Skënder Gjinushi kërkon falje për incidentin me gazetaren: Isha i provokuar

181

Ndërsa mbi 2 mijë vetë kanë nënshkruar një peticion online duke i bërë thirrje kryetarit të Akademisë së Shkencave të kërkojë falje për gjuhën seksiste dhe aspak të përshtatshme të përdorur ndaj gazetares Enkelejda Mema ditën e zgjedhjes së tij, ka reguar vetë Skënder Gjinushi. Në një intervistë në emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga në Report TV, Gjinushi tha se i vinte keq për incidentin e ndodhur e madje se nuk e njihte gazetaren Mema. Por sipas tij, fjala “eksitim” e përdorur në atë rast ndaj saj nuk është përdorur në kuptimin seksual të fjalës dhe se termi është transmetuar ndryshe. E megjithë apologjinë, Gjinushi tha se ishte ndjerë I provokuar nga pyetja e gazetares në fjalë.
“Më vjen keq që ndodhi, nuk e njoh gazetaren. Reagimi im ka të bëjë me reaksionin e gazetarëve, që them që nuk e kuptova. Ishte pyetje me inat dhe në formë provokative, aq më tepër për një gjë personale. Isha i provokuar. Por realisht folja që përdora nuk është në atë kuptim që është marrë. Perceptimi nuk gjykohet, është shumë e gabuar në atë kuptim. Nuk do e përdorja kurrë në atë kuptim. Termi i përdorur është transmetuar ndryshe. Të gjithë ata që e kanë perceptuar ashtu, kanë të drejtë ta dënojnë. Por absolutisht është thënë me inat, me idenë që po e tepron. Kushdo që e ka kuptuar ashtu-kërkoj falje. Nëse do e thosha në atë kuptim, do kërkoja 70 herë falje”-u shpreh Gjinushi në fund të intervistës duke kujtuar se në 30 vite si politikan është provokuar me dhjetra herë nga gazetarët por ka ditur të vetëpërmbahet. Madje shtoi se ka një raport shumë të mirë me ta.

Dialogu i plotë me gazetaren Enkelejda Mema:

Gazetarja: Kur lindi ambicia juaj për t’u bërë kryetar i Akademisë së Shkencave, para reformës apo në momentin që po e bënit reformën?

Skënder Gjinushi: Bashkë me lindjen tënde.

Gazetarja: Me lindjen time s’ka mundësi, se ju keni qenë kryetar partie në atë kohë.

Skënder Gjinushi: Mos bëj pyetje që s’kanë përgjigje…

Gazetarja: Si s’kanë përgjigje? Kur lindi, para reformës apo gjatë saj?

Skënder Gjinushi: Ka pyetje të tjera? Faleminderit…

Ndërsa i largohej kamerave, kreu i ri i Akademisë së Shkencave, z. Skënder Gjinushi, ofendon rëndë gazetaren:

Skënder Gjinushi: Qenke shumë e eksituar, shko mjekohu!

Gazetarja: Shko mjekohu ti, kujdes me gjuhën se je dhe kryetar i Akademisë së Shkencave, i pa edukatë.