhe tw tjera, kjo duhet të na alarmojë të gjithëve, pasi kërcënimi përmes publikimit të videove intime mes të rinjve po shndërrohet njw problem madhor për shoqrinë. Lajmin e vdekjes së adoleshentes e pashë ndërsa zbardhja një intervistë të psiko-seksologes Besarta Taçi që kisha realizuar pak ditë më parë, fokusuar më shumë tek problemet gjinore me të cilat përballen adoleshentët (të cilin do ta publikoj në një tjetër moment) dhe nuk mund të mos i bëja jehonë apelit të saj të fortë mbi braktisjen që i kemi bërë si shoqëri adoleshentëve.
“Format dhe mënyrat sot kanë ndryshuar sepse janë transferuar në botën virtuale duke amplikifikuar situatat e viktimës dhe agresorit. Çfarë do të thotë kjo? Që shpesh herë pas një viktime të bullizmit fshihet edhe një situatë familjare, shkollore ku jo gjithmonë bullizohen fëmijët që janë të dobët fizikisht, apo të dobët në shkollë. Aktualisht, pra sot në 2019-ën bullizohen edhe fëmijët që kanë aftësi sociale, shkojnë mirë me mësime, ndoshta janë të aftë edhe në ndonjë sport specifik. Por për arsye të ndryshme, ku përfshihen edhe mos aftësia e dikujt tjetër që të identifikohet dhe të jetë si ai apo ajo bashkëmoshatare, këto lloj adoleshentësh sulmohen gjatë gjithë kohës, me postime, foto apo video”-thotë Taçi.
Por kur e pyeta se cilët janë ata që ngacmohen apo bullizohen më shumë, përgjigja e saj, më solli menjëherë ndërmend 16 vjeçaren që sot u përcoll për në banesën e fundit. Adela, siç përshkruhet nga fqinjët dhe drejtuesit e shkollës, ishte mjaft e zgjuar dhe nxënëse me nota të shkëlqyera. “Psh, kemi një adoleshente që shkon shumë mirë me mësime, madje fizikisht është e pëlqyeshme nga bashkëmoshatarët e saj, dhe stërvitet në një sport të caktuar. Por adoleshentët e tjerë që ndihen disi të frustruar sepse nuk arrijnë të jenë si ajo, apo të identifikohen me karakteristika të ngjashme, e sulmojnë për ndonjë aspekt që mund të duket shumë banal por që për adoleshentët është shumë e rëndësishme. Dhe ky sulm mund të bëhet viral, në një formë edhe ndëshkimi. Një sjellje e tillë e përsëritur në kohë, ka efekte edhe tek vetëbesimi, kështuqë ndikon tek gjumi, tek e ngrëna e shumë gjëra të tjera dhe shkakton një humor pak depresiv. Këta janë adoleshentët më popullorë në shkollë, më liderë, më të aftë dhe që sulmohen më shumë”.

A janë vajzat më shumë viktima të bullizmit?

“Jo gjithmonë, kjo varet nga tipologjia e bullizmit. Sigurisht për ngacmimet që kanë të bëjnë me fizikun, veshjet apo me seksualitetin, janë vajzat ato që sulmohen më shumë. Përsa i përket aspekteve si forca fizike, janë djemtë ata që janë viktima më shumë të bullizmit. Fatkeqësisht duhet thënë që bullizmi i sjelljes apo I dhunës fizike është më prezent tek meshkujt, ndërsa bullizmi i transferuar në botën virtuale është më prezent tek vajzat. Por në total, të dyja palët janë viktima të bullizmit”.
Taçi është Drejtoreshë e Qendrës Klinike të Psiko-traumatologëve EMDR dhe pas një eksperience disa vjeçare në Itali me adoleshentë në pritje të gjykimit që kanë kryer vepra penale, aktualisht trajton adoleshentë dhe të rritur me probleme të ndryshme në fushën e psikoseksologjisë. Prej kohësh ajo kryen trajnime të ndryshme për problemet që prekin fëmijët dhe adoleshentët, dhe çuditërisht ka një dallim të madh për nga interesi dhe pjesëmarrja.
“Absolutisht po, i kemi braktisur adoleshentët. Adoleshenca është periudha që e lëkund fort prindërimin dhe shpesh herë prindërit ndjehen të frustruar e madje izolohen. Pra përfundojnë duke e diskutuar me një mikeshë, kunatën apo një të afërm që e pyesin: Po ti si ja ke bërë? Po sot adoleshentët nuk dëgjojnë, në kohën tonë gjërat ishin ndryshe, etj, etj. Kjo nuk është e vërtetë. Çdo kohë prodhon adoleshentët që meritojmë, që do të thotë se jemi ne që krijojmë gjeneratat e ardhshme, që edukojmë brezat e ardhshëm. Ne sot flasim për të lindurit dixhitalë. Ne duhet të kuptojmë që adoleshentët e sotëm kanë lindur në një epokë ku momenti i lindjes apo minutat e para të jetës janë filmuar”.
Taçi ka trajtuar edhe adoleshentë të cilët kanë tentuar të vetëlëndohen apo vetëvriten si pjesë të punës së saj, dhe sheh një braktisje të tyre nga e gjithë shoqëria, duke filluar që nga familja. “Ajo që më tremb më shumë është perceptimi i shkollës si tip parkingu dhe asgjë më shumë, që do të thotë se adoleshentët përjetojnë një situatë të vështirë në shtëpi. Jemi në 2019-ën, ritmet janë shpejta dhe prindërit janë shumë të angazhuar. Ndërkohë në shkollë, mësuesit nuk arrijnë dot sot të kuptojnë se si ka ndryshuar adoleshenca sot. Atëherë këta adoleshentë, ka ardhur momenti ti njohim? Apo do ti izolojmë, do ti përjashtojmë? Më telefonojnë prindër, fëmijët e së cilëve kanë bërë tentativë për vetëvrasje apo janë të bullizuara dhe prindërit kanë frikë se është ngacmuar seksualisht. Dhe kur unë kërkoj që të vijë nëna dhe babai së pari, e pastaj të takoj vajzën apo djalin, shoh një ndrojtje. “Jo po problemi është i vajzës, nuk kemi gjë ne”.
Jo në fakt, duhet kuptuar se problemi nuk është vetëm i vajzës, por edhe i familjes, i shkollës dhe gjithë komunitetit. Atëherë, kjo mënyra e delegimit që unë bëj rolin tim si nënë vetëm brenda 4 mureve të shtëpisë apo unë bëj rolin tim si mësuese vetëm në orën time të mësimit nuk i ndihmon. Nëse je mësues, je edhe jashtë oborrit të shkollës, edhe kur ke mbaruar orën tënde dhe sheh një sjellje që nuk është funksionale. Je mësues në një kontekst edukativ dhe ky edukim nuk mund të kalojë përmes një toni zëri totalisht agresiv. Sepse adoleshentët ndjehen gjatë gjithë kohës në presion. Pse sot një mësues duhet të arrijë të ulërijë në shkollë? Pra këta adoleshentë nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar nga të rriturit, që do të thotë se ata nuk kanë modele edukativë, një model të rrituri që do të donin të bëheshin. Ata ndjejnë që nuk kuptohen nga prindërit, e ndjejnë veten që shkolla nuk i përfaqëson, nuk u jep hapësira për të ndërvepruar, por thjesht bombardohen me detyra dhe u krijojnë ankth”.

Erjona Rusi