Krimet seksuale, Kopliku: “Jetimorja e Shkodrës si shtëpi tmerresh, duhet hetim i gjerë”

222

Kanë kaluar 2 javë që kur një 27 vjeçare jetime deklaroi publikisht përpara mbarë Shqipërisë se ishte abuzuar seksualisht në Shtëpinë e Fëmijës, Shkodër dhe ende nuk ka asnjë reagim nga insitutcionet, të paktën jo publikisht. Adriana Berisha tha se ishte dhunuar e abuzuar për vite me radhë nga vetë punonjësit e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, ndërsa rrëfente në 6 qershor historinë e saj në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel.

Taulant Kopliku, gazetar i emisionit prestigjoz italian “Le Iene” (Hienat) i cili ishte i pari që intervistoi Adrianën 4 vite më parë por pa e shfaqur fytyrën e saj (https://bit.ly/37T9ENm) thotë se vetë Shtëpia e Fëmijës, Shkodër duhet të ndërmarrë një hetim të gjerë për të zbuluar të gjithë ata që kanë dhunuar apo abuzuar me fëmijët ndër vite. Në një intervistë ekskluzive për bitchmagazine.al, pjesën e dytë të së cilës po publikojmë në këtë shkrim (https://bit.ly/3fNJj6j), Kopliku shpreh revoltën e tij edhe me institucionet e tjera që nuk kanë reaguar, veçanërisht Bashkinë e qytetit të Shkodrës.

“Unë kam qenë nxënës në shkollën 8-vjeçare “Salo Halili” në Shkodër. Atje kishte një kontigjent të madh nxënësish që vinin nga shtëpia e fëmijës. Bëhet fjalë për mesin e viteve 80’. Kujtoj si sot bullizmin, dhunën psikologjike dhe fizike që pësonin këta fëmijë që përveçse të veshur keq, të kequshqyer, duronin edhe dajakun e kujdestarëve, mësuesve dhe nxënësve të tjerë të shkollës. Ndaj nuk duhet të injorojmë thirrjen e këtyre e tyre për ndihmë në raste të tilla, edhe pse të izoluara. Personalisht mendoj se në Shtëpinë e Fëmijës, duhet të hapet një hetim i gjerë, i detajuar dhe me dëshmi nga dhjetra persona. Jo vetëm fëmijët e tanishëm por djem e vajza të rritur, burra e gra që dikur ishin banorë të kësaj shtëpie. Një dosier i tillë me emra autorësh të çdo lloj abuzimi i bën nder këtij institucioni, i cili vitet e fundit shihet nga publiku si një “shtëpi tmerresh”. Do të doja të vija një pikëpyetje të madhe në këto histori horrori edhe tek insitutcioni i Bashkisë Shkodër, i cili pas gjithë kësaj furtune nuk tha të paktën: “Dreq o punë, vërtetë po ndodh diçka atje”? Jo, asgjë. Heshtje dhe vetëm heshtje. Si një bashkëfajtor në ligësi”.

I pyetur ndërkaq se çfarë mendon për reagimet që pasuan intervistën e Adrianës në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel, kryesisht në rrjetet sociale, Kopliku thotë se është I zhgënjyer.

“Rreth një vit më parë ishim në Brindisi me kolegen Veronica Ruggieri ku arritëm të demaskojmë një trajner fëmijësh futbollit që abuzonte me nxënësit e tij. Ishte një monstër I veshur me autoritetin e mësuesit. Abuzimet që ne dokumentuam ishin vërtetë të tmerrshme dhe trajnerit iu vunë menjëherë prangat. Ditën e nesërme po shihja komentet në rrjet, mund të ishin me mijëra. Nuk gjeta të paktën një të vetëm që të thoshte: “Hë mo se gënjejnë fëmijët” apo “vetë donin”. Fatkeqësisht në historinë e Adrianës, kam hasur pafund të tilla. Kjo është tërësisht e pamoralshme që na turpëron si shoqëri, sado pak që të jenë këta individë në numër”-shprehet Kopliku.