Poetja shkodrane Halilaj: E palogjikshme se si jeta jonë përcaktohet nga një organ gjenital

746

Përse shoqëria shqiptare pranon më lehtë një burrë të dhunshëm se sa një burrë “të dobët”? Kjo ndodh sepse frika nga paragjykimi, nga humbja e respektit, nga mospranimi i shoqërisë dhe familjes, bën që burrat në Shqipëri të shtypin dhe vrasin brenda vetes ndjenjat më njerëzore dhe më të natyrshme, me frikë se ata (burrat) nuk duhet të sillen si gra. I këtij mendimi është poetja shkodrane Suada Halilaj, poezia e së cilës “Edhe burrat dinë me dasht” tashmë është kthyer në një himn kundër dhunës.

Dëshmitare e dhunës në realitetin shqiptar, Ada e cila prej vitesh shkruan poezi ku shpesh gruaja është në qendër, vendosi të përdorë sërish armën e saj më të fortë për ta goditur fenomenin e dhunës ndaj grave, fjalën. Ishte shoqata “Gruaja tek gruaja” në Shkodër që i kërkoi asaj të shkruante këtë poezi si pjesë e një fushate që ka nisur prej 5 vitesh, për të mbërritur më pas tek kënga. Në një intervistë për Bitchmagazine.al, Suada rrëfen gjithçka e frymëzoi për këtë poezi, përfshirë këtu edhe realitetin e “egër” që e ka rrethuar në fëmijëri por që I mësoi asaj pikërisht padrejtësitë që u bëhen grave vetëm sepse janë gra.

  1. Pse kjo poezi, çfare të ngacmoi apo frymëzoi?

Në fakt, nuk dua të marr merita që nuk më përkasin, titulli “ Edhe burrat dinë me dashtë” mu propozua nga shoqata “Gruaja tek Gruaja”, ndërmjet mikeshës teme Silva dhe ky titull ndezi menjëherë nevojën time për të shkruar. Fatkeqësisht, gjithmonë, dhuna ndaj grave përplaset në tryezat e diskutimeve apo në ekranet televizive apo në debatet familjare si çështje apo problem i grave. Grave ua zhveshim trupin për t’u parë njollat e dhunës. Grave ua rrëfejmë historinë, ua zbardhim identitetin, ua cënojmë pavarësinë e i futemi në shtëpi e në shpirt vetëm për hir të kureshtjes tonë aspak delikate.

Pyesim “kush ishte viktima” e jo kush ishte dhunuesi. Themi “mbroni vajzat” dhe jo “edukoni djemtë”. Dhunuesin e quajmë viktimë e të dhunuarën e quajmë provokuese. Njëherë e përgjithmonë, duhet të kuptojmë  që dhuna gjinore, dhuna ndaj grave, vrasja e grave asht problem i burrave, asht faji i burrave, prandaj duhet të kthejmë sytë nga burrat, të marrim në pyetje burrat , të ndalojmë dhe dënojmë burrat e dhunshëm dhe ta shohim problemin, në rranjën e tij.

Burrat, sot më shumë se kurrë, meqë burimet e informacioneve janë të panumërta dhe të gjithë e dime mirë se dhuna gjinore nuk është një shpikje feministe dashakeqe apo një ekzagjerim i grave të “dalura mendsh” por një fakt, i trishtë e i dhimbshëm, por ama fakt. Vetë burrat duhet të kërkojnë, spontanisht, të jenë pjesë e diskutimeve të tilla, duke qënë të parët në rradhë për ta dënuar dhunën dhe luftuar atë, pa u prekur në sedër e pa nxjerrë në breg parullën “jo të gjitha burrat jemi njësoj” sepse e dimë.

E dimë që jo gjitha burrat janë njësoj. E dimë që edhe burrat dinë të duan. E dimë që edhe burrat janë viktima. Por shumica e burrave, shumica e baballarëve, vëllezërve dhe bashkëshortëve ushtrojnë dhunë sistematike mbi vajzat dhe gratë, brenda familjes dhe jashtë saj e e shumë pak prej tyre, fatkeqësisht shumë pak, pranojnë që dhuna nuk është një zgjidhje njerëzore por një zgjedhje ç’njerëzore.

  1. Si mendon, pse e kanë kaq të vështirë djemtë apo burrat shqiptarë të qajnë, të kenë frikë, të shprehin dobësi apo dashuri?

Me të njëjtën forcë që shoqëria i stërvit vajzat të shndërrohen në gra të urta, të bindura dhe të devotshme, stërvit edhe burrat të jenë të fortë, trima e të pandjeshëm. Njeriu asht qënie e thjeshtë, mëson atë që i mësohet. E burrave jo vetëm nuk i asht mësuar dashuria por pushteti, dhe vetë dashuria iu asht treguar si një ndjenjë e dobët, delikate, e brishtë, tipike “femërore”.

Në kontekstin kulturor shqiptar, një burrë që qan, që shpreh emocionet e tij, që e manifeston dashurinë ashtu siç dashuria meriton të manifestohet, butë e qetë, jo vetëm që tallet, përqeshet dhe diskriminohet nga “aleanca” e burrave të tjerë por edhe akuzohen si deformues i karakterit tradicional burrëror.

Frika nga paragjykimi, nga humbja e respektit, nga mospranimi i shoqërisë dhe familjes, bën që burrat të shtypin dhe vrasin brenda vetes ndjenjat më njerëzore dhe më të natyrshme, vetëm sepse burrat nuk duhet të sillen si gra. Prandaj në këtë alkatraz ndjenjash, burrave iu hiqet e drejta të derdhin lot, të shohin filma romantikë, të kenë emocione, ta shprehin dashurinë, të kujdesen për shtëpinë, të gatuajnë, të trajtojnë gruan si njeri i barabartë me to, në të drejta e detyrime, sepse shoqëria e dënon dhe përçmon një model të tillë.

Shoqëria pranon pa asnjë trazim një burrë të dhunshëm, por jo një burrë të “dobët”. Ajo që i ndodh vajzave dhe grave, djemve dhe burrave në shoqëri fanatike, patriarkale dhe të ndërtuara mbi role gjinore të ndara me thikë, nuk asht rastësore, as e papritur. Në secilin fëmijë që rrisim dhe edukojmë sot, fshihet një dhunues dhe një viktimë e mundshme. Prandaj edukimi i drejtë dhe i barabartë i vajzave dhe djemve, ka një urgjencë të madhe sot.

Asht kaq e palogjikshme dhe e padenjë sesi jeta jonë përcaktohet nga një organ gjenital.

  1. Ti vetë a je rritur në një mentalitet patriarkal? E ke ndjerë këtë gjë në qytetin tënd në Shkoder apo në Shqipëri? Si është ndryshimi me kulturën apo ambjentin në Itali ku ti jeton tashmë?

Unë jam rrit në një familje të shëndetshme dhe shumë paqësore, nga dy prindër që edhe pa e njohur feminizmin apo barazinë gjinore, ma kanë mësuar atë. Midis meje dhe vëllait tim nuk ka pasur asnjëherë asnjë dallim apo trajtim ndryshe, që nga punët e shtëpisë dhe deri tek ndarja e pronësisë. Jashtë derës së shtëpisë time, realiteti kishte fytyrë të egër e ndoshta ky kontrast, midis asaj që përjetoja personalisht dhe asaj që shihja përtej fatit tim, më ka afruar kaq shumë me gratë. Që e vogël, kam jetuar midis dy realiteteve, atij të qytetit, ku unë jetoja me prindërit e mi dhe atij fshatit ku jeton gjyshja ime.

Në qytet e në fshat, kam parë me sytë e mi, vajza që nuk pranoheshin nga familja sepse kërkonin divorcin nga i shoqi. Kam parë familje që fshihnin dhunën e djalit mbi gruan, pa asnjë shtrëngim nofullash. Kam parë vajza të bindeshin nga prindërit për t’u rikthyer tek burri dhunues me shpresën se një gjest të tillë nuk do e përsërisë më. Kam parë gra që kërkonin leje për t’u shkolluar, për të punuar, për të dalë apo për të folur. Kam parë vajza të përjashtuar nga e drejta e pronësisë, pa u pyetur kurrë.

Kam parë vajza dhe gra të suksesshme që duhet ta mbronin me mish e shpirt suksesin e tyre, ta justifikonin atë vazhdimisht e të duronin paragjykimet mizore të njerëzve që suksesin e grave e lidhin gjithmonë me praninë e burrave në të. Shqipëria jo vetëm që është vend krenarisht patriarkal, por diskriminimin dhe dhunën ndaj gruas e justifikon me traditë ose me një “dobësi” të burrave para provokimit të grave. Shqipëtarët, jo vetëm që nuk e kundërshtojnë kulturën seksiste dhe misogjine, por e trashëgojnë atë edhe tek fëmijët dhe pasardhësit e tjerë, si një vlerë të madhe.

Ndërsa në Itali, kam ardh kur tashmë isha pjekur mjaftueshëm për të kuptuar të drejtat dhe detyrimet e mia, për tu ndjerë grua para vetes por njeri para ligjit dhe nuk jam përshtatur me asnjë padrejtësi pa reaguar më parë, dhe sigurisht që kuptoj mirë që Italia ka një pozicion tjetër shoqëror, shumë më realist dhe dënues ndaj dhunës gjinore, por as këtu jeta e grave, nuk është fushë me lule.

1 grua çdo 3 ditë, është vrarë nga fillimi i këtij viti në Itali, vetëm sepse ishte grua. Dhuna ndaj grave nuk ka shtetësi. Ndoshta ndryshon statistikisht, ndoshta diku dënohet më shumë e diku përflitet më pak, por që nga vendet më të zhvilluara deri tek ato më të prapambeturat, gruaja dhe dhuna, ndajnë të njëjtin trup.

  1. A je ndjerë ndonjëhere vetë e dhunuar (psikologjikisht/fizikisht) apo e shtypur si vajzë?

Nuk ka grua, që të paktën një herë në jetën e saj, të mos ketë pësuar dhunë psikologjike apo fizike. Midis tyre, edhe unë. Kujdes, dhuna nuk është vetëm shpulla, grushti, kapja e flokëve, shtyrja, shtypja, keqtrajtimi fizik dhe presioni psikologjik. Këto janë zakonisht aktet finale të dhunës. Dhuna e parë me të cilën duhet të bajnë llogaritë vajzat dhe gratë asht gjuha. Një vajzë dhe një grua dëgjon gjatë jetës ma shumë fjalët “mbylle gojën”, “ule zërin”, “ule fundin”, “ mos kundërshto” sesa emrin e tyre. Burrat u drejtohen grave si qënie inferiore, të varura nga burrat dhe rrjedhimisht pronë e tyre.

Pastaj vjen edukimi me standarte të dyfishta, djemtë drejt pushtetit e gratë drejt bindjes. Që në ekografinë e parë, në ngjyrat e veshjes, në lodrat e “buta” fillon fabrikimi i grave të së ardhmes, dhe bashkë me të, edhe historia e dhunës. Dhunë asht “leja” që gruaja duhet t’i kërkojë vëllait, babait, bashkëshortit e kunatit. Dhunë asht shërbimi që gruaja duhet t’i japin familjes për të merituar respekt, sepse siç pranohet me votë popullore, punët e shtëpisë janë punë grash, jo burrash.

Dhunë asht batuta e kolegëve në punë apo gjegjëzat mbi paaftësitë intelektuale të grave. Dhunë asht prezantimi i mbrapshtë që iu bahet vajzave dhe grave në programet televizive dhe të qeshurat robotike të publikut që e mbështet këtë padrejtësi. Dhunë asht dhuna seksuale, verbale dhe fizike, që fillon nga fishkëllimat mbas shpinde, nga fjalët pështjelluese, rrezikshmëria, frika apo tentativa e dhunimit seksual, prekja në rrugë, në autobuz, në shkollë, fotografimi pa leje e deri te ofendimet virtuale, kërcënimet dhe përndjekja.

Dhuna nuk vjen gjithmonë me dorën e as vrasja nuk vjen gjithmonë me plumbin. Vjen me goditje të vogla, të shpeshta, qëllimisht të justifikuara, saqë përfundojnë të duken aq tragjikisht normale, sa shpesh edhe vetë viktimat e dhunës nuk dallojnë rrezikun në të cilin ndodhen.

  1. Poezia tashmë është bere kënge, si ka qenë impakti dhe reagimet?

Shpresoj shumë që fjalët pozitive që kam marrë unë, autori i kangës dhe organizata që ka menduar dhe krijuar këtë projekt, të mos jenë thjeshtë fjalë inkurajuese të rastit apo një duartrokitje e gjestit, më shumë se një reflektim personal mbi realitetin e mesazhit. Shpresoj që të afërmit dhe miqtë e mi të mos kenë thënë fjalë të mira sepse mbështesin pjesëmarrjet e mia por të kenë kuptuar qëllimin e tekstit në mënyrë të drejtë dhe të ndërgjegjshme.

Dua të besoj shumë tek e ardhmja e  megjithatë unë nuk ndalem kurrë së përsërituri që asgjë nuk ndryshon në një ditë e as me një kangë me tekst poetik, as me një 8 mars në vit që lavdëron gratë në mënyrë kinematografike apo me një ditë ndërkombëtare kundër dhunës, për të cilën shumica e njerëzve flasin sepse tashmë është modë të flasësh edhe kur s’di për çfarë po flet, jo sepse kuptojnë gradën e vërtetë të problemit.

Ndryshimi fillon tek informacioni, tek edukimi i barabartë i vajzave dhe djemve, te sundimi i ligjit mbi çdo vepër patriarkale dhe shtypëse. Ndryshimi asht një beteje e përditshme, aspak e lehtë, jo domosdoshmërisht e publikuar në rrjetet sociale apo në ekranet televizive, që kërkon shumë durim, kambëngulje dhe zë të lartë, nga të gjithë, burra e gra bashkë.

bitchmagazine.al